E Diel, 1 Nëntor 2026

PILOTI BILAL SINA, Minutat e paharruara në ajër me avion të fikur

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Në një ditë të zakonshme mund të takosh një njeri krejt të zakonshëm. Ai mund të jetë një prej shitësve të shumtë të Elektro-Shtëpiakeve në tregun e Tiranës, por e zakonshme është vetëm pamja. Historia e tij është krejt e jashtëzakonshme, e denjë për një skenar filmi. Shitësi i elektro-shtëpiakeve Bilal Sina është një nga heronjtë e Aviacionit Shqiptar, por një nga heronjtë e gjallë të tij. Manovrat dhe guximi i pashembullt që ka treguar në ajër do të mbeten një faqe e paharruar e Aviacionit Luftarak. Dhe pavarësisht se sot ai është në pension, shokët kujtojnë ende me admirim veprën e tij. Në një rrëfim të atyre çasteve të pabesueshme dhe të ëndrrave të tij prej piloti, ne po i ofrojmë lexuesit këtë hapësirë emocionesh, që i përket kohës së lavdishme të aviacionit shqiptar. Kohë që pati suksese, por pati edhe jetë të humbura, jetë pilotësh që sot numërohen si heronj të Kombit, sepse ranë në detyrën për mbrojtjen e hapësirës ajrore të tij. Dhe kur flet për këta njerëz, lirizmi i profesionit mplekset me ankthin dhe tragjizmin që lartësitë mbjellin. Por Bilal Sina ia doli mbanë…
Pilot i thjeshtë, pastaj, komandant çifti, komandant katërsheje, komisar skuadriljeje me 12 aeroplanë, zv.sekretar Komiteti Partie i Aviacionit dhe në fund, komisar i Aviacionit. I kam ngjitur shkallët e karrierës një e nga një. Nuk kam pasur miq as në Komitet Qendror, as në Presidium, as nga fshati. Më i madhi në fshat isha vetë (qesh)” Kështu, ky aviator komunist, na tregon modelin e komunistit ashtu siç pak e rrallë e kanë njohur…
E nis rrëfimin e tij thjeshtë: Jam nga Sauku,- na thotë,- një fshat që e shikon Tiranën si në pëllëmbë të dorës. Ka qenë viti 51 kur sapo kishin ardhur disa aeroplanë nga Bashkimi Sovjetik dhe bënin montimin këtu. Mua më pëlqente të shihja kur ngriheshin dhe uleshin aeroplanët reaktivë. Kjo më mbeti si gjurmë në kujtesë. Por kurrë nuk e mendoja se do të bëhesha pilot. Kur isha në shkollën “Skënderbej”, gjatë atyre viteve më tërhiqte uniforma e bukur e kursantëve- pilotë që shkonin e vinin në Bashkimin Sovjetik. Kjo aparancë më tërhiqte, dhe ndoshta ishte e tillë, që të të nxiste dëshirën për të qenë pilot. Kujtimet e vogëlisë, vijat e bardha që avijonët linin pas në qiell bashkë me joshjen e veshjes së pilotit, më nxitën që të ëndërroja fort këtë profesion. Madje, mbaj mend, se kur ishim nxënës tek Skëndërbeg, kishim të drejtë të bënim tri kërkesa për shkollën e lartë. Unë të trija kërkesat i kam bërë për aviacion, aviacion, aviacion. Natyrisht, që po të mos më kishte dalë, do të zgjidhja një vend tjetër. Mirëpo ëndrra nisi të merrte rrugë më 22 shtator të vitit 1962, kur u nisëm nga Tirana për në Vlorë. Në Vlorë ishte krijuar shkolla e Aviacionit me urdhër qeverie. Shkolla kishte peripecitë e veta. Si rregull, shkolla ishte 3 vjet, por ne e bëmë 4.5 vjet, sepse nuk kishim teknikë. Pas një viti erdhi teknika dhe fluturuam.

-Cilin mban mend si momentin më të veçantë gjatë viteve të shkollës së Aviacionit?

