E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Bashkëshorti i Bregut në koncesionet energjetike

Në një deklaratë për shtyp, deputetja Olta Xhaçka deklaroi se shqiptarët nuk morën përgjigjen e pyetjeve të ngritura ndaj zonjës Bregu.

Deputetja Xhacka tregoi një dokument, ku vërehej se vëllai i bashkëshortit të ministres Bregu, Hektor Ajazi, ishte përfaqësuesi i kompanisë “ME-AJ energy”, e cila ka si qëllim ndërtimin, shfrytëzimin dhe organizimin e shitjeve të hidrocentraleve të vogla.

“Këto formularë të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit tregojnë se kunati i zonjës Bregu nuk kishte kurrfarë eksperience apo lidhjeje biznesi me energjetikën duke qenë se bizneset e tij të mëparshme ishin një disko dhe prodhim te dollapëve. Kjo tregon se zoti Hektor Ajazi ka themeluar një kompani vetëm për të marrë koncesionin për ndërtimin e hidrocentraleve pa pasur asnjë lidhje me këtë sektor”, deklaroi deputetja e Partisë Socialiste.

Ajo shtoi se ministrja Bregu ka gënjyer publikisht kur ka thënë se bashkëshorti i saj, Namik Beqir Ajazi nuk ka asnjë lidhje me fushën e energjisë. “Kompania ‘M.I.A. Internacional’, ku burri i ministres është bashkëpronar me 30% të aksioneve por dhe përfaqësues ligjor i saj, ka si objekt biznesi ‘Punimet e ndërtimin e komplekseve që prodhojnë dhe shpërndajnë energji’”, deklaroi Xhaçka duke treguar dokumentin e regjistrimit të kompanisë M. I. A. Internacional, në të cilën bashkëshorti i ministres Bregu është përfaqësues ligjor.

Në fund të konferencës për shtyp, deputetja Olta Xhaçka theksoi se, ministrja Bregu jo vetëm që ka gënjyer, por edhe ka shkelur ligjin e deklarimit të pasurive, ndërsa në deklaratat e saj vjetore nuk janë pasqyruar në asnjë rast as edhe një kuotë aksionesh te burrit të saj.

“Gjithkush e di se pasuria e bashkëshortëve quhet e përbashkët përpara ligjit, e si e tillë deklarohet nga të dy. Këtë detyrim ligjor, ministrja e Integrimit nuk e ka përmbushur në asnjë vit. Kjo është një tjetër shkelje flagrante e ligjit ‘për Deklarimin e Pasurisë’ që mund të interpretohet lehtë si një tentativë për ti hedhur hi syve opinionit publik mbi pasurinë e vërtetë të Ministres së Integrimit”, vuri në dukje deputetja e opozitës.
Xhacka premtoi se Partia Socialiste do të bëjë publike të tjera fakte flagrante në lidhje me këtë aferë e përfshirjen e Majlinda Bregut në koncesionet për hidrocentrale të vogla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›