E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndizen gjakrat në Parlamentin e Kosovës, shkarkohet deputeti i LDK-së

Pas incidentit, kryeministri Thaçi shkarkoi zëvendësministrin Osmani

Blerina Olldashi

Parlamenti i Kosovës është përballur dje me një debat të ashpër mes Ministrit të Transportit, Fatmir Limaj dhe zëvendës ministrit të Industrisë dhe Tregtisë, Naser Osmani i Partisë Lidhja Demokratike e Kosovës i cili menjëherë pas këtij incidenti është shkarkuar nga kryeministri Hashim Thaçi. Agjencitë kosovare të lajmeve bënë të ditur se gjithçka ndodhi pasi Limaj mori fjalën në emër të qeverisë dhe pas kësaj ka reaguar deputeti i LDK-së Naser Osmani. Një pjesë e seancës së Kuvendit të Kosovës kaloi deri në fyerje dhe ofendime ndërmjet Ministrit të Transportit, Fatmir Limaj dhe deputetit nga radhët e LDK-së Naser Osmani, i cili reagoi pasi Limaj në mungesë të zv.kryeministrit mori fjalën në emër të qeverisë. Replikat e ashpra ndërmjet deputetit Osmani dhe ministrit Limaj detyruan kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi të ndërpriste punimet e seancës. Mosmarrëveshjet ndërmjet ministrit Limaj dhe zv/ministrit Osmani erdhën në kohën kur kërkesa e Qeverisë, për emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit nuk mori mbështetjen e partnerit në koalicion të LDK-së dhe për këtë arsye kjo pikë e rendit të ditës së djeshme, së bashku me dy pika të tjera, përfshirë Raportin vjetor të punës së Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2007 dhe Shqyrtimi i Raportit të punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2007, u tërhoqën nga rendi i ditës. Përplasja ndërmjet Limajt dhe Osmanit ndodhi në kohën kur ministri Limaj në emër të ekzekutivit të vendit deshi të arsyetonte kërkesën për emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, por është kundërshtuar nga ana e deputetit Osmani, i cili u shpreh se Limaj “nuk kishte të drejtë të fliste në emër të qeverisë”. Deklarata e tij ka vazhduar edhe me fjalë fyese ndaj qeverisë aktuale ku më pas ministri Limaj i është kundërpërgjigjur Osmanit se për këtë çështje do të merreshin vesh pas seancës që po zhvillohej. Pas replikave të ashpra, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, mori vendim ndërprerjen e seancën për 15 minuta. Pas shkarkimit të Osmanit, nga ana e qeverisë nuk u bë deklarata zyrtare.

Nis shënimi i kufirit Kosovë - Maqedoni, pika e parë në Sherupa

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën i përbërë nga 15 vende që kanë njohur pavarësinë e saj, pas takimit të djeshëm në Prishtinë bëri të ditur fillimin e punës fizike për shënimin e demarkacionit kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë. Fillimi i punës për shënimin e vijës kufitare mes dy vendeve u vlerësua si tejet i rëndësishëm nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Piter Feith.
Ndërsa presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu është shprehur se vija kufitare mes Kosovës e Maqedonisë është një mollë sherri e lënë qëllimisht nga Serbia. Pika e parë kufitare është vendosur në vendin Sherupa, në Malin Sharr, afër 2.100 metra lartësi mbidetare, në prani të përfaqësuesve të autoriteteve maqedonase dhe kosovare, si dhe të Ambasadës së Shqipërisë në Shkup dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Shënimi i kufirit bëhet sipas Marrëveshjes për shënim dhe shtrirje të kufirit shtetëror që Maqedonia në vitin 2001 firmosi me ish-Republikat e Jugosllavisë dhe në pajtim me planin e ndërmjetësuesit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. Brezi kufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës është me gjatësi të përgjithshme prej 150 kilometrash. Sipas paralajmërimeve, për shkak të konfiguracionit specifik të terrenit dhe shtrirjes së vijës kufitare nëpër shpatin e Sharrit, demarkacioni do të zhvillohet në mënyrë të shpejtuar gjatë periudhës verore.

