PKK, Yunshan: Qeveria e PD-së ndryshoi Shqipërinë
Komunistët kinezë mbeten të befasuar nga ndryshimi që ka pësuar Shqipëria nën qeverisjen e Partisë Demokratike. Por, njëherësh ata vlerësojnë qëndrimin e palëkundur të PDSH-së dhe Kryeministrit Sali Berisha: Për ne ka një Kinë të vetme. Një delegacion i Partisë Komuniste Kineze mbërriti në Tiranë, i cili u prit nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, z. Ridvan Bode, që së bashku me zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike, Noka, Xhaferaj, Kruja, Bogdani etj., priti delegacionin e Partisë Komuniste Kineze. Delegacioni i PKK-së kryesohet nga Liu Yunshan, anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Kineze, sekretar i Komitetit Qendror të PKK-së dhe ministër i Marrëdhënieve me Publikun pranë Komitetit Qendror të PKK-së. Gjatë takimit u fol për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, për zhvillimet dhe shkëmbimet mes dy vendeve dhe dy partive. Z. Bode vuri në dukje zhvillimin ekonomik dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë si dhe përballimin me sukses që bëri ekonomia e vendit, kur kriza globale gjunjëzoi ekonomi të tjera rajonale dhe më gjerë. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, vuri në dukje që qeveria e PD-së zbatoi politika fiskale të suksesshme të taksave të ulëta, zbuti klimën e biznesit dhe bëri që Shqipëria të renditej në një nga vendet me taksa më të ulëta në Evropë. Z. Bode foli edhe për mundësitë për investime dhe ftoi biznesin kinez të jetë i pranishëm me investime, duke theksuar që në Shqipëri do të gjejnë një vend mik ndaj investitorëve të huaj. Nga ana e tij, z. Yunshan shprehu vlerësimin për ritmet e larta të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Siç tha ai: Shqipëria duket se po ndryshon dhe unë e pashë ketë ndryshim që është mjaft i shpejtë dhe kjo është meritë e qeverisë së PD-së. Ai gjithashtu vlerësoi edhe marrëdhëniet mes dy forcave politike dhe që ecin paralelisht me marrëdhëniet mes dy vendeve, ndaj dhe vizitat partiake dypalëshe do të mundësojnë shumë dhe në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Z. Liu Yunshan vlerësoi qëndrimin e palëkundur të Partisë Demokratike dhe Kryeministrit Berisha: "Për ne ka një Kinë të vetme". Ai përfundoi, duke thënë se dy partitë kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe ftoi që një delegacion i lartë i PD-së të shkojë në Kinë me ftesë të PKK-së.