PLL, në zgjedhjet e ardhshme koalicion me PD-në

Vlerësojnë punën dhe reformat e qeverisë
TIRANE - Partia Lëvizja e Legalitetit deklaroi dje se, mazhoranca qeverisëse ishte e suksesshme në kryerjen e reformave të rëndësishme në vend. Ekrem Spahia, kryetari i kësaj partie tha gjatë mbledhjes të Këshillit Kombëtar të kësaj partie, se në zgjedhjet e ardhshme do të vijonte bashkëpunimi me koalicionin me PD-në.
Këshilli Kombëtar i PLL vlerësoi frymën e bashkëpunimit që ekziston ndërmjet Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, Partisë Demokratike dhe aleateve të koalicionit qeveritar dhe shprehu nevojën e vazhdueshmërisë së përbashkët në realizimin e programit qeverisës dhe reformave të nisura si dhe sigurimin të një mandati të ri qeverisës në zgjedhjet e ardhshme. PLL shpreh angazhimin e saj të plotë për të kontribuar maksimalisht në këtë fitore.
Partia “Lëvizja e Legalitetit” e konsideroi si të suksesshme punën e qeverisë Berisha, vlerësoi reformat e kryera prej mazhorancës dhe veçanërisht investimet e mëdha ne infrastrukture, luftën kundër korrupsionit, informalitetit dhe përpjekjet për reformimin e sistemit të drejtësisë. Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është një arritje kulmore dhe historike. Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës është një investim madhor, me rëndësi gjeostrategjike, ekonomike e politike, tregues i një përpjekjeje me prirje kombëtare. Ndërsa sulmi i opozitës ndaj qeverisë për këtë investim është një vazhdim i politikes së vjetër antikombëtare.
Spahia duke rikonfirmuar mbështetjen ndaj mazhorancës së djathtë qeverisëse, përsëriti se PLL do të vazhdojë bashkëpunimin me faktorët politikë të së djathtës me të cilët ndajnë pikëpamje të njëjta.
Këshilli Kombëtar i PLL-së u shpreh dje në favor të ligjit “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të të zgjedhurve” dhe hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish- sigurimit të shtetit dhe e konsideron këtë një reflektim të vonuar ndaj kërkesë mbarëshoqërore për pastrim dhe rezolutës së Asamblesë të Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit.
Këshilli Kombëtar i PLL shprehu shqetësimin së dënimi i krimeve të komunizmit nuk mund të kryhet me masa gjysmake që anashkalojnë përgjegjësinë penale të ideatorëve dhe autorëve të gjenocidit komunist.