Maqedoni, BE-ja vendos emrin si kusht për fillimin e negociatave

Ambasadorët e Sllovenisë dhe Francës kanë deklaruar se përmbushja e kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Europian si dhe zgjidhja e çështjes së emrit janë kushtet për fillimin e negociatave të Maqedonisë për anëtarësimin në BE. Këto ishin porositë që dhanë ambasadori slloven Alen Begrant dhe ambasadori francez Bernardo Valero, konferencën me titull “Shqyrtimi i kryesimit slloven të BE-së dhe prezantimi i prioriteteve të kryesimit francez të radhës” e cila u mbajt në Shkup. Në këtë konferencë të njëjtin vlerësim dhanë edhe euroambasadori në Maqedoni, Ervan Fuere dhe drejtoresha për BE-në në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Agnesa Rusi.

Rexhepi në Mitrovicë: “Kuvendi serb është ilegal”

Kuvendi serb në Mitrovicë është ilegal ashtu si edhe zgjedhjet e mbajtura në maj nga ku dolën fituesit e këtyre zgjedhjeve. Kështu është shprehur kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi gjatë një takimi të komitetit të sigurisë së Mitrovicës. “Ne si Kuvend Komunal vlerësojmë se krijimi i një kuvendi të tillë nga serbët është ilegal ashtu siç kanë qenë edhe zgjedhjet që janë mbajtur në maj si dhe vetë fituesit që kanë dalë prej atyre zgjedhjeve”, - tha Rexhepi. Sipas tij, kuvendi serb nuk ka as vlerë juridike dhe kundërshtohet dhe nga një pjesë e konsiderueshme e banorëve serbë në Kosovë. ”Kuvendi i formuar prej vetëm dy partive nuk ka kurrfarë legjitimiteti dhe kundërshtohet edhe nga një pjesë e konsiderueshme e vetë liderëve dhe banorëve serbë në Kosovë, çka tregon se një pjesë e tyre ka filluar ta kuptojë realitetin e ri”- tha Rexhepi i cili ka reaguar edhe ndaj zyrtarëve të UNMIK-ut në Mitrovicë, konkretisht ndaj zëdhënësit George Kakuk, i cili në prononcimet e tij për median lidhur me Kuvendin e Komunave Serbe nuk ka shprehur një qëndrim të qartë lidhur më këtë çështje, edhe pse shumë më parë krerët e UNMIK-ut janë shprehur se strukturat e dala nga zgjedhjet e kontestuara të majit janë ilegale.

Rumania mbështet perspektivën europiane të Kosovës

Rumania, një nga vendet anëtare të Bashkimit Europian që nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka dalë me një qëndrim më të moderuar, jo drejt njohjes së shtetit të ri, por të paktën nuk do të bëhet pengesë e zhvillimeve brenda realitetit kosovar. Kjo deklaratë erdhi nga ministri i punëve të jashtme të Rumanisë Lazar Comanesku, në Tiranë i cili me këtë rast përkrahu perspektivën europiane të Kosovës. “Pozicionin tonë për Kosovën ju e njihni shumë mirë, por nëse shikoni konkluzionet e mbledhjes së fundit të Këshillit Europian, atje kishte referenca të qarta në lidhje me Kosovën dhe për faktin e marrëveshjes mes UNMIK-ut dhe BE-së për vendosjen e EULEX-it. Të gjitha këto sinjale që përfaqësojnë angazhimin e BE-së për këtë vend. Në fund të fundit, kjo është thelbësore”,-është shprehur Comanesku. Ndërkohë ministri Basha, i pyetur për struktuarat paralele të ngritura nga serbët në Mitrovicë u shpreh se ato nuk janë legjitime.

1 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›