E Shtunë, 31 Tetor 2026

PLK kërkon shuarjen e strukturave paralele

Partia Liberale e Kosovës (PLK) e vlerëson hap të qëlluar, ndonëse të vonuar aksionin e ART-së për eliminimin e transmetuesve ilegalë të Serbisë në territorin e Kosovës. Kjo parti ka kërkuar urgjentisht shuarjen e strukturave paralele serbe, të cilat veprojnë që prej pas luftës në pjesën veriore.

Kryetari i PLK-së, Gjergj Dedaj, në një konferencë për gazetarë, ka përshëndetur veprimin e djeshëm të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit dhe ka kërkuar nga institucionet e vendit dhe EULEX-i që të ndalojnë edhe veprimtarinë e strukturave paralele serbe në veri.

Kreu i liberalëve të Kosovës ka përshëndetur fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Vërmicë – Prishtinë - Merdar, duke e vlerësuar këtë projekt me rëndësi kombëtare, si dhe për vetë shtetin e Kosovës.

Për sa i përket padisë së Nait Hasanit ndaj ish-udhëheqësve komunistë të Kosovës, Dedaj ka thënë se respekton punën dhe sakrificën e deputetit Hasani, mirëpo PLK konsideron se duhet të rregullohen ligjet që të merren me krimet e ndryshme, përfshirë edhe ato komuniste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›