E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Malltezit: Ndërtimet, akte kriminale

Fshati turistik i dhëndrit të Berishës në rrëzë të kodrës, shtëpitë e banorëve "shëmtonin" pamjen

Jala është 34 rreshta në faqen 24 të raportit prej 215 faqesh, me titullin, "Plani dhe studimi për menaxhimin e integruar bregdetar". Është raporti i përkohshëm që hapet me fotografitë idilike të bregdetit jonian. Në faqen 19-të, te kapitulli "Zonat e njësisë së peizazhit", gjithsej 8, Jala bën pjesë te zona 6, ku përfshihen Himara, Kanioni i Vunoit e Vunoi, Limani, Porto-Palermo dhe Qeparoi. Janë 194 km bregdet (45 për qind e tij), që nis nga Gadishulli i Karaburunit në Veri dhe përfundon te Kepi i Stillos në Jug. Jala nuk ka emër të vetin në tabelën që tregon dinamikën e popullsisë në periudhën kohore 1926-2004 dhe banorët e paktë të saj, bëjnë pjesë në fshatin Vuno, që ka sot rreth 1000 banorë më pak se 80 vite më parë.


Në faqen 200 të raportit jepet troç ajo që ndodhi dhe u zbatua në Jalë: "Në bazë të rëndësisë dhe mbrojtjes së veçantë nga shteti, çdo ndërtim ilegal, në të ardhmen, brenda PCA-së duhet shpallur si akt kriminal. Përderisa në shikim të parë kjo gjë mund të duket si masë shumë strikte, është e rëndësishme të theksohet natyra dominuese e këtij fenomeni. Në kundërshtim me shumë ndërtime ilegale sociale në të kaluarën, shumica e ndërtimeve të reja ilegale në bregdet (siç është parë dhe dëgjuar gjatë misionit) janë spekulative nga natyra dhe tentojnë tregun e pasurive të paluajtshme. Një çështje tjetër që lidhet me ndërtimin ilegal, është kur nuk zbatohet projekti në lejen e ndërtimit (sipërfaqja e ndërtimit dhe lartësia)".


Ja dhe një paragraf tjetër, që i mjaftoi Policisë Ndërtimore të vinte ruspën mbi banesat e pronarëve të ligjshëm: "Natyra e shumë ndërtimeve të reja në luginën e Jalës po konsumojnë peizazhin dhe krijojnë një pamje të shëmtuar për zonën përreth. Prerja në mal për të akomoduar hotelin në plazhin e vogël verior, është e shëmtuar, e zhveshur, në konflikt me peizazhin formon dhe krijon një hendek të papërshtatshëm, nëse e shikojmë nga deti, ose kepi. Vendi i caktuar për hedhjen e mbeturinave është pikërisht në jug të zonës së plazhit, i cili është shqetësues për pamjen dhe degradim ekologjik të zonës, pasi kulluesit derdhen në det. Rrugët e shtruara me zhavorr janë në kushte shumë të këqija dhe në disa vende shumë të ngushta dhe të rrezikshme".
Fshati turistik i Jamarbër Malltezit do ngrihej në rrëzë të kodrës, pas shpinës së ndërtesave të kahershme.

Ndërtesa të ulëta, që do nguleshin për të formuar një mjedis uniform. Por që nuk pranonin ndërtime të tjera përpara. Dhe ato duheshin spastruar. Pak më tutje kompleksit "Gërbi", e tutje shtëpisë së Andonit, gjithçka duhej hequr, për t'u lënë vend ndërtimeve të reja. Projekti ka mbetur në letër, pas skandalit të nisur nga aksioni i Policisë Ndërtimore, që u tregua e zellshme ndaj një duzine banesash të banorëve autoktonë, kur mbarë bregdeti, ashtu si gjithë vendi, është mbushur me ndërtime të paligjshme dhe abuzive, të cilat Kryeministri po i legalizon edhe në minutat e fundit të fushatës elektorale. Disa dhjetëra kilometra më tutje, në jug, është Ksamili, simboli i një shteti që është dorëzuar
dhe i ka lënë dorë të lirë gjithkujt që paguan të pushtojë çdo pëllëmbë të vijës bregdetare, pa bërë as më të voglën lëvizje.


***

Kur mbaron sezoni i shkurtër turistik, banorët e dëmtuar u kthehen gjyqeve me qeverinë shqiptare, ndërsa Banka Botërore ka marrë përsipër mbrojtjen e tyre dhe dëmshpërblimin. Në shkurt 2009, presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick, urdhëroi ngritjen e një task-force për të gjetur personat përgjegjës për fshehjen e fakteve për projektin prej 39 milionë dollarësh të institucionit që drejton, që solli për pasojë shkatërrimin e fshatit bregdetar shqiptar në vitin 2007. Ishte një njollë e madhe për Bankën Botërore, e shquar për luftën kundër varfërisë së zhvillimit të zonave të prapambetura, kur Jala u bë shembulli se si një mision rigjenerimi, devijon dhe manipulohet për interesa të ngushta përfitimi.

Banka Botërore pranoi përfundimet e ekipit të inspektimit, ku ishin edhe provat për rolin e dhëndrit të Kryeministrit Berisha në shkatërrimin e shtëpive dhe shpronësimin e banorëve, si pjesë e projektit të pastrimit të bregdetit, çka do t'i hapte rrugë ndërtimit në të njëjtin vend të resortit turistik privat të menaxhuar prej familjes së Kryeministrit. Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tiranë, Camille Naumah, duke u distancuar nga skandali, megjithëse pas dy vitesh, deklaroi në shkurt 2009 se "prishja e objekteve në Jalë nuk ka qenë e autorizuar nga Banka Botërore".


Duke cituar raportin e grupit të menaxherëve, drejtuesja e Bankës sqaronte se Njësia e Koordinimit të Projektit të Integruar dhe Pastrimit të Zonës Bregdetare, e drejtuar nga Malltezi, punësohej nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve. Ndërsa ky i fundit, akuzoi klane brenda Bankës Botërore, si të korruptuara, duke
hequr përgjegjësinë nga vetja për problemet që dolën gjatë realizimit të projektit të bregdetit të Jugut.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›