Franca merr sot kryesinë e radhës së Bashkimit Europian
Franca merr përsipër kryesinë e radhës së BE-së me prioritetet kryesore mbrojtjen e klimës, politikën agrare, politikën ndaj të huajve dhe mbrojtjen. Sfida kryesore megjithatë mbetet kriza aktuale rreth ratifikimit të Marrëveshjes për reformat në BE.
Presidenti Nikola Sarkozi do të prezantojë në tetor një plan të ri të prioriteteve, pas jo-së irlandeze në referendum. Përsëritja e referendumit është e mundur të zhvillohet në pranverë të vitit të ardhshëm. “Për të vazhduar procesin e zgjerimit të BE-së, kemi nevojë për Marrëveshjen e Lisbonës. Në të kundërt edhe më tej do të veprohet sipas Marrëveshjes së Nicës. Franca është e mendimit se shtetet ballkanike mund të pranohen në BE, vetëm pas futjes në fuqi të Marrëveshjes. Ata që angazhohen për zgjerimin e BE-së, duhet ta dinë se të domosdoshme janë institucione të reja”,-është shprehur Sarkozi. Francezët duan që të vazhdojë ratifikimi i Marrëveshjes, por duan që me tërë fuqinë të angazhohen edhe për prioritetet si emigrantët, klima dhe forcimi i politikës së mbrojtjes. Franca është e interesuar edhe për zvogëlimin e tatimeve për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Ky drejtim është konsideruar si tejet i rëndësishëm nga kryeministri Fransua Fijo. “Për ne është vendimtare që të kuptojmë mesazhin e dërguar nga Irlanda. Ata na thonë: Më pak debate për institucionet dhe më shumë zgjidhje të problemeve konkrete, të rëndësishme për Europën. Këto duhet të jenë edhe prioritetet e presidencës franceze”, - është shprehur Fijo.
1 Korrik 2008