E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR: Duam ministri, dy deputetë na i mori PD-ja

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha nuk do ta ketë të lehtë që të vendosë për kërkesat e LSIsë,
jo vetëm me të vetët, por edhe me partitë aleate. Ministria e Shëndetësisë, një nga dikasteret
që është shënjestruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, është pretendimi kryesor, por jo domosdoshmërisht edhe i republikanëve, pavarësisht se këta të fundit, në Kuvend do të përfaqësohen me një deputet. Presidenti i Asamblesë së PR-së, Sabri Godo, ka deklaruar dje se marrëveshja Meta-Berisha ishte një pakt i diktuar dhe i pazakontë. "Ishte një marrëveshje e diktuar, këto zgjedhje krijuan një lloj ngërçi, ishte një moment të atillë në historinë e vendit që
kërkonte një zgjidhje disi, të themi pak të jashtëzakonshme.

Unë e konsideroj këtë një marrëveshje të nevojshme dhe që do t'i shërbejë vendit. Është në provë, por unë kam bindjen që do të funksionojë",- tha Sabri Godo. Por, teksa mbështet marrëveshjen e arritur mes dy palëve, presidenti i Asamblesë së PR-së, i kujton Kryeministrit të vendit se republikanët duhet të ruajnë një post ministror në qeverisje, edhe pse jo domosdoshmërisht Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas Godos, dy prej deputetëve të PR-së i mori PD-ja, ndaj dhe republikanët gëzojnë të drejtën për të qenë sërish në nivel ministror, edhe pse në fakt, Kryeministri Sali Berisha, deri më tash nuk ka vendosur asgjë për këtë parti.


"Dhamë një kontribut të mirë në fitoren e së djathtës, mund të them me plot gojën se dhamë tre deputetë. Dy i mori PD-ja, duke fituar nga votat tona dhe një e morëm drejtpërdrejt. Pak a shumë mund të mbetemi në nivelin që kemi qenë, duke marrë parasysh pjesëmarrjen në administratën publike në tërësi. Nuk është e thënë në të njëjtën ministri",- vijoi Godo. Në këtë mënyrë, republikanët i kërkojnë Kryeministrit Sali Berisha, që ky i fundit të ruajë të njëjtin nivel përfaqësimi, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve. Nëse i referohemi oreksit të madh të LSI-së për katër poste ministrore, si dhe pretendimit të PR-së për të ruajtur të njëjtin nivel përfaqësimi, atëherë duhet thënë se qeveria e re, për të cilën po negociohet, nuk do të jetë e lehtë të riformatohet, pa llogaritur edhe njerëzit e PD-së, dhe impaktin që mund të ketë tek këta të fundit, përfshirja e LSI-së, ku motoja kryesore e kësaj partie prej kohësh ka qenë largimi i Kryeministrit Sali Berisha dhe i së djathtës në pushtet.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›