E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE miraton rezoluten per Kosoven

Komisioni për Politikën e Jashtme në Parlamentin Evropian miratoi mbrëmjen e së hënës rezolutën për procesin e integrimit të Kosovës, e hartuar nga eurodeputetja Ulrike Lunacek.

Sipas raportimeve të mediave kosovare, anëtarët e komisionit votuan të gjitha ndryshimet e paraqitura në rezolutën në fjalë, e cila përmban 209 amendamente.

Përmes rezolutës konfirmohet që Kosova të përfitojë nga perspektiva e liberalizimit të vizave, natyrisht duke përmbushur kushtet e parashtruara nga Brukseli.

Sipas burimeve, në këtë perspektivë nuk do të merret parasysh qëndrimi që disa vende anëtare kanë për statusin e Kosovës, konkretisht Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia.

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare, gjatë takimit të së hënës kanë deklaruar se janë në pritje të raundit të ri të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Ata kanë kërkuar progres përsa i përket cështjes së përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale, gjë për të cilën Serbia nuk është shumë e gatshme.

“Bisedimet e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare janë zhvilluar me tone pozitive. Të gjithë ministrat kanë mbështetur vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për përfaqësimin e saj rajonal”, ka deklaruar zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijancic.

Sipas të njëjtit burim, 27 shefat e diplomacive kanë kërkuar gjithashtu zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Ndërsa ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt ka deklaruar se për Serbinë është e rëndësishme vazhdimi i bisedimeve me Kosovën, në mënyrë që t’i afrohet marrjes së statusit të kandidatit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›