PEKIN – Kina nis një fushatë të shpejtë politikash për të ndihmuar ekonominë, planifikon bisedime me SHBA-në

PEKIN, 7 maj /ATSH/- Kina ka njoftuar një sërë masash që synojnë të ndihmojnë ekonominë e saj – pas tarifave tregtare të presidentit të SHBA-së, Donald Trump – ndërsa të dy vendet përgatiten për bisedime në Gjenevë, këtë javë, sipas AP.
Guvernatori i bankës qendrore të Pekinit dhe zyrtarë të tjerë të lartë financiarë përcaktuan planet për të ulur normat e interesit dhe për të reduktuar kërkesat e rezervave bankare për të ndihmuar në lirimin e më shumë fondeve për huadhënie.
Ata thanë gjithashtu se qeveria do të rriste sasinë e parave në dispozicion për përmirësimet e fabrikave dhe inovacione të tjera, si dhe për kujdesin ndaj të moshuarve dhe bizneseve të tjera të shërbimeve.
Tarifat e larta të vendosura nga Trump kanë filluar të ndikojnë negativisht në ekonominë e Kinës – e cila varet nga eksportet.
Dje në mbrëmje, Kina dhe SHBA-ja njoftuan planet për bisedime këtë javë, në Gjenevë të Zvicrës.
Vendet do të përfaqësohen nga sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer dhe zëvendëskryeministri kinez, He Lifeng.
Marrëveshja, vjen në një kohë kur të dyja palët janë shfaqur të vendosura, të paktën publikisht, për të mos bërë kompromis mbi tarifat.
“Bisedimet mund të jenë një pikë kyçe për nxitjen e besimit ose përshkallëzimin e luftës tregtare”, tha në një raport, Stephen Innes, i “SPI Asset Management”. //a.i/Kine