Protesta e PS-së, Meta: Qytetarët bojkotuan bojkotin e Ramës
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, e cilësoi protestën e opozitës socialiste të një dite më parë si një bojkot që qytetarët i bënë lidershipit të PS-së. Gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues të LSI-së, Meta deklaroi më tej se mitingu i opozitës nuk pati mbështetje nga qytetarët, pasi sipas tij, ata nuk pajtohen me politika absurde të bojkotit që po ndërmerr kreu i PS-së, Edi Rama. “Bojkoti i bojkotit, që u vu re dje, jo vetëm nga qytetarët shqiptarë dhe të kryeqytetit, por edhe nga vetë anëtarët e PS-së, tregon se vetë socialistët në radhë të parë nuk mund të mbështesin një politikë shumë të vjetër, e cila kërkon ta kthejë Shqipërinë 10 vjet mbrapa, e cila është provuar që nuk funksionon dhe vjen kundër vetë aspiratave të anëtarëve të PS-së dhe gjithë opozitarëve për integrimin evropian të vendit apo liberalizimin e vizave”, - deklaroi Meta. Kreu i LSI-së tha më tej se Rama po përpiqet të marrë peng institucionet për interesa personale dhe madje, sipas tij, protesta e një dite më parë nuk ishte kundër Kryeministrit Sali Berisha, por kundër tij dhe LSI-së. “Dështimi në realizimin e kësaj përgjegjësie nuk është gjë tjetër veçse rezultat i mendësisë anti-shtet, anti-institucion që ka lidershipi i kësaj force politike. Ndaj, ne shprehim keqardhjen dhe për veprime të tilla të cilat janë sa absurde aq edhe qesharake, si mitingu i djeshëm, i cili bëhej para zyrës së Sali Berishës, por në fakt ishte miting kundër Ilir Metës dhe kundër LSI-së”, - tha më tej Meta.
Duke e cilësuar si një protestë të ndërmarrë vetëm për interesa personale, Meta tha më tej se Rama po tenton të pengojë liberalizimin e vizave dhe integrimin e vendit, por sipas tij, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. “Por, destruktiviteti i lidershipit të kësaj opozite që përpiqet të pengojë, që përpiqet të marrë peng institucionet e vendit, thjesht për interesa personale, nuk e ndalon dot axhendën e integrimit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, - shtoi kreu i LSI-së.
Përpara anëtarëve të Komitetit Drejtues, Meta ritheksoi arsyet e hyrjes në koalicion të LSI-së me PD-në. Sipas tij, vota e 28 qershorit nxori fitues koalicionin e PD-së. Meta shtoi se ky rezultat ishte një ndëshkim për Ramën dhe një provë për pjekurinë politike për partinë që ai drejton. “Vota e 28 qershorit nxori fituese, por jo në mazhorancë absolute, koalicionin e PD-së, ndëshkoi lidershipin e PS-së, për shkak të strategjisë së gabuar dhe arrogancës dhe njëkohësisht vuri në provë ndërgjegjen dhe pjekurinë politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të marrë një vendim”, - deklaroi Meta. Ai ritheksoi se vendi ndodhet në një faqe të re te integrimit dhe kërkoi impenjim maksimal për arritjen e të gjitha standardeve. “Vendi pret të hyjë në një fazë të re integruese, të fitojë një status te ri, atë të vendit kandidat, si stadi final i anëtarësimit të plotë në BE. Njëkohësisht shqiptarët presin që brenda vitit të ardhshëm të merret vendimi shumë i rëndësishëm dhe realizimi i një ëndrre të hershme, që i jep fund atij diskriminimi të papranueshëm për çdo shqiptar, që është pikërisht liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian”, - deklaroi më tej kreu i LSI-së.
LSI, zgjedhje brenda partisë në pranverë
Komiteti Drejtues Kombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim në mbledhjen e djeshme vendosi që në pranverën e vitit tjetër, brenda partisë të zhvillohen zgjedhje. “KDK miratoi kalendarin politik të analizave në të gjitha strukturat e LSI-së dhe të veprimeve politike për forcimin e mëtejshëm të strukturave të LSI-së të çdo niveli. KDK miratoi disa plotësime në kryesimin e LSI-së, deri në zgjedhjet e përgjithshme që do të bëhen në pranverën e ardhshme”, - informoi Dritan Ylli, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në LSI. Në mbledhjen e djeshme, Komiteti ngarkoi sekretarin e Përgjithshëm, Petrit Vasili, që të ndjekë analizën e zgjedhjeve të fundit, por edhe të përgatitjes së zgjedhjeve brenda partisë. “Ndaj, zoti Vasili, si sekretar i Përgjithshëm do të ndjekë axhendën e analizave lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit, që do të përfundojnë në dhjetor të këtij vitit për të hyrë më pas, pas një analize të qartë në periudhën e zgjedhjeve brenda LSI-së deri në pranverën e vitit të ardhshëm”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
LSI zëvendëson të tërhequrit nga partia
Komiteti Drejtues Kombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim miratoi dje strukturat e reja të partisë pas largimit të disa figurave brenda saj. Kështu, vendin e zëvendëskryetarit të LSI-së, në vend të Pëllumb Xhufit, e mori Edmond Haxhinasto. Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun, Dritan Ylli, bëri dje me dije të gjitha lëvizjet brenda partisë. Kështu, në vendin e kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, u zgjodh Edmond Panariti; Lefter Koka u zgjodh nënkryetar i LSI-së si dhe Monika Kryemadhi u zgjodh sekretare organizative e LSI-së pas largimit të Brizida Gjikondit. Në LSI u rizgjodhën edhe 8 anëtarë të rinj kryesie.
Ndryshimet në strukturën e LSI-së
Zëvendëskryetar i LS-së, Edmond Haxhinasto
Kryetar i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Panariti
Nënkryetar i LSI-së, Lefter Koka
Sekretare organizative e LSI-së, Monika Kryemadhi
Shezai Rrokaj u zgjodh anëtar i Kryesisë
Leondard Beqiri u zgjodh anëtar i Kryesisë
Edmond Hoxha u zgjodh anëtar i Kryesisë
Nasip Naço u zgjodh anëtar i Kryesisë
Matilda Merxhani u zgjodh anëtare e Kryesisë
Bujar Hasa u zgjodh anëtar i Kryesisë
Pjerin Xhuvani u zgjodh anëtar i Kryesisë
Qemal Elezi u zgjodh anëtar i Kryesisë
Zgjedhjet lokale, LSI shqyrton mundësinë e kandidatëve më vete
Bojkoti i Partisë Socialiste ndaj zgjedhjeve lokale të pjesshme në 5 njësi vendore ka ngritur diskutimin brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim për të dalë në këto zgjedhje me kandidatë me vete. Dje në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim u diskutua mundësia që LSI të dalë në këto zgjedhje të pjesshme me kandidatët e saj. Kjo mundësi u kërkua si ndëshkim ndaj bojkotit të Edi Ramës dhe për t’i bërë thirrje elektoratit të majtë të votojë kandidatët e LSI-së. Gjithsesi, një vendim për këtë çështje nuk u mor dhe u vendos që në ditët e ardhshme Kryesia e LSI-së do të marrë një vendim përkatës për këtë çështje.