E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roshi: Mirënjohje qeverisë për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit



Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, përshëndeti vendimin e Kryeministrit Sali Berisha për kthimin në atdhe të eshtrave të një sërë personaliteteve të kombit si të Mid’hat Frashërit, Ahmet Zogut, Fan Nolit dhe Nënë Terezës. “Partia e Ballit Kombëtar Demokrat shpreh mirënjohjen dhe përkrahjen e saj për nismën e qeverisë shqiptare për kthimin në atdhe të eshtrave të Mid’hat Frashërit, Ahmet Zogut, Fan Nolit dhe Nënë Terezës. Veç këtyre, kjo qeveri dhe qeveritë në vazhdim duhet të punojnë për kthimin e të gjitha personaliteteve të kombit që prehen jashtë atdheut”, tha Roshi. në konferencën për shtyp, Roshi tha më tej se “Shqipëria ende nuk është ndarë qartë nga diktatura. Tekstet e historisë ende vazhdojnë të dominohen nga qasjet komuniste të historianëve. Arkitektët e komunizmit ende nuk janë dënuar – qoftë edhe pas vdekjes – si kriminelë dhe e ashtuquajtura Luftë Nacionalçlirimtare ende nuk thirret me emrin e saj të vërtetë: luftë civile, të cilën e nxitën komunistët”. Ai vlerësoi më tej figurën e Mid’hat Frashërit duke thënë se “paralajmëroi vazhdimisht dhe me këmbëngulje se e keqja më e madhe e Shqipërisë ishte komunizmi dhe historia i dha të drejtë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›