Edi Paloka nuk harron pasionin e vjetër, në pub i rrethuar me femra
redona sadiku
Ka një karrierë të gjatë në politikë, që atëherë kur ishte pak më shumë se 20 vjeç. Bën pjesë në kategorinë e gazetarëve që u josh nga politika duke mos hequr më dorë prej saj. Edi Paloka është një ndër anëtarët më të vjetër të Partisë Demokratike, që në krijimin e saj si dhe deputet i parlamentit shqiptar në disa legjislatura. Por në ndryshim nga shumë kolegë të tij, të cilët në jetën publike kanë qenë shumë të kujdesshëm, për të na treguar anën “serioze” të burrit me kostum e kollare që bën punë të rëndësishme, Edi Paloka nuk ka ngurruar asnjëherë të përshfaqë edhe anën tjetër të tij, atë njerëzoren dhe të natyrshmen, faktin që jeta e tij nuk fillon dhe mbaron brenda selisë së PD-së apo në sallën e parlamentit. Duke qenë dhe i ri në moshë, ai nuk i mohuar vetes të gjitha hobb-et dhe zbavitjet që e bëjnë të ndjehet mirë. Duke qenë i divorcuar, pra pa detyrimin që mbart një unazë në gisht, ai është parë vazhdimisht në pube dhe lokale nate duke u identifikuar si një qejfli i thekur i këtij stili jete. Nuk kanë munguar edhe partneret e shumta femra me të cilat është parë në krah, ndërkohë që nuk mund ta vinim gishtin se cila mund të ishte e dashura e tij zyrtare. Por pas kaq vitesh jetë beqari dhe pa detyrime familjare, kur tashmë i ka kaluar të 40-at, erdhi momnenti që edhe Edi Paloka të mendojë për atë pjesë të jetës që më tepër se gjithçka tjetër të fal qetësi dhe stabilitet, siç është martesa. Pas një njohjeje relativisht të gjatë dhe frekuentimi të shpeshtë me një vajzë brune, që mesa duket është dhe shumë më e re se ai, Paloka vendosi të bëjë hapin e madh, të martohet. Pak muaj më parë erdhi në jetë edhe fëmija i çiftit, i cili është edhe i dyti për Edi Palokën, pasi nga martesa e parë ka një vajzë e cila tashmë është e rritur. Ndërkohë natyrishëm mund të mendohej që Edi Paloka tani mund të ndryshonte stil jete dhe të linte mënjanë pubet dhe jetën e natës. Por fotot që ne kemi siguruar flasin për të kundërtën. Edhe pse nuk është një natë e zakonshme pubi, por një festë e organizuar me disa aktivistë dhe përkrahës të PD-së tek Sharm Club, Edi nuk i ka rezistuar tundimit që pranë tij të ketë më së shumti femra. Madje ai përveç zbavitjes së natës me pije dhe muzikë, është fotografuar vazhdimisht me dy prej vajzave të cilat janë paraqitur atë natë me një veshje stil kauboj, me kapele të mëdha por me bluza të vogla dhe shumë dekolte. Mbase fotografitë nuk kanë qenë shumë të preferuara për Palokën, por duke qenë një burrë xhentil, nuk mund të refuzonte dëshirën e vajzave të cilat herë pas here kanë bërë edhe shaka me të, duke tentuar t’i mbulojnë fytyrën. Megjithatë bëhet fjalë thjeshtë për një festë dhe natyrisht në të tilla raste zbavitjet dhe shakatë janë mëse të natyrshme.
Edhe pse ka rreth 20 vite në politikë, Paloka nuk ka arritur të ketë një pozicion të rëndësishëm në qeveritë demokratike. Madje edhe kësaj rradhe, ai nuk arriti të marrë një post ministri në qeverinë e re të Berishës. I pyetur për këtë fakt në intervista të mëparshme, vetë Paloka është shprehur se për të është e mjaftueshme që të jetë thjesht pjesë e parlamentit dhe nuk ka patur kurrë ambicje për të qenë ministër. Gjithsesi ai është tashmë një politikan i njohur, me shumë eksperiencë dhe falë moshës së tij, do ketë me siguri kohë për të ngjitur më shumë shkallë në karrierën e tij si politikan.