E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS-së, akuza Ramës: Po e rrënon partinë

Blushi e Manjani: PS rrezikon daljen jashtë sistemit

Rama vendos, bojkot zgjedhjeve të 15 nëntorit

Anëtarësia e Asamblesë së PS-së i kundërvihet Edi Rama, humbësit të 28 qershorit, duke e akuzuar atë se po shkatërron PS-në, duke zgjedhur rrugën e gabuar të bojkotit. Rama mblodhi dje asamblenë e partisë, por ai u vu përballë akuzave të një pjese të anëtarësisë për vendime krejtësisht subjektive dhe të gabuara, të cilat po e çojnë në rrënim partinë më të madhe të opozitës. Punimet e Asamblesë së Partisë Socialiste janë shoqëruar me debate lidhur me vendimin për bojkot të zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit. Mësohet se janë vënë re debate e replika mes Gramoz Ruçit e Ylli Manjanit. Ky i fundit ka theksuar bindjen e tij se pjesëmarrja në zgjedhje është e nevojshme, duke shtuar se nisma e PS-së për të mbledhur 20 mijë firma për të kërkuar hetim parlamentar të zgjedhjeve, sipas tij, është paraparë për organizatat politike që nuk kanë potencë në Parlament. Për Ben Blushin, mospjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme lëkund të gjithë besimin e elektoratit socialist. Ben Blushi, zëri ndryshe në parti, deklaroi se PS-ja rrezikon të dalë jashtë sistemit, duke qëndruar statike në pozicionin e saj të bojkotit. "PS-ja po tërhiqet nga të gjitha pozicionet e saj dhe rrezikon që të bojkotojë edhe zgjedhjet e ardhshme lokale, pasi me shumë gjasa kutitë nuk do të hapen. Unë i mbetem detyrimit që një parti duhet të hyjë në zgjedhje. Partia Socialiste do ta humbë durimin duke qëndruar jashtë Parlamentit dhe arsyet për të qenë të pranishëm në Kuvend do të jenë shumë më të mëdha", - siguroi z. Blushi. Deputeti socialist shpreson që nga presioni brenda PS-së, kjo forcë politike të shkojë në sallën e Parlamentit. Sipas tij, PS duhet të shkojë në Kuvend, pasi shanset për të bërë shumicë atje, kanë ekzistuar gjithnjë. Blushi lajmëroi se ishte marrë vendim definitiv për të ndalur PS-në që të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore në disa bashki dhe komuna të vendit. Blushi komentoi faktin pse ai është shprehur kundër vendimit për bojkotimin e zgjedhjeve të pjesshme nga PS-ja. “Unë jam kundër bojkotit të partisë, sepse ai është i paarsyetuar. Ajo që po bëjmë ne, duke mos marrë pjesë në këto zgjedhje, nuk është gjë tjetër, veçse po i falim qeverisë pesë njësi vendore”, - tha Blushi. Gjithsesi, Blushi pohoi se në ditët apo javët në vazhdim, do të ketë një shtrëngim të socialistëve për të hyrë në Parlament. Sipas Blushit, kjo do të bëhet në një periudhë të mëvonshme, por jo të largët, kur Partia Socialiste sipas tij, nisur nga presioni ndërkombëtar dhe rrethanat e tjera, do të bëhet pjesë e Parlamentit shqiptar. Kundrejt kësaj, Asambleja e PS-së zyrtarizoi dje vendimin e marrë në kryesinë e ditës së martë, për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit. Në fjalën e hapjes, e vetmja pjesë ku mediat kishin akses për të qenë prezente, kryesocialisti ripërsëriti qëndrimin për të vijuar në rrugën e bojkotit parlamentar dhe protestave popullore që do të përshkallëzohen, nëse mazhoranca nuk pranon hapjen e kutive të 28 qershorit. Ashtu sikurse në të gjitha mbledhjet e forumeve të Partisë Socialiste pas humbjes në zgjedhjet parlamentare, edhe mbledhja e radhës së Asamblesë është karakterizuar nga debate të ashpra. Rama rikonfirmoi se "PS do të kërkojë me forcë që kërkesat e saj të plotësohen dhe çdo shmangie nga plotësimi i këtyre kërkesave do të jetë kosto që do ta paguajë Kryeministri i vendit". Duke komentuar ftesat e kreut të qeverisë që opozita të rikthehet në Kuvend, z. Rama u shpreh se "Kryeministri e fton më kot opozitën në Parlament, nëse nuk njeh të drejtën e saj për të hapur kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit". "Fatin e betejës sonë e dikton e drejta që ka njeriu në demokraci, për të kërkuar me forcë lirinë e votës së tij. Ne duam të hapim kutitë e 28 qershorit dhe njëkohësisht kërkojmë që dhunimi i votës të mbarojë bashkë me këtë pushtet. Ne kërkojmë që shteti të ndahet nga pushteti dhe kurrë më, të mos përzihet në një betejë elektorale", - tha z.Rama. Sipas tij, "zgjedhjet e 28 qershorit duhet të hetohen nga Parlamenti, por duke hapur në radhë të parë kutitë e votimit në sytë e gjithë Shqipërisë". Asambleja socialiste miratoi dhe ngritjen e 2 grupeve të punës që do të bëjnë ndryshimet e propozuara për programin politik dhe statutin e PS-së, në të cilat është vënë re mungesa e zgjedhjes së emrave, të cilët njihen si oponentët e kryetarit të PS-së. Gramoz Ruçi bëri me dije, se Asambleja miratoi edhe axhendën e PS-së për muajt tetor-dhjetor 2009, duke thënë se “u miratua axhenda, por me një ndryshim, pasi do të bëjë pjesë të saj edhe të gjithë ato problematika që ka parashtruar edhe progres-raporti i KE-së për vendin tonë”. Sipas Ruçit, Asambleja miratoi edhe një vendim për organizimin e strukturave të PS-së në emigracion dhe në ato vende ku ka anëtarë.

