PR: Rama po tallet me familjet e Gërdecit
Partia Republikane dënoi dje protestën e opozitës, duke deklaruar se liderishipi i saj Edi Rama po keqpërdor familjet e Gërdecit. “Një shfaqje e turpshme e pamoralshme dhe antihumane ishte tallja që Rama u bëri familjeve të viktimave të Gërdecit. Dje ai nxori në krah emisaren e tij politike, të cilën e kishte angazhuar si avokate të Gërdecit për të realizuar qëllimet e manipulimet e tij për të nxitur familjarët dhe opinionin publik së bashku me ndihmën e qarqeve mediatike dhe për të ushtruar presionin e tij mbi drejtësinë. Mitingu i djeshëm ishte vetëm një shfaqje në interes të lidershipit politik të PS-së, për të mbajtur rreth vetes pjesën militante si dhe për të lënë jashtë anëtarësimit në BE socialistët dhe të gjithë shqiptarët”, - deklaroi Alfred Deshati, nënkryetar i PR-së. Ai tha më tej se vendi i opozitës është në Kuvend. Sipas Deshatit, hetimi i procesit zgjedhor që kërkon opozita, mund të bëhet vetëm duke qenë e pranishme në Kuvend. “Opozita ka vendin e saj të padiskutueshëm në Parlament, sepse për atë është votuar. Ajo ka rolin e saj në reforma, sepse këto reforma do të çojnë Shqipërinë dhe shqiptarët drejt BE-së”, - tha më tej ai.