E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia fsheh grabitjet e ndodhura ne Tirane

Ngjarja në periferi të Tiranës, fillimisht u trajtua si vjedhje me dhunë ndërsa më pas u "zbut" si rrahje. I dëmtuari humbi

Pranë shkollës "Kongresi i Lushnjes" një polic u përball me një grabitës që nuk mundi t'i vidhte paratë një lojtari bastesh sportive

Kretë e bluve të kryeqytetit pranojnë dy raste të vjedhjeve me dhunë, ndërsa nuk dinë për një tjetër
TIRANE- Një ditë pas ngjarjeve të ndodhura në territorin e policisë së kryeqytetit, kur strukturat e hetimit të krimit u vunë përballë disa rasteve të njëpasnjëshme të krimeve ndaj pronës, të kryera me dhunë, krerët e Policisë së kryeqytetit reaguan duke mohuar që në territorin e strukturës policore që ata drejtojnë të kenë ndodhur grabitje, dhe sipas tyre aq më pak me armë. Në të kundërt, gazeta "Shekulli", duke përjashtuar tendencën për drejtuesit e Policisë së kryeqytetit, siç këta të fundit përmendin në reagimin e tyre, ka siguruar informacione të tjera që hedhin dritë mbi këto ngjarje të ndodhura në Tiranë. Policia pranoi se në dy raste persona të ndryshëm, kanë mundur të vjedhin shuma të konsiderueshme parash dhe në fakt më tepër se sa ishin publikuar në gazetën "Shekulli"në numrin e djeshëm.Kështu në rrugën "Hamdi Pepa", në një sallë të lojërave të fatit dhe basteve sportive, perona të panjohur kanë mundur të marrin një sasi prej 100 mijë lekësh të reja, nga 50 mijë që ishte shkruar në gazetë. Në të kundërt, në rrugën e Durrësit, persona të panjohur sërish kanë mundur të vjedhin në një argjendari, 60 mijë lekë të reja. Në rrugën "Bardhyl", dy persona janë paraqitur me një kartmonedhë false 50 euroshe, në një pikë këmbimi valutor dhe kanë tentuar ta këmbejnë me lekë. Kur shitësja ua bllokoi personave kartëmonedhën false, ata dyshohet se janë larguar dhe më pas janë kthyer me sende të forta, ndërsa në kokë mbanin skafandra motorësh. Autorët kanë thyer xhamat e pikës së këmbimit valutor dhe më pas janë larguar. Kjo ngjarje është klasifikuar nga policia si shkatërrim prone, pavarësisht fatit se hetuesit nuk kanë sqaruar ende pozicionin e personave të dyshuar për krimin. Këto tri ngjarje janë pranuar nga policia se kanë ndodhur. Në të kundërt, policia nuk ka pranuar një tentativë grabitjeje të ndodhur ndaj një lojtari të një pike bastesh sportive, i cili u tentua të grabitej. Me autorin e dyshuar u përplas edhe një polic, i cili u mundua të bllokonte keqbërësin ndërsa u godit edhe vetë nga grabitësi. Kjo ngjarje nuk është përmendur në reagimin e policisë. Në të kundërt, në Zall- Bastar Ramazan Shkopi, punonjës i OSSH-së, kërkoi ndihmën e policisë. Kur kjo e fundit mbërriti në vendin e ngjarjes, konstatoi se Shkopi kishte pasur një konflikt banal me një bashkëfshatar i cili është marrë në ndjekje penale nga policia. Gjatë kësaj grindjeje, në mënyrë të çuditshme punonjësit të OSSH-së i ka humbur një çantë në të cilën ai kishte një shumë prej 50 mijë lekësh të reja. Ky rast u trajtua nga policia si rast rrahjeje. Në të kundërt paratë sipas versionit hetimor të policisë nuk janë marrë nga njeriu me të cilin është konfrontuar Shkopi. Fillimisht policia e klasifikoi këtë ngjarje si vjedhje me dhunë, por më pas ajo u zbut si rrahje. Pavarësisht kësaj, paratë e punonjësit të OSSH-së u zhdukën.

Reagimi
Policia: "Janë vetëm tri raste vjedhjesh me dhunë"

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, nisur nga një shkrim i botuar ditën e sotme në të përditshmen "Shekulli" me titull "Pesë grabitje në një orë, në kryeqytet ", sqarojmë opinionin publik si më poshtë :
Dje rreth orës 18.30', në rrugën "Hamdi Pepa" në Tiranë, është vjedhur me dhunë lokali i basteve sportive "Bet +", në pronësi të një shtetasi. Menjëherë pas marrjes së këtij infomacioni, strukturat e hetimit të krimit të komisariatit të policisë Nr.6 Tiranë dhe seksioni përkatës, shkuan në vendngjarje ku kryen veprimet procedurale dhe rezultoi se ishin vjedhur shuma e parave prej 100 mijë lekësh si dhe dy telefona celularë. Në lidhje me këtë vjedhje po punohet intesivisht nga strukturat e hetimit të krimit në bashkëpunim me Prokurorinë, me synim kapjen e autorëve. Po në këtë ditë, në orën 11.30, shërbimet e komisariatit të policisë Nr.3 Tiranë morën njoftim se në Rrugën e "Durrësit" në Tiranë, është vjedhur një dyqan argjendarie. Nga grupi hetimor i mbërritur menjëherë në vendngjarje, rezultoi se ishte vjedhur shuma e parave prej 60 000 lekësh dhe një celular tip Nokia. Ndërkohë, po dje në orën 19.45, në rrugën "Bardhyl", është marrë njoftim se është thyer me mjete të forta këmbimi valutor "Deni dhe Kristi", në pronësi të një shtetasi. U kryen veprimet procedurale, ku rezultoi se është dëmtuar me mjete të forta (hekur) xhami i dyqanit, i cili shërben për këmbimin e parave dhe jo pronari i saj siç është përmendur në shkrimin e publikuar. Nga seksioni përkatës dhe shërbimet e hetimit të krimit të komisariatit të policisë po punohet për kapjen e autorëve, njëherazi materialet i janë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "Shkatërrimit të pronës" në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 150 dhe 25 të Kodit Penal. Në drejtim të identifikimit dhe kapjes së autorëve, respektivisht për të tre vjedhjet e lartpërmendura është duke u punuar me intensitet dhe pas kapjes së tyre do t'ju informojmë në vijimësi. Për të bashkëpunuar me përfaqësuesit e medias së shkruar, sqarojmë se kemi të bëjmë me tre vjedhje të ndodhura në Tiranë dhe jo pesë grabitje me dhunë e armë, siç është publikuar në të përditshmen Tuaj. Strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, janë duke punuar me intensitet në drejtim të parandalimit, identifikimit të autorëve me tendencë vjedhet e pasurisë, me qëllim rritjen në një shkallë më të lartë të zbulueshmërisë së këtyre veprave penale me synim vënien e këtyre autorëve përpara drejtësisë. Duke rikonfirmuar gatishmërinë, për të bashkëpunuar me median Tuaj dhe të gjitha mediat në përgjithësi, mendojmë se gjithnjë keni patur aksesin e duhur, për të marrë informacionin e kërkuar apo dhe për të konfirmuar atë. Në vazhdimësi ju ftojmë të tregoheni më të kujdesshëm në publikimin e informacioneve disinfomuese për publikun apo tendencioze, duke e verifikuar atë më parë pranë strukturave përkatëse në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.
DREJTORI
Drejtues i Parë, Tonin Vocaj

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›