Kastro Zizo dhe OG, në kërkim të femrës perfekte për një treshe
klotilda harka
Ajo duhet të ketë edhe forma, edhe buzë të trasha, edhe famë, edhe zë… Kanë bërë një listë të gjatë ku shkruhen emrat e të gjitha këngëtareve seksi, më të pëlqyerat në treg. Por ata do të zgjedhin vetëm një, atë më perfekten për klipin e tyre të ri. Klevis Bega do të rikthehet në këtë bashkëpunim me Olgerin, që njihet si OG. Tregon për treshen ekzaltuese që kanë projektuar, pse hoqi dorë nga pjesëmarrja në “Kënga Magjike” me bashkëshorten, dhe antipatinë që ka tani për emrin Kastro.
Klevis çfarë është ky klip i ri?
Në këtë klip jemi shumë herë më të vendosur për t’i thënë gjërat ashtu si duhet. Është një rrymë “hip-hop” e stilit “Black eyed peas”, dhe që u drejtohet në mënyrë direkte disa këngëtareve që janë të afta të prekin mikrofonin, dhe atyre që as duhet të guxojnë t’i afrohen. Klipi që pritet të dalë pas dy javësh në treg, do të realizohet së bashku me Olgerin, i njohur si OG, me të cilin kemi pasur disa bashkëpunime, mes të cilave klipi “Kërmilli i vetmuar”. Kënga do të ketë efektin e duhur për të qenë një “hit”, dhe është realizuar për të thyer pak ritmin e tregut shqiptar të muzikës që publikon klipe ose në verë ose në dimër. Në ndryshim nga klipet e tjera do të jemi shumë seriozë në veshje e look, ndërkohë që jemi duke përzgjedhur femrën perfekte, pasi do të jemi tre…
Pse thua “perfekte”, si duhet të jetë ajo?
Në fakt deri tani kemi bërë një listë të gjatë me disa emra këngëtaresh të njohura dhe shumë sexy, por jemi në kërkim të femrës perfekte dhe natyrisht që do ta gjejmë. Kënga është gati dhe pritet të vendoset për njërën nga këto femrat këngëtare, që duhet të kenë e trup të bukur, fytyrë tërheqëse, të jenë të njohura dhe të kenë zë.
Flasim pak për pjesëmarrjen në “Kënga Magjike”, do ju shohim vërtet në duet me bashkëshorten?
Jo, pasi ndryshoi plani. Vendosëm që nuk do të dalim me Jolën në këtë duet pasi do të ishte më mirë të konkurroja i vetëm, sepse nëse do të interpretonte Jola në atë pjesë që menduam do të ishte një këngë që do të shkaktonte shumë të qara në publik. Bëhet fjalë për një këngë, që bazohet në një periudhë të vështirë të jetës sonë në çift dhe ndaj mund të them që është shumë e ndjerë. Muzika dhe teksti janë shkruar nga Pirro Çako, ndërsa orkestrimi nga Adi Hila. Është krijim me përmasa të mëdha, flet për një copëz të jetës sime, me të cilën do t’i siguroj njerëzit që punët me gruan time janë mirë.
Pra, nuk do të dalësh ndonjëherë në skenë së bashku me Jolën?
Në fakt, jemi duke përgatitur një klip të veçantë, ku flitet për raportet në çift. Kam përshtypjen se publiku do gjejë veten, pasi njerëzit kanë emra të ndryshëm, por historitë janë të njëjta.
Vihet re një dëshirë e jotja për t’iu larguar famëkeqit “Kastro” apo jo?
Po. Eshtë një luftë që u kam shpallur me Kastron, dhe madje mund të them se me këngën që fola më sipër unë do e vras Kastron në familje dhe në shoqëri. Sepse është një figurë, pjellë e kësaj kohe që mbart të këqijat e saj. Kastro ka dalë demode, është koha që të jem Klevis Bega, ashtu siç kam emrin e vërtetë.
Mos do të thuash që nuk do dalësh më me emrin e artit Kastro?
Unë dhe ai jemi në dyluftim, se cili emër do fitojë ajo është në dorën e njerëzve. Ata do të jenë gjykyesit më të mirë se kush do fitojë nga këta të dy.
Po mirë pse kjo fantazi për të përdorur fjalën “vrasës”?
(qesh) Po, sapo jam kthyer nga dy javë xhirime në Çeki për filmin serbo-maqedonas-çek me titull “Pilivesa”, ku kam rolin e një vrasësi serial. Ngjarjet zhvillohen në Ballkan dhe trajtohen çështje të trafikimit të qënieve njerëzore. Punova me qejf dhe pres shumë nga ai film.
Kush ju përzgjodhi për këtë rol, kur dihet që ka shumë aktorë?
Në fakt ishte një sugjerim që regjisorit Dejan Gologiç iu bë nga miku im Aleksander i Maqedonisë, regjisori i njohur i klipeve të momentit. Mendoj që ka pëlqyer tek unë plastikën e më zgjodhi mes shumë aktorëve të huaj gjatë një kinoprove katër ditore.