Debatet e ashpra në Asamblenë e PS-së

- Për Ben Blushin, mospjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme lëkund të gjithë besimin e elektoratit socialist. Ai deklaroi se PS-ja rrezikon të dalë jashtë sistemit, duke qëndruar statike në pozicionin e saj të bojkotit.

- Blushi pohoi se në ditët apo javët në vazhdim, do të ketë një shtrëngim të socialistëve për të hyrë në Parlament. Sipas tij, kjo do të bëhet në një periudhë të mëvonshme, por jo të largët, kur Partia Socialiste, sipas tij, nisur nga presioni ndërkombëtar dhe rrethanat e tjera, do të bëhet pjesë e Parlamentit shqiptar.

-Ylli Manjani, një tjetër anëtar i Asamblesë kombëtare socialiste, në fjalimin e tij kritikoi ashpër qëndrimin që Partia Socialiste po mban në lidhje me marrëveshjen me Greqinë për ndarjen e hapësirës detare.

-Debate e replika ka pasur edhe mes Gramoz Ruçit e Ylli Manjanit. Ky i fundit shprehu bindjen e tij se pjesëmarrja në zgjedhje është e nevojshme, duke shtuar se nisma e PS-së për të mbledhur 20 mijë firma për të kërkuar hetim parlamentar të zgjedhjeve, sipas tij, është paraparë për organizatat politike që nuk kanë potencë në Parlament.

- Në fjalën e hapjes, e vetmja pjesë ku mediat kishin akses për të qenë prezente, kryesocialisti ripërsëriti qëndrimin për të vijuar në rrugën e bojkotit parlamentar dhe protestave popullore që do të përshkallëzohen, nëse mazhoranca nuk pranon hapjen e kutive të 28 qershorit.

-Asambleja socialiste miratoi dhe ngritjen e 2 grupeve të punës, që do të bëjnë ndryshimet e propozuara për programin politik dhe statutin e PS-së, në të cilat është vënë re mungesa e zgjedhjes së emrave, të cilët njihen si oponentët e kryetarit të PS-së.

Kufiri detar, Manjani: Rama gabon, marrëveshja transparente

Brenda PS-së kundërshtohet qëndrimi ekstremist i kryesocialistit Edi Rama ndaj nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për ujërat për kufirin detar. Ylli Manjani kritikon ashpër qëndrimin që Partia Socialiste po mban në lidhje me marrëveshjen me Greqinë për ndarjen e hapësirës detare. Anëtari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Ylli Manjani, u shpreh gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së në lidhje me diskutimet për marrëveshjen detare me Greqinë se “kjo marrëveshje është transparente dhe e tipit politik, prandaj edhe instrumenti i përdorur nga PS-ja duhet të ishte i tillë”. “Kjo marrëveshje nuk ka probleme juridike dhe ankimi i PS-së në Gjykatën Kushtetuese, sipas mendimit tim, është i kotë”, - theksoi z. Manjani. Sipas tij, PS-ja është kthyer në një zyrë avokatie të problemeve të gjithçkaje që ndodh në këtë vend. Në lidhje me bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit, Manjani theksoi se “bëj pjesë në atë grup që mendoj se zgjedhjet nuk duhet të bojkotohen, pasi po të vazhdohet kështu për një kohë të gjatë, PS-ja do të kalojë në ilegalitet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›