Dita kur fluturon për herë të parë, është e paharrueshme. Ka qenë ditë e premte. Kam fluturuar i dyti në radhën e fluturimit. Provova ankthin e pilotit të ri. A do të ulem mirë, a do të ngrihem mirë? Por jo frikë për jetën. Këtë nuk e imagjinoja. Ky është momenti para se të hysh në kabinë. Pastaj, kur hyn në kabinë, të rrëmben vetë puna. Kur zbrita, nuk më besohej se unë kisha fluturuar. Kur shikon që në lartësinë 150-200 metra, prapa nuk ke instruktor dhe je vetëm aty, ndjen një shpërthim të brendshëm emocioni, sikur ke realizuar një ëndërr të madhe, është një triumf i vërtetë. Je vetëm në ajër, je larg tokës, je TI. Të duket vetja si një shpend i madh. Të fluturuarit vetëm të jep mundësinë të provosh parametrat, të jep sigurinë në vetvete. Pasi ulesh, e ke mendjen prapë të ngrihesh. Përsëri u ngrita, sepse bëhen dy fluturime. Aty euforia të pushton. Adrenalina ka bërë të sajën. Kur mbaroi edhe ky fluturim, ndava çokollatat. Ishte një traditë e bukur në aviacion. Shokëve, instruktorëve, komandos, u shpërndan çokollatat pas suksesit.
Kujtimet e mia si kursant-pilot janë të mrekullueshme për Vlorën. Një qytet i bukur, dhe me njerëz të mirë, po të dish tu afrohesh. Kam pasur një instruktor nga Tërbaçi i Vlorës. Ishte shumë kërkues, por i drejtë.

-Keni pasur fat që ia keni arritur të jeni gjallë sot. Për ju thonë se keni kapërcyer peripeci të pazakonta

Mund ta kem jetë të dytë këtë, por nuk e lidh me fatin. Çdo pune, po ti bësh hyzmetin, nuk është më fat. Nëse zbaton rregullat e përgjithshme, nuk ndodh gjë. Sikur edhe krahu i aeroplanit të këputet në ajër, jetën e ke të siguruar: Hidhesh me katapultë.

-Kjo nuk do të thotë se ata që e kanë pësuar, nuk kanë qenë pilotë të zotë

Janë të zotë, por në një moment, kanë gabuar. Natyrisht që ka raste të rralla, që ndodh difekt teknologjik, siç i ka ndodhur Azbi Seranajt, e këtu nuk bën punë as katapulta. Ky vërtet që është shans i keq.

-Cili ka qenë momenti më i vështirë që keni kaluar në fluturim? Na tregoni për ato minuta ankthi që kanë bërë bujë në historinë e Aviacionit tonë?

Ka pasur disa, por njëri mori famë. Ka qenë rasti, kur mu fik motori në lartësinë 6 mijë metra. Ndodhi një difekt teknologjik. Nuk kishte subjektivitet. I zbatova të gjitha rregullat.

-Ku ishit ju kur ju ndodhi difekti?

Isha mbi Tomorricë, përtej Tomorit. Isha me drejtim nga Veriu, duke u rrotulluar, në anë në të majtë. Sapo e hoqa nga animi, ra zhurma. Pati një tronditje aeroplani sepse u frenua, u fik. Atëherë ula hundën e aeroplanit dhe e çova në pikiatë, por me kënd pak më të vogël. Raportova me radio, që më është fikur motori. Mirëpo komandoja nuk e besonte, sepse nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Më pyet prapë: Nuk kuptova, çfarë ke 16-a? Më është fikur motori,- i thashë, -për së treti. Atëherë më pyeti: Sa i ke xhirot? Zero,- i them. -Zhurmë nuk kam, shpejtësia po bie. Vendosa aeroplanin në hundë lartësie. Më thotë komanda: Bëj veprimet që duhen, mbyll rubinetin e karburantit…

-…Ke kohë ti kryesh me qetësi të gjitha veprimet?

Po, ke kohë, duhet ti bësh edhe pa u vonuar dhe pa nxituar, por të sakta.

-Ju po përgatiteshit për tu hedhur?

Jo, nuk po bëja veprimet për tu hedhur. Po bëja veprimet për tu ulur me motor të fikur. Pasi bëra veprimet e duhura, më japin urdhër: Merr gaz Mora gaz. Rubinetin e mbylla, se po të mos e mbyllja, do të kisha marrë zjarr në ajër. Raportova. Të gjitha veprimet i kam bërë. Më vjen urdhri: Përgatitu për ndezjen e motorit në ajër. Si urdhëron, ju kuptova. Sepse motori edhe mund të rindizej. Unë provova katër herë. Herën e parë u ndez llampa dhe tregonte që i shkonte shkëndija, por karburanti nuk ndizej. Si rregull, unë nuk duhet të bëja ndezje të motorit në ajër. Por nisur nga urdhri i udhëheqësit të fluturimit, provova tre herë prej tij dhe herën e katërt e provova me mendjen time.

