PEKIN – Ministri i Jashtëm estonez: Kina t’i bashkohet presionit ndaj Putin

PEKIN, 5 nëntor /ATSH/ – Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, i bëri sot thirrje Kinës të ndalojë mbështetjen ekonomike ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe të bashkohet me përpjekjet e SHBA-së dhe Evropës për të ushtruar presion ndaj presidentit Vladimir Putin për një armëpushim., sipas “Reuters”.
Tsahkna zhvilloi takime me homologun e tij kinez, Wang Yi, dhe zyrtarë të tjerë gjatë një vizite dyditore në Pekin, e para nga një ministër i jashtëm estonez në një dekadë.
Ai theksoi se Kina ka ndikim të madh mbi Rusinë për shkak të dobësisë së ekonomisë ruse dhe mund të luajë një rol vendimtar në përfundimin e luftës.
“Presidenti Trump tha gjithashtu se Kina duhet të bashkohet me presionin ndaj Rusisë, dhe unë besoj se ajo mund të bëjë shumë në këtë drejtim”, deklaroi Tsahkna.
Gjatë bisedimeve, ministri estonez ngriti edhe çështjen e furnizimit të mundshëm nga Kina me komponentë me përdorim të dyfishtë për industrinë ushtarake ruse, akuzë që Pekini e mohon, duke thënë se kontrollon rreptësisht eksportet e tilla.
Tsahkna paralajmëroi gjithashtu se shtimi i incidenteve me dronë dhe shkeljeve ajrore nga Rusia në vendet e NATO-s në Evropë janë “teste të organizuara mirë të unitetit të aleancës”.
Ai shtoi se, ndonëse diskutoi edhe për çështje tregtare me Kinën, qëndrimi i Pekinit ndaj Moskës mund të ngadalësojë arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare BE-Kinë. /Ad.Ab./