“Të bësh avokaturën e xhelatëve të diktaturës, do të thotë të mbrosh mizoritë e komunizmit”
Shoqata Kombëtare e të Persekutuarve Politikë “Musine Kokalari”, kërkon miratimin e projektligjit për hapjen e dosjeve
TIRANE - Shoqata Kombëtare e të Persekutuarve Politikë “Musine Kokalari”, ka shprehur indinjatën e saj të thellë ndaj qëndrimit të opozitës shqiptare për projektligjin “Për pastërtinë e figurave zyrtare”, i njohur si projektligji i hapjes së dosjeve, ndërsa ka kërkuar miratimin sa më shpejt të këtij projektligji.
“Është e patolerueshme që në pushtetin gjyqësor të të gjithë niveleve dhe në funksione të larta të pushtetit demokratik shqiptar, të qëndrojnë akoma xhelatët e komunizmit , që kanë torturuar dhe dënuar me mijëra viktima të pafajshëm, si pishtaren e demokracisë, politikanen e parë që hodhi idetë e pluralizmit politik, Musine Kokalari, dhe kanë dënuar me vdekje, poetët e rinj shqiptarë si Havzi Nela, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Xhelal Koprencka e shumë të tjerë. Në asnjë vend të ish bllokut komunist nuk kanë vdekur në burg në kushte mizorie, në një periudhë shumë të shkurtër, tri ministra të arsimit, Mirash Ivanaj, Gjergj Kokoshi dhe Xhevat Korça, apostuj të arsimit shqiptar”, shprehet nëpërmjet një deklarate për shtyp, Agim Musta, Kryetari i Shoqatës Kombëtare të të Persekutuarve Politike “Musine Kokalari”.
Duke denoncuar, opozitën e cila bënë avokaten e diktaturës komuniste, Agim Musta kërkon miratimin në seancën më të parë të këtij projektligji.
“Të bësh avokaturën e xhelatëve të diktaturës komuniste në Shqipëri, nën ‘mbrojtjen hipokrite të të drejtave të njeriut’, do të thotë të vazhdosh të mbrosh krimet mizore të komunizmit, që deri më sot nuk janë denoncuar asnjëherë nga e majta shqiptare. Shoqata Musine Kokalari konstaton, se idetë e hedhura së fundi për konsulencë juridike me ekspertë ndërkombëtare, janë vetëm pretekste për ta shtyrë këtë ligj të rëndësishëm në kalendat greke. Ne kërkojmë me vendosmëri miratimin në seancën më të parë të këtij projektligji të vonuar, nga Parlamenti shqiptar, dhe zbatimin sa më parë të tij me qëllim spastrimin nga xhelatët komuniste, nga çdo funksion i rëndësishëm I institucioneve demokratike shqiptare. Pa dekomunistizimin e shoqërisë dhe të shtetit shqiptar, vendi ynë nuk mund të integrohet në familjen e BE-së”, thekson si domosdoshmëri të miratimit të këtij projektligji, Agim Musta, Kryetari i Shoqatës Kombëtare të të Persekutuarve Politike “Musine Kokalari”.