E Diel, 1 Nëntor 2026

PE miraton rezolutën: Zgjidhni krizën shpejt, ndryshe rrezikoni

“Të hetohen zgjedhjet e 28 qershorit, pastaj Kodi i Ri”

Parlamenti Europian ka miratuar dje me 359 vota pro, 258 kundër dhe 19 abstenime, rezolutën për Shqipërinë, e cila përbën dokumentin e ri, mbi të cilën do të ecë debati politik në Tiranë. Me një seri amendamentesh, ajo prek thuajse të gjithë realitetin shqiptar në raport me kërkesat që dikton procesi i integrimit, i cili, sikurse thuhet në një nga pikat e kaluara dje në seancë plenare në Strasburg, “varet nga kapërcimi i krizës aktuale”. Me një theksim tekstual të situatës së bllokuar prej një viti, Komuniteti Europian ka apeluar për zhbllokimin e shpejtë të saj, duke bërë të qartë se nota e pritshme për Shqipërinë në muajin nëntor, varet praktikisht nga respektimi i kërkesave të opozitës. “Qeveria dhe opozita shqiptare duhet të kuptojnë se kapërcimi i mosmarrëveshjeve aktuale është kyç për progresin e vendit drejt integrimit në BE dhe për aspiratat e mëtejshme europiane të shqiptarëve. Përsëriten konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm se është momenti final për gjetjen e zgjidhjes ndaj krizës aktuale politike dhe është përgjegjësi e qeverisë shqiptare së bashku me opozitën për të gjetur siç duhet, në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë me Kushtetutën shqiptare, zgjidhjet e nevojshme për rrugën e vendit drejt BE-së”, thuhet në një nga pikat e dokumentit, e përcjellë dje nga “Top Channel”. Bie në sy se PE e ka cilësuar kohën e tanishme si një moment final për zgjidhjen e krizës, pavarësisht se ka lexuar përgjegjësi të përbashkëta mes pozitës dhe opozitës shqiptare. Sesi do të interpretohet mesazhi i saj në Tiranë, kjo mbetet ende për t’u parë, por reagimet fillestare kanë përcjellë për opinionin një qëndrim të njëjtë të palëve. Në parim, rezoluta e kushtëzon perspektivën e integrimit të Shqipërisë me daljen nga kriza e tanishme, e cila në vetvete përbën ngrirjen e kriterit politik që lidhet me marrjen e statusit të vendit kandidat. Por përtej këtij apeli, përmbajtja e dokumentit për sa i përket aspekteve teknike të krizës dhe debatit që ka qarkuar atë prej muajsh, i jep atij pamjen edhe të një udhëzuesi, që riprodhon tanimë me shkrim të gjitha sugjerimet e dhëna gjatë negociatave të muajve të shkuar. Kështu siç edhe ka përcjellë dje nga Strasburgu, “Top Channel”, një nga amendamentet e rezolutës parashikon ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, duke e kufizuar atë në këqyrjen e materialit zgjedhor, pa prekur fletët e votimit. “Rezoluta e Parlamentit Europian kërkon ngritjen e një komisioni hetimor, ku shumica dhe kryetari duhet të përcaktohen nga opozita, i cili do të hetojë zgjedhjet e 2009-s. Në kompromis me eurodeputeten e PPE-së, Doris Pack, socialdemokrati Libor Roucek, pranoi të hiqte vetëm termin ‘të gjitha’, duke lënë si përcaktim ‘hetimin e materialeve zgjedhore’ nga ky komision hetimor”, citoi “Top Channel” nga Strasburgu. Kështu debati i zhvilluar për muaj të tërë në Tiranë ka gjetur shprehjen e vet në një rezolutë të posaçme të PE, e cila mbetet tanimë detyruese për Shqipërinë. Ndërkohë vërejtje janë përcjellë edhe për Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë për të cilën bëhet thirrje për “draftin dhe zbatim me konsensus”. E vetmja notë pozitive për klasën politike në Tiranë ka qenë vullneti i shprehur për lëvizjen e lirë, që sikurse edhe u përfshi në rezolutë pas qartësimit për kriteret mbetura të mundësojë “heqjen e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë në fund të vitit 2010”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›