E Shtunë, 31 Tetor 2026

POETEKA çel siparin e surprizave

POETEKA ka shtuar në listën e shtegtimeve Elbasanin e Krujën

Petrika GROSI
Tashmë ka ardhur koha kur edicioni i katërt i festivalit të poezisë dhe letërsisë POETEKA, nuk mund të quhet shumë larg zhvillimit të tij. Organizatorët tregojnë për gazetën “Albania” se “Festivali Ndërkombëtar POETEKA, falë përvojës së mirë krijuar nga vitet paraardhëse, sivjet do të zhvillohet me mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Gjithashtu, organizatorët zbulojnë për ne edhe disa risi që do të vijnë me zhvillimin e festivalit POETEKA, i cili do të mbahet gjatë muajit shtator. Këtë vit festivali ndërkombëtar i poezisë do t’i shtojë shtegtimeve të saj letrare edhe dy qytete të reja, Elbasanin dhe Krujën, të cilat do të përfshihen në program jo vetëm për këndvështrimin turistik e për vlerat kulturore dhe historike që ofrojnë, por edhe si pjesë e zgjerimit të konceptit të POETEKËS, si një festival i hapur, me disa qendra të cilat ofrojnë një rikthim pozitiv të konceptit “Provincia”, për cilësi të njëjtë kulturore dhe hapje ndaj multicentrizmit. Edicioni i katërt i festivalit POETEKA do të ofrojë për poetët, lexuesit e poezisë dhe pjesëmarrësit në këtë veprimtari një sërë ngjarjesh letrare dhe kulturore në formate të ndryshme, diskutime, tryeza të rrumbullakëta mbi poezinë, pikturën, leximin, performancën. Nuk do të mungojnë as koncertetet, promovimet dhe panairet e librit. Grupi organizator shton se “Përveç elementëve të shumtë të programit dhe zgjerimit të veprimtarive, POETEKA këtë vit do të fillojë promocionin për këtë veprimtari rreth dy muaj para fillimit të festivalit. Kjo do të bëhet përmes kontakteve të drejtpërdrejta dhe shfrytëzimit të faqeve ueb të festivalit, ku kohë pas kohe, për të interesuarit do të publikohen, emrat e të ftuarve, pjesë nga krijimtaria e tyre, si dhe elementë e formate të veprimtarive”.

Pjesëmarrësit dhe Çmimet

Deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në POETEKA IV 22 poetë nga 15 shtete të Europës. Poetët pjesëmarrës do të konkurojnë me krijimtarinë e tyre për katër çmimet që POETEKA ndan çdo vit që janë:
I.Çmimi LIBURNA (për poetin që ka botuar krijimtarinë më të mirë në faqet e revistës POETEKA gjatë vitit 2007-2008)
II.Çmimi NOSITI (për përkthimin e librit me të mirë poetik të vitit nga gjuha e huaj në shqip apo nga shqipja në gjuhë të huaj)
III.Çmimi ONUFRI (për kontributin kritik letrar me të mirë të vitit, esenë për poezinë apo artet e tjera)
IV.Çmimi UNAZA POETEKA (për personalitetin poetik me të spikatur në Festival Poeteka)

Durrësi, qendra e festivalit

POETEKA është një takim i përvitshëm poetësh, shkrimtarësh, përkthyesish dhe eseistësh nga Europa dhe më gjerë, që organizohet nga shoqata Poeteka, në bashkëpunim dhe partneritet me institucione të rëndësishme kulturore dhe sponsorizues të arteve në Shqipëri. Qendra e veprimtarive të Festivalit bëhet qyteti i Durrësit, i cili shndërrohet në një “open city” për poetët dhe poezinë, të cilët do të organizojnë veprimtari të ndryshme lidhur me poezinë dhe librin, por edhe veprimtari të tjera plotësuese, të karakterit njohës që fokusohen në pikat historike, në sitet e shumta arkeologjike, në vendet turistike që ofron bregdeti i Adriatikut.

Këmbimi kulturor

200 shkrimtarë e poetë nga 20 shtete në tri edicionet të POETEKA

Në të tre edicionet e veta, Festivali Poeteka ka ftuar më se 200 poetë dhe shkrimtarë nga 20 shtete dhe ka organizuar mbi 90 veprimtari. Përveç programit artistik, Poeteka ka realizuar edhe një program paralel, të brendshëm me pelegrinazhe në vende me rëndësi të veçantë për poezinë, për traditën shqiptare të shkrimit poetik dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Këto pelegrinazhe kanë tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve të Festivalit, për qendrat kulturore në Tiranë - Fakulteti Filologjik, Kështjella e Prezës, Galeria Zenit, Qendra e Leximeve të Përditshme, Friends Book House, Galeria Kombëtare e Arteve, Piramida etj, por edhe Kështjellën e Beratit, Muzeun Onufri, Kantinën e Verës Çobo - Berat, Parkun dhe Muzeun arkeologjik në Apoloni, Kështjellën Rozafa dhe Universitetin në Shkodër dhe në 12 pika të rëndësishme kulturore dhe arkeologjike të qytetit të Durrësit.

Fituesit e trofeut “Unaza POETEKA”

Sibila Petlevski (Kroaci, 2005)
Maria Lusia Spaziani (Itali, 2006)
Jevrem Brkoviç (Mali i Zi, 2007)

1 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›