-E menduat se jeta juaj ishte në rrezik në ato momente?

Natyrisht që e mendova. E ndieja antkhin. Mendoja se çfarë ka motori. Por ende shpejt ishte për të ndjerë rrezikun e madh. Isha si një lojtar shahu, që nuk e di që pas disa lëvizjesh, do të kapet mat. Kur bëra lëshimin e tretë të avionit, mu duke sikur lëvizi shigjetmatësi. Atëherë me kokën time e provova edhe një herë të katërt. I bëra të tëra veprimet dhe pa sukses. Kur bëra lëshimin e katërt, duhet të kisha kaluar në atë çast urën e Kuçit dhe duhet të isha gati në Patos. Shikoj territorin. Më pyet udhëheqësi i fluturimit, ku je: I them, në pellgun e Vjosës, se nuk po e gjeja dot fjalën Patos. Çfarë deshe atje? Më pyeti pastaj për lartësinë. 3500 metra-i them. Më thotë: Përgatitu të hidhesh me katapultë. Ju kuptova i them,- por unë po vij në pikë. Kështu, nuk e zbatova urdhrin. Ktheva kokën pas, kisha Tomorin. Isha me kurs jugor. Shoh aerodromin tim veror në Bish-Poro, përtej Novoselës. Aty vendosa të shkoj në aerodromin veror. Zgjodha këtë sepse ky aerodrom ishte më i gjatë dhe më i butë, se nuk ishte asfaltuar.

Rasti i dytë dhe i tretë
Kur për pak preka pishat e Dajtit…

Ishte mars 72. Kishim në garë midis Riansit dhe Kuçovës. Ishte garë për qitje- bombardim kundër objektit të panjohur. U ngritëm katër avionë nga aerodromi i “Qytetit Stalin”. Aty biem padashje në re. Avioni nuk duhet të futet, por ishim të detyruar se Mali i Dajtit është 1600 e ca metra, ne shim katër aeroplanë.
(…Jep siguri më të madhe fluturimi në grup?)
Jo, fluturimi në grup është fluturim i vështirë, rritet rreziku, se mund të përplasesh me avijonët e shokëve, edhe pse ka bukuinë e vet, se e kupton që je në qiell me shokët e kjo të shton adrenalinën. Kur u futëm poshtë reve përtej Dajtit, katër aeroplanë, me nga dy motorë, kush e di se si ka ushtuar ajo luginë! Nejse, U futëm, morën lartësi, u rrotulluam majtas të gjithë. Aty kam rënë në rrymat e gazit të avionit të shokut që kisha para dhe kam rënë poshtë 1000 metra. I kam parë majat e pishave, gati ti takoja. Duke i dhënë me këmbë, majtas, majtas, majtas, duke rënë poshtë, e duke e larguar aeroplanin me shumë terezi, që të mos përplasesha me shpatin e malit. Pasi e largova aeroplanin, i jap xhiro të plota. Ky ky qenë një rast i paimagjinueshëm që kam shpëtuar. Këtu kam patur shans. Dhe duhet të pohoj, se ishte prej gabimit tim. Duhet të fluturoja pak më jashtë, dhe isha pak më brenda, e aty rashë në rrymat e gazit të avionit para meje. Si mora xhirot, prej aty, qëllova me raketa në shënjestër drejt objektit të panjohur. Detyra u krye. Udhëheqësi i fluturimit tha: Shkoni në shtëpi, se nuk ka më shenjë. Shokët që vinin pas nesh, nuk kishin më ku të qëllonin se shenja u shkatërrua. Kështu ulëm të gjithë në Rinas.
Do të provoja një motor në tokë të MIG 19. Ishte tetor 74. Provova njërin motor, ishte në rregll, pastaj tjetrin. Dëgjoj një zhurmë të vogël. Kryeinxhinieri ndërkohë që i binte dorës time, për të tërhequr dorezën e gazit, kur u dëgjua një shpërthim. Çfarë kishte ndodhur? Tapa e drenazhimit të rezervuarit të karburantit ishte harruar të hiqej. Tapa që duhet të balanconte presionin brenda rezervuarit të karburantit dhe jashtë. U gjet shkaku, u bënë analizat siç janë këto punë, por kjo ishte një gjë e turpshme dhe nga krisma e frikshme. Ndodhi nga një budallallëk, nga një harresë e mosheqjes së tapës së presionit.
Ky lajm është publikuar: 14/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›