E Shtunë, 31 Tetor 2026

PPE, Berishws: Lobim për vizat dhe Shqipërinë në BE



Vjenë, Berisha kërkon mbështetjen e PPE-ve

Kryeministri, takime me personalitete të larta evropiane

Partitë Popullore Evropiane do të jenë një mbështetje e fortë e shqiptarëve në procesin e heqjes së vizave dhe anëtarësimin e plotë në BE. PPE-të do të lobojnë që shqiptarët të bëhen shumë shpejt pjesë e familjes së madhe evropiane. Gjatë qëndrimit në Vjenë të Austrisë, Kryeministri Sali Berisha kërkoi ndihmën e grupit të Partive Popullore Evropiane për procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, si dhe për nxitjen dhe suportin në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Z. Berisha u takua me presidentin e PPE-ve, z. Jerzy Buzek, i cili vlerësoi reformat e suksesshme të qeverisë së drejtuar prej tyre gjatë 5 viteve të fundit. Kryeministri Berisha ishte i ftuar në tavolinën e nderit të darkës zyrtare, ku ndodhej i ulur pranë me Presidentin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, me të cilin pati rastin për të diskutuar gjerësisht dhe për ta njohur me zhvillimet e rëndësishme në Shqipëri, me realizimin dhe arritjet e reformave në fushën ekonomike, politike dhe sociale në vend, me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të plotësuar me prioritet të gjitha standardet dhe kërkesat për liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria. Z. Buzek shprehu vlerësimet e tij të larta për arritjet dhe sukseset që kishte bërë të mundur qeveria shqiptare në këto vitet e fundit, në implementimin e reformave themelore për integrimin dhe zhvillimin e vendit. Ai i shprehu urimet e tij më të sinqerta Kryeministrit Berisha për rizgjedhjen e tij në këtë post, si dhe pranoi me kënaqësi ftesën që Kryeministri Berisha i drejtoi z. Buzek për të vizituar Shqipërinë. Kryeministri Berisha gjatë vizitës 1-ditore në Austri, ku referoi në konferencën “Bota në vitin 2025”, zhvilloi një sërë takimesh me personalitete evropiane, si dhe ishte i ftuar nderi në darkën zyrtare, ku morën pjesë personalitetet më të shquara. Kështu Kryeministri Berisha zhvilloi një takim të përzemërt me z. Joseph Daul, kryetari i grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, i cili përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet e qeverisë shqiptare në implementimin e reformave themelore për integrimin e vendit dhe vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend. Kryeministri Berisha e njohu z. Daul me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare drejt përmbushjes së standardeve dhe kritereve të nevojshme për integrimin e vendit në BE, si dhe me vlerësimet e rëndësishme të Komisionit Evropian në Progres-Raportin për Shqipërinë gjatë vitit 2009, i cili në vizionin e Kryeministrit Berisha do të shërbejë si një road-map për qeverinë shqiptare në procesin e integrimit evropian. Gjithashtu, Kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë rast për të kërkuar mbështetjen e grupit të Partive Popullore Evropiane për procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, si dhe për nxitjen dhe suportin në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kriza ekonomike, Berisha: Sekreti im, qeveria e vogël

