KIEV – Zelensky i kërkon Trumpit një qëndrim të qartë për t’i dhënë fund luftës

KIEV, 16 shtator /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar homologut të tij amerikan, Donald Trumpit një qëndrim të qartë për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.
Në një intervistë me Sky News, Zelensky theksoi nevojën për hapa vendimtarë nga udhëheqësi amerikan për të frikësuar Vladimir Putinin duke filluar me sanksione të reja kundër Rusisë, ndërsa përsëriti gjithashtu kërkesën e tij për garanci sigurie për Kievin.
Ai shprehu gjithashtu shpresën se kryeministri britanik Keir Starmer mund ta diskutojë këtë pikë të fundit me Trumpin, i cili mbërrin sot në Mbretërinë e Bashkuar për vizitën e tij të dytë shtetërore në vend.
“Unë besoj se Shtetet e Bashkuara janë mjaft të forta për të marrë vendime vetë”, tha Zelensky duke iu referuar kërkesës së fundit të presidentit amerikan drejtuar vendeve të NATO-s për të braktisur naftën ruse si kusht për sanksione të mëtejshme të SHBA-së kundër Moskës.
“Evropa ka prezantuar tashmë 18 paketa sanksionesh kundër Rusisë. Dhe tani e tëra që mungon është një paketë më e fortë sanksionesh nga Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas deklaroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mund ta furnizojnë Kievin me sisteme të mbrojtjes ajrore në sasi të mjaftueshme.
Për më tepër, Zelensky beson se Putini po u bën presion vendeve evropiane përmes shkeljeve të hapësirës ajrore për të testuar gatishmërinë e NATO-s dhe, në të njëjtën kohë, për t’i dekurajuar ato nga furnizimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore në Kiev, nën kërcënimin se ato do të përdoren për të mbrojtur vendet e tyre./ a.jor.