E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD, gjyqtarët që u ndëshkuan nga tre ish-presidentët

Më dorështrënguari, Rexhep Meidani, me 56 të ndëshkuar

Laureta Rryçi

Tiranë - Kurba e ndëshkimeve të gjyqtarëve nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë që në ditët e para të ekzistencës e deri sot ka njohur ulje-ngritje. Shifrat tregojnë se ndikim te mekanizmi i vetëm ndëshkues për togat e zeza kanë pasur jo vetëm anëtarët, por edhe drejtuesit e tij, që për shkak të detyrës Kushtetuta do ta përcaktonte të ishte presidenti i vendit. Gjatë këtyre viteve, në drejtim të KLD-së kanë qenë tre ish-presidentë, Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe së fundi presidenti aktual Bamir Topi. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm jo vetëm të gjithë anëtarët që kanë qenë pjesë e KLD-së ndër vite, por edhe vendimet ndëshkuese që janë dhënë për gjyqtarët. Duket se KLD-ja ka qenë më e rreptë me togat e zeza, duke ndëshkuar 56 prej tyre, kur drejtuesi i saj ishte ish-presidenti Rexhep Meidani. Më pas shifrat përcaktojnë se edhe Moisiu nuk ka qenë dhe aq dorëlëshuar me emra apo poste gjyqtarësh, duke sjellë një rokadë ndryshimi prej 32 personash brenda shkallëve të Gjyqësorit. Ndërsa më tolerancë ka pasur në vitet e para të formësimit të këtij institucioni, atëherë kur në krye ishte ish-presidenti Sali Berisha. Sipas shifrave, në atë kohë kanë marrë masë ndëshkuese dhjetë gjyqtarë.
Fillesat
Fillesat e institucionit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë e kanë zanafillën në ndryshimet demokratike të pas viteve ’90. Ndryshimi i sistemit u shoqërua me një sërë reformash të ndërmarra gjatë këtyre viteve, me qëllim sigurimin dhe forcimin e pavarësisë së Gjyqësorit në Shqipëri. Këshilli i Lartë i Drejtësisë u krijua për herë të parë në vitin 1992, si rezultat i ndryshimit që iu bë Ligjit Nr. 7491, datë 29.04.1991, “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, në të cilin parashikohej krijimi i një autoriteti përgjegjës në sistemin e drejtësisë, me kompetenca kryesisht në emërimin, lëvizjen dhe përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mënyra e funksionimit dhe ushtrimit të funksioneve, përmes autorizimit legjislativ, i lihej në kompetencë vetë Këshillit nëpërmjet miratimit të rregullores së tij. Që nga prilli i vitit 1992, kur u krijua fillimisht, deri në nëntor 1998, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, si institucion, veproi vetëm në bazë të dispozitave kushtetuese dhe të disa rregullave të brendshme. Këshilli i kësaj periudhe kryesohej nga Presidenti i Republikës dhe përbëhej nga kryetari
i Gjykatës së Kasacionit, ministri i Drejtësisë, prokurori i Përgjithshëm dhe nga 9 juristë të njohur për aftësitë e tyre, nga të cilët: 3 anëtarë vinin nga radhët e gjyqtarëve, 2 anëtarë
nga radhët e prokurorëve dhe 4 anëtarët që zgjidheshin nga Kuvendi Popullor duhet të ishin, dy nga radhët e avokatëve, një prej Profesoratit të Drejtësisë dhe një prej radhëve të gjyqtarëve. Mandati i ushtrimit të këtij funksioni ishte 5 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme.
Ndryshimet
Në vitin 1997, me ligj të veçantë, u përcaktua procedura e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për ushtrimin efektiv të kompetencave në mbështetje të Këshillit u ngrit struktura e Inspektoratit të Këshillit. Ai përbëhej nga kryeinspektori, zëvendëskryeinspektori, 4 inspektorë gjyqësorë, dy inspektorë prokurorë dhe 7 punonjës të administratës. Për organizimin e mbledhjeve dhe veprime të tjera administrative të nevojshme, Këshilli mbështetej gjithashtu nga administrata e Kabinetit të Presidentit të Republikës. Viti 1998 do të sillte ndryshime rrënjësore në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të
Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Me miratimin e Kushtetutës së Shqipërisë, në kapitullin IX, sanksionohet krijimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si një institucion i pavarur kushtetues. Në ndryshim nga rregullimi i mëparshëm, tashmë kompetencat e Këshillit do të shtriheshin vetëm në fushën e gjyqësorit. Ai është konceptuar si një institucion që mbikëqyr, kontrollon dhe mbron gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit, si një organ
kushtetues me funksione për propozimin për emërimin, transferimin, vlerësimin profesional dhe etik të tyre, verifikimin e ankesave, shkarkimin dhe marrjen e masave të tjera disiplinore ndaj tyre. Edhe struktura e Këshillit tashmë do të pësonte ndryshime. Në nenin 147 të Kushtetutës, shprehimisht thuhet se Këshilli përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët: tre anëtarë për shkak të detyrës (ex-officio), Presidenti i Republikës që është dhe kryetari i këtij Këshilli, kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë; tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, si dhe 9 anëtarë të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Paragrafi 3 i këtij neni parashikon se Këshilli, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e veta një zëvendëskryetar.
Krijimi i administratës
Deri në vitin 2003, Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhej vetëm nga anëtarët dhe Inspektorati. Në këtë periudhë, zyra e Presidentit të Republikës, i cili është dhe kryetari për shkak të detyrës (ex-officio) i Këshillit, kryente disa shërbime
administrative të nevojshme për funksionimin e mbledhjeve të Këshillit. Pas emërimit të zëvendëskryetarit me kohë të plotë, gjatë viteve 2003 dhe 2004, me gjithë mangësitë apo vakuumet në ligj lidhur me parimet dhe standardet që duhen mbajtur parasysh dhe implementuar në krijimin, organizimin dhe funksionimin e administratës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke mbajtur në konsideratë parimet e përgjithshme dhe qëllimin e mirë, është bërë i mundur strukturimi aktual i administratës dhe punësimi i pjesës më të madhe të stafit. Organigrama aktuale e institucionit mbështetet në Vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 160/2, datë 26 korrik 2004. Përsa i përket strukturës së brendshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga: Inspektorati, Drejtoria e Organizimit të Mbledhjeve, Drejtoria e Karrierës dhe e Vlerësimit, Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun dhe e Studimeve, si dhe Drejtoria e Administratës dhe Financës. Administrata është realisht e re po të kihet parasysh koha e krijimit të saj dhe po kalon nga faza e krijimit drejt
konsolidimit dhe përmbushjes së rolit të saj në mbështetjen që ajo ofron për Këshillin në fushën administrative dhe atë të logjistikës.

