PD, Alibeaj: Rama, gjoba 100 milionë euro për biznesmenët
Hetimi i Ramës, deputetët e PD-së mbështetje Vokshit/ Alibeaj: Rama të flasë për ndryshimin e ligjit për partnerët
Partia Demokratike akuzoi dje kreun e opozitës dhe Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për vendosjen e gjobave ndaj biznesmenëve për ndërtimet në Tiranë. Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, iu referua rastit të personit me të cilin bashkëjeton deputetja Albana Vokshi. Deputetët e Partisë Demokratike mbështesin nismën ligjore për ndryshimin e ligjit të deklarimit të pasurive, duke u dhënë të drejtë institucioneve të hetojnë edhe për partnerët e zyrtarëve. Ka tri javë që çdo shqiptar ka mësuar se nëpërmjet sekserit të tij, Dritan Avllaj ose Tan Lepri, Edvin Rama vetëm njërit prej zhvilluesve të qytezës Rama-Lepri i ka prerë gjobën 100 milionë euro në 20%-shin e firmosur. Me zhvilluesit e tjerë ekziston po e njëjta marrëveshje. Kjo trefishon shumën marramendëse të fitimit që zoti Rama merr nga qyteza e partnerit të tij Lepri. Ka tri javë që Mr. 20%-shi nuk del nga strofulla e Leprit, i tmerruar nga dokumentet autentike të botuara në media e të bëra publike nga deputetja Vokshi, - theksoi Alibeaj. Nga ana tjetër, ai i kërkoi kryebashkiakut Rama të flasë për korrupsionin. Edvin Kristaq Rama ka hyrë vetë në kutinë e Leprit dhe nuk lejon që ajo të hapet për askënd dhe për asnjë arsye. Si deputet i Kuvendit, do mbështes iniciativën e deputetes Vokshi për hetimin e partnerëve dhe ftoj zotin Rama të prononcohet për këtë iniciativë, - u shpreh Alibeaj. Më tej deputeti i PD-së përmendi dhe faktin se institucionet ndërkombëtare e kanë cilësuar Tiranën si një zonë të ndotur dhe Rama duhet të mbajë përgjegjësi për ndërtimet që ka bërë pa kriter. Ka tri javë që Edvin Rama, strumbullari kryesor i korrupsionit në Shqipëri e Ballkan, hesht për vendin e tij në ndërtimin e 12 kullave 30-katëshe në të vetmen mushkëri të mbetur në Tiranë, ndërkohë që OBSH-ja ka dhënë alarmin se jeta e çdo qytetari të Tiranës shkurtohet me dy vjet prej kësaj, - u shpreh deputeti Enkelejd Alibeaj.