E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vilat në bregdet, ulje çmimi kush paguan për 30 ditë

Pronarët dorëzojnë kërkesat për tapinë e truallit. Mbi 65 fatura të shpërndara nga ALUIZNI. 55 kërkesa të dorëzuara

Çdo pronar që paguan brenda 30 ditëve detyrimet ligjore për të marrë tapinë e truallit, përfiton ulje çmimi. Çmimi i truallit që do të paguajnë, mund të reduktohet në masën 10 për qind, nëse paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim dhe 20 për qind nëse paguhet brenda një muaji. Janë vetë pronarët e vilave në bregdet, të cilët këto ditë po dorëzojnë dokumentacionin për të marrë edhe tapinë e truallit. Në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale kanë mbërritur tashmë mbi 50 kërkesa të pronarëve të këtyre ndërtimeve, ndërkohë që ALUIZNI ka shpërndarë mbi 65 fatura. Në bazë të ligjit Për rregullimin e pronësisë mbi truallin në zonat me përparësi turizmin ata kanë të drejtë të bëhen pronarë edhe të truallit ku kanë ndërtuar vilat e tyre. Kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia, ka pohuar për gazetën se tashmë kanë nisur kërkesat e para, por fluksi pritet të rritet ndjeshëm në muajin shtator, pas përfundimit të periudhës së pushimeve. Procesi i pranimit të kërkesave do të vijojë deri në 10 tetor, çka u krijon ende mundësi pronarëve të këtyre ndërtimeve në zona turistike që të bëjnë aplikimin. Lehtësirat Pak kohë më parë, Parlamenti miratoi ligjin "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin". Ligji përcakton që të gjitha ndërtimet e kryera në këto zona para 31 dhjetorit 2009 do të përfshihen në proces legalizimi, ku ndërtuesit apo poseduesit e këtyre ndërtimeve do të kenë mundësi, që t'i bëjnë ato përfundimisht prona të tyre, kundrejt blerjes që do t'i bëjnë tokës së përdorur si truall sipas çmimeve të tregut. Por në ligj sanksionohet se poseduesi i ndërtesës do të mund të blejë fillimisht vetëm truallin mbi të cilin është ndërtuar objekti, ndërsa oborri dhe çdo pjesë tjetër si lulishte, rrugët e fshatit turistik do të kalojnë në bashkëpronësi. Çmimi i truallit që i shitet subjektit të interesuar ose personit të stimuluar, do të jetë në proporcion me sipërfaqen e tij në funksion të njësisë së ndërtimit, që ai gëzon. Kur trualli i shitet subjektit të interesuar, çmimi paguhet në masën 80 për qind të vlerës prej subjektit dhe 20 për qind nga personi i stimuluar. Çmimi i truallit që do të paguajnë subjektet e mësipërme, mund të reduktohet në masën 10 për qind, nëse paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim dhe 20 për qind, nëse paguhet brenda një muaji. Ndërkohë që, vetëm pas blerjes së truallit sipas çmimeve të tregut, poseduesi mund të regjistrojë ndërtesën në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Procedura Nga 10 gushti të gjithë pronarët që kanë vila në zonat me përparësi turizmin apo ato që cilësohen ndryshe si fshatra turistike, kanë fituar të drejtën të bëhen pronarë edhe të truallit shtetëror mbi të cilin ata kanë ndërtuar. Në një periudhë prej 60 ditësh, subjektet e interesuara do të paraqesin kërkesën për të fituar tapinë e truallit pranë agjencisë, ndërkohë ALUIZNI ka tërhequr të gjithë dokumentacionin nga Ministria e Turizmit, e cila ka miratuar deri më tani lejet e ndërtimit, qoftë të subjekteve apo dhe individëve që gëzojnë titujt si person i stimuluar. Të drejtën për plotësimin e kësaj kërkese e kanë subjektet e interesuara dhe personat e simuluar. Subjektet e interesuara janë persona fizikë apo juridikë, të cilët gëzojnë njësinë e ndërtuar dhe që kanë kryer një veprim juridik të drejtpërdrejtë ose të rrjedhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar, të ngritur brenda zonës së stimuluar, përpara datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10186, datë 5.11.2009 Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin. Ndërsa personat e stimuluar janë persona fizikë apo juridikë, të cilët kanë lidhur marrëveshje qiraje dhe zhvillimi me qiradhënësin (autoritetin shtetëror) për një veprimtari të stimuluar. Kërkesat për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin e njësisë së ndërtuar shoqërohen nga dokumentacioni financiar që vërteton shlyerjen e tarifës së aplikimit dhe paraqiten pranë Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t, ku regjistrohen. Kërkesa duhet të shoqërohet dhe me një sërë dokumentesh të tjera, të cilat faktojnë njësinë e ndërtuar apo lejet përkatëse për të. Përkatësisht subjektet e interesuara duhet të paraqesin kontratën e lidhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtuar, planimetrinë dhe sipërfaqen e njësisë së ndërtuar, dokumentin e pronësisë për njësinë e ndërtuar (nëse disponojnë) dhe një kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar. Ndërsa personi i stimuluar duhet të paraqesë marrëveshjen e qirasë apo zhvillimit, lejen e ndërtimit për njësinë e ndërtuar, planimetrinë dhe sipërfaqen në m² për njësinë e ndërtuar, dokumentin e pronësisë për njësinë e ndërtuar (nëse disponojnë) dhe kopjen e dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar. Referuar ligjit, vlerësimi është përcaktuar që çmimi i tokave në bregdet të jetë i ndryshëm në bazë të largësisë së truallit nga deti. Sa më afër detit, aq më i shtrenjtë është çmimi i truallit dhe sa më larg detit, aq më i lirë është ky çmim. Pikërisht, këto kritere janë mbajtur parasysh dhe në vendimin 1620 të vitit 2008 në të cilin është përcaktuar harta e çmimit të trojeve. Sipas vendimit të qeverisë, të ardhurat e grumbulluara nga ky proces do t'i bashkëngjiten fondit për dëmshpërblimin e ish-pronarëve. Kanë të drejtë të paraqesin kërkesë: Subjektet e interesuara: persona fizikë apo juridikë, të cilët gëzojnë njësinë e ndërtuar dhe që kanë kryer një veprim juridik të drejtpërdrejtë ose të rrjedhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar, të ngritur brenda zonës së stimuluar, përpara datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10186, datë 5.11.2009 Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin. Personat e stimuluar: persona fizikë apo juridikë, të cilët kanë lidhur marrëveshje qiraje dhe zhvillimi me qiradhënësin (autoritetin shtetëror) për një veprimtari të stimuluar. Dosja Dokumentacioni që paraqitet nga subjekti i interesuar Kontrata e lidhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtuar. Planimetria dhe sipërfaqja e njësisë së ndërtuar. Dokument pronësie për njësinë e ndërtuar (nëse disponojnë). Kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar. Dokumentacioni që paraqitet nga personi i stimuluar Marrëveshja e qirasë apo zhvillimit. Leja e ndërtimit për njësinë e ndërtuar. Planimetria dhe sipërfaqja në m² për njësinë e ndërtuar. Dokumente pronësie për njësinë e ndërtuar, ( nëse disponojnë). Kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar. Çmimet e trojeve Në Vlorë Çmimi maks.: 15 000 lekë/m2 Çmimi min.: 9 000 lekë/m2 Jal 10. 000 lekë m2 Nartë 10.000 lekë/m2 Radhimë 14 000 lekë/m2 Uji i Ftohtë 15 000 lekë/m2 Himarë 3 200 lekë/m2 Orikum 14 00 lekë/m2 Në Durrës Çmimi maks.: 30 000 lekë/m2 Çmimi min.: 3 600 lekë/m2 Bishti i Pallës 7 200 lekë/m2 Porto Romano 5 400 lekë/m2 Vija bregdetare 30 000 lekë/m2 Golem 12 000 lekë/m2 Gjiri i Lalzit 19 000 lekë/m2 Në Pogradec Çmimi maks.: 16 500 lekë/m2 Çmimi min.: 5 000 lekë/m2 Në Shkodër Çmimi maks.: 24 000 lekë/m2 Çmimi min.: 13 429 lekë/m2 Në Tiranë Çmimi maks.: 180 000 lekë/m2 Çmimi min.: 20,473 lekë/m2

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›