Box
Mandatet e presidentëve

Sali Berisha, 9 prill 1992 – 3 mars 1997
Janë ndëshkuar 10 gjyqtarë

Rexhep Meidani, 24 korrik 1997 – 24 korrik 2002
Janë ndëshkuar 56 gjyqtarë

Alfred Moisiu, 24 korrik 2002 – 24 korrik 2007
Janë ndëshkuar 32 gjyqtarë

Bamir Topi, 24 korrik 2007 – në vazhdim
Janë ndëshkuar 3 gjyqtarë

Box
Emërime të gjyqtarëve në gjykatat e shkallës së parë për periudhën 2002-2007

Viti Emërime Burimi
2002 11 11 nga Shkolla e Magjistraturës;
2003 20 13 nga Shkolla e Magjistraturës;
6 transferime nga gjykata të tjera; 1 Ministria e Drejtësisë;
2004 20 13 nga Shkolla e Magjistraturës; 4 transferime nga gjykata të tjera; 2 nga struktura të gjyqësorit (kancelarë gjykate) dhe 1 nga Ministria e Drejtësisë;
2005 14 12 nga Shkolla e Magjistraturës; 2 transferime nga gjykata të tjera;
2006 12 10 nga Shkolla e Magjistraturës; 2 transferime nga gjykata të tjera;
2007 1 10 nga Shkolla e Magjistraturës; 1 Noter.