Nëse bota perëndimore përballet me një krizë ekonomike, Shqipëria i ka bërë ballë më së miri, falë sekretit të Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, duke kursyer arkën e shtetit. Kreu i qeverisë, Berisha, mori pjesë në konferencën “Bota në vitin 2025” mbajtur në Vjenë. Në fjalën e tij, drejtuar politikanëve të lartë evropianë, pjesëmarrës në këtë konferencë, ai paraqiti një tablo të zhvillimeve të Shqipërisë gjatë viteve të fundit, në përpjekje për të realizuar standardet për liberalizimin e vizave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Berisha vuri theksin tek kursimi shtetëror që po shtrihet dhe në pjesën tjetër të Evropës. “Administrata ime është zvogëluar dhe sot mund të them se Shqipëria ka gjysmën e administratës së Maqedonisë”, - tha Berisha, duke ilustruar me faktin se jemi vend dy herë më i madh nga ai fqinj, por me administratë dy herë më të vogël. “Qeveria e vogël funksionon, qeveria në dietë jep rezultat”, - theksoi Berisha dhe vazhdoi: “Lufta kundër korrupsionit është vendimtare, por penalizmi i atyre që bëjnë korrupsionin është thelbësor. Për këtë arsye, qindra zyrtarë në Shqipëri janë dënuar për korrupsion. Dhe ky progres është pasqyruar edhe në shkallën e renditjes së vendeve me korrupsion”. Në vijim, Berisha evidentoi se “këtë vit ne kemi shënuar arritje të mëdha. Këtë vit ne zhvilluam zgjedhjet më të mira me teknologjinë më të lartë si listat elektronike të votuesve, gjendjen civile të dixhitalizuar, procesin e numërimit të votave që u filmua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ne siguruam procesin më transparent”. Më tej Berisha premtoi se “unë mbetem shumë i angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe do të bëjmë çdo përpjekje kundër tij”. Këtu ai përmendi: “Ne e nxorëm administratën publike nga konflikti i interesit. Ne gjithashtu morëm masa për të mos lejuar përdorimin e parave publike për qëllime të tjera private. Dhe falë kësaj, qeveria ime ka arritur të shkurtojë shpenzimet operative me rreth 5% të PPB-së”. Kryeministri tregoi edhe punën për të shkurtuar procedurat: “Në vendin tim funksionon e-customs. Në Shqipëri nuk përdoret më asnjë lloj prokure përveç prokurimeve elektronike. Privatizimi është një rrugë e mirë për të luftuar korrupsionin”. Në vazhdim, Berisha theksoi faktin se “integrimi i Shqipërisë është për vendin tim, brezin tim dhe gjithë jetën time qëllimi më i madh” dhe shtoi se është një koincidencë e bukur që ky takim ndodh në 20-vjetorin e rënies së murit të Berlinit. Kryeministri ynë kujtoi se kjo ishte ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore. Kurse plotësoi, duke thënë se është momenti i hapjes së dyerve për zgjerimin e BE-së dhe shpresat për t’u bërë anëtar i një organizate më të madhe. Ndaj Berisha lajmëroi se “procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm për mua dhe qeverinë time”. “Ky është në të vërtetë udhërrëfyesi i vërtetë për procesin e reformave. Fatmirësisht mbështetja për integrimin në BE në vendin tim është 95%. Ky mbetet akoma projekti ëndërr i Shqipërisë. Dhe për mua është një avantazh i madh, një mundësi për të bërë më të mirën e mundshme”, - tha Berisha. “Integrimi në BE dhe integrimi në NATO është për të gjithë rajonin forca drejtuese që do ta ndryshojë rrymën në drejtim tjetër nga konfliktet apo luftërat civile dhe drejt bashkëpunimit, miqësisë dhe një të ardhmeje të përbashkët”, - ka vlerësuar Berisha. Në këtë kontekst, ai tha se Deklarata e Selanikut në samitin e BE-së ishte me një rëndësi themelore, sepse i jepte një perspektive evropiane vendeve ballkanike. “Dhe kjo perspektivë për vendin tim dhe rajonin po shkon përpara. Dy ditë më parë Komisioni Evropian publikoi progres-raportin mbi rajonin dhe vendin tim. Raporti përmbante një lajm shumë të mirë për Kroacinë dhe falë progresit të bërë, Kroacia merr premtimin të bëhet një anëtar i plotë në 2010-ën”, - tha Kryeministri. Për Berishën, ky është një lajm i mirë edhe për të gjithë rajonin e gjithashtu, është premtuar hapja e bisedimeve për një marrëveshje hyrëse me Maqedoninë. Ndërkohë, Shqipëria është në pritje, pasi ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE. “Pra, të gjitha vendet tona po punojnë drejt një të ardhmeje të përbashkët. Unë shpresoj që ky proces do të jetë i favorshëm për ne”, - konkludoi Berisha.

Marrëveshja, Kosovë-Maqedoni, Berisha: Kontribut për paqen

Qeveria shqiptare përshëndeti dje përmes zëdhënëses Majlinda Bregu marrëveshjen për përcaktimin e kufirit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, si një akt historik në marrëdhëniet midis dy vendeve mike në rajon dhe si një kontribut shumë të rëndësishëm për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë bashkohet me deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët, z. Havier Solana, i cili përgëzon në mënyrë të ngrohtë autoritetet e dy vendeve për arritjen e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme si një shenjë pjekurie, përgjegjësie dhe respekti reciprok. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se arritja e kësaj marrëveshjeje është një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe një dëshmi e qartë e vullnetit të të dyja vendeve për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe të fqinjësisë së mirë, për një të ardhme të përbashkët evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›