Coli: Avni Gashi u vra me plumb në kokë
GJYQI
I penduari i Bandës së Durrësit, Adriatik Coli mbylli dje dëshminë e tij, mbi krimet e kryra nga ish- shokët e tij
Bashkëpunëtori i drejtësisë, pranoi dje në gjykatë krimet e kryera prej tij, në përgjigje të pyetjeve të avokatëve
TIRANË- I penduari i "bandës" së Durrësit, Adriatik Coli mbylle dje dëshminë e tij, mbi krimet për të cilat akuzohen pjestarët e bandës ku ai kishte bërë pjesë deri në vitin 2006, kur edhe iu dorëzua drejtësisë duke bashëkpunuar me të.
Madje dje ai rrëfeu edhe vrasjet e kryera prej tij, për të cilat ai dukej se nuk shprehu asnjë farë pendese, në përgjigje të pyetjeve të drejtuara nga avokatja Klojda Dashi. Në këtë mënyrë ai konfirmoi përfundimitsh para gjykatës qëndrimin e tij kundër shokëve të "bandës" qëndrim i njëjtë i mbajtur edhe gjatë fazës hetimore.
Në seancën e djeshme, e 114- a e zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Coli iu përgjigj pyetjeve të fundit të avokatëve Detar Hysi dhe Klojda Dashi, që i kërkuan sqarime për disa momente ku Coli sipas tyre kishte qenë kontradiktor në dëshminë e tij.
Avokat Hysi mësohet ta ketë pyetur në lidhje me vrasjen e Avni Gashit, i penduari nuk ngurroi të akuzonte edhe dje të akuzuarin, Sardjan Sulejmani, dhe sipas tij është kryer me plumb në kokë. Gjithashtu, në vazhdim të pyetjeve të avokat Hysit, i penduari u përgjigj edhe në lidhje me përmendjen e disa emrave të biznesmenëve të ndërtimit në Tiranë dhe Durrës.
Këta sipas Colit herë pas herë kontribuonin me vlera financiare për grupin që ishte kundër të pandehurit Lulëzim Berisha. Ndërkohë, pyetja e fundit e avokatit Sami Velçani ndaj të penduarit, kishte lidhje me njohjet që ai kishte dhe ka me zv/drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për Departamentin e Hetimit të Krimit Agron Kuliçaj.
Sipas Colit, Zv/drejtorin Kuliqi e njihte dhe e kishte takuar disa herë, si në fazën hetimore edhe atë pas fillimit të procesit gjyqësor për arsye të ndryshme.
Në këtë moment, ka reaguar prokurori Anton Martini, që i kërkoi gjykatës që Coli të mos përgjigje për këtë fakt, pasi ishte jashtë objektit të gjykimit. Kjo kërkesë e Martinit u pranua nga trupi gjykues, që urdhëroi Colin të mos përgjigjej.
Më tej i penduari Coli i u përgjigj pyetjeve të avokates Klojda Dashi,që i kërkoi të penduarit të sqaroi disa momente të vrasjeve të kryera nga vetë ai. Ai i pa shqetësuar nisi të përshkruaj duke mos shprehur asnjë pendesë për tetë vrasjet e tij, të kryera për llogari të "bandës". Pas përshkrimit të Colit, gjykata urdhëroi ndërprerjen e seancës dhe vazhdimin e saj javën e ardhshme.
Kjo ndërprerje u kërkua edhe nga avokatët dhe të pandehurit e tjerë, që kërkuan kohë për t'u njohur me deklarimet e Colit dhënë para gjykatës për të bërë më pas kundërshtimet ose parashtrimin e ndonjë kërkese të re për marrje prove.Sipas kërkesës së avokatëve, duhet minimumi një javë kohë për tu përgatitur dhe shprehur në lidhje me pretendimet e të penduarit Coli për disa detaje të ngjarjeve të ndryshme për të cilat akuzohen klientët e tyre.
Priten dëshmitë e dy motrave të shfrytëzuara në Itali
Gjithashtu, pritet që javën e ardhshme avokatët të paraqesin para togave të zeza edhe emrat e disa personave të tjerë për t'i thirrur në cilësinë e dëshmitarëve, pasi i penduari Coli i kishte përmendur në disa ngjarje të rënda, të vrasjeve apo përgatitjeve për atentatet ndaj Lulëzim Berishës.
Ndërkohë, përfaqësuesit e prokurorisë ishin dakord me këto kërkesa të avokatëve, duke rezervuar të drejtën e kërkesës së tyre për thirrjen e dëshmitarëve të radhës të organit të akuzës.
Mendohet se dëshmitarët e parë që do të thirren pas dëshmisë tashmë të përfunduar të Colit janë dy motrat, të cilat janë përdorur si "karrem" dhe informator për të vrarë Marsel Sotirin, më pas pengmarrjen e njërës prej tyre si dhe trafikimin dhe shfrytëzimin më pas në rrugët e Italisë.
Gjithashtu, konfirmohet se në seancën e radhës Gjykata e Krimeve të Rënda do t'i hap dyert për publikun, për të vazhduar procesin penal ndaj 16 të akuzuarve si pjesëtar të "bandës" së Durrësit, mbi të cilët rëndojnë disa vrasje, pengmarrje personi, vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje, të gjitha këto në kuadër të organizatës kriminale.