Emërime të gjyqtarëve në gjykatat e apelit për periudhën 2002-2007
Viti Emërime Burimi
2003 11 9 transferime nga gjykata të tjera; 2 nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë;
2004 9 8 transferime nga gjykata të tjera; 1 nga Prokuroria e Përgjithshme;
2005 3 3 transferime nga gjykata të tjera;
2006 6 6 transferime nga gjykata të tjera;
2007 3 2 nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe 1 transferim nga gjykatë tjetër.

Anëtarë aktualë
1. Bamir Topi, President i Republikës dhe Kryetar për shkak të detyrës
2. Kreshnik Spahiu, Zëvendëskryetar
3. Thimjo Kondi, Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe Anëtar për shkak të detyrës
4. Enkeled Alibeaj, Ministër i Drejtësisë dhe Anëtar për shkak të detyrës
5. Shklëqim Miri, anëtar
6. Dhurata Haveri, « -
7. Guxim Zenelaj, « -
8. Edmond Islamaj - « -
9. Admir Thanza - « -
10. Besim Trezhnjeva - « -
11. Armando Subashi - « -
12. Hysni Demiraj - « -
13. Artan Gjermeni - « -
14. Altina Xhoxhaj - « -
15. Kreshnik Spahiu - « -

Presidentë të Republikës dhe Kryetarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë
(Kryetarë për shkak të detyrës)
Sali Berisha
Rexhep Meidani
Alfred Moisiu
Bamir Topi

Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në periudhën 1997-2002 ka qenë Zoti Thimjo Kondi, i cili në vitet 1997-1999 ka qenë ministër i Drejtësisë dhe më pas kryetar i Gjykatës së Lartë. Këtë funksion ai e mbajti deri kur filloi të funksionojë Ligji Nr. 8811, datë 17.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” që parashikonte se zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të
ishte funksionar me kohë të plotë.

Kryetarë të Gjykatës së Lartë (Anëtarë për shkak të detyrës)
Nuro Hoti
Zef Brozi
Avni Shehu
Ministra të Drejtësisë (Anëtarë për shkak të detyrës).
Kudret Çela
Hektor Frashëri
Kristofor Peçi
Spartak Ngjela
Thimjo Kondi
Ilir Panda
Arben Imami
Sokol Nako
Spiro Peçi
Fatmir Xhafaj
Aldo Bumçi

Prokurorë të Përgjithshëm, deri në nëntor 1998, kur hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Maksim Haxhia
Alush Dragoshi
Arben Rakipi

Anëtarë të cilëve u ka mbaruar mandati dhe që kanë qenë të tillë pasi Këshilli trajtonte vetëm gjyqtarët (1998 - ….)
Dashamir Kore
Petrit Plloçi
Natasha Sheshi
Përparim Sanxhaku
Valentina Hoxha
Martin Deda
Muharrem Kushe
Musa Halili
Dalip Bushi
Vangjel Kallço
Pajtim Hoxha
Besnik Ymeraj
Rrahman Qinami
Shpresa Beçaj
Sokol Çomo
Ardian Nuni
Anëtarë të zgjedhur nga institucione të ndryshme prej vitit 1992
Agim Shkupi
Vladimir Kristo
Skënder Breca
Leonora Halili
Prel Martini
Agim Bendo
Qazim Gjonaj
Vexhi Muçmata
Edison heba
Petrit Duka
Skënder Demiri
Kryeinspektorë
Urim Bejleri
Dhimitër Prifti
Edmond Islamaj
Ilir Toska

1 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›