PR-ja rikonfirmon gatishmërinë për të kontribuuar në qeverinë e re

Kryerepublikani Fatmri Mediu vlerëson koalicionin e PD-së me LSI-në,
TIRANE – Kryetari i PR-ës Fatmir Mediu ka vlerësuar dje koalicionin e PD-së me LSI-në, ndërsa ka rikonfirmuar gatishmërinë për të kontribuuar edhe partia që ai drejton, në qeverinë e re
Kryerepublikani Mediu nuk i fsheh pretendimet për përfaqësimin e PR-ës në qeveri ka bërë ët ditur dje se ka pasur takime me kryeministrin Sali Berisha për këtë çështje, por se ende nuk ka një marrëveshje të qartë, dhe partia që ai drejton nuk ka preferencë për ministri të caktuara. “Kam bërë takim me kryeministrin Berisha dhe kemi folur ne parim për sa i përket organizimit të qeverisë së ardhshme ku kemi lënë që brenda muajit gusht të mbyllen negociatat dhe përcaktimet e gjithë secilit subjekt në qeverisjen e ardhshme. Kam bindjen se çdo gjë do të funksionojë në bazë të kontributit që ka dhënë gjithsecili subjekt në rezultatin e zgjedhjeve”, u shpreh dje Mediu.
Republikanët nuk janë shprehur ende nëse edhe në këtë qeveri do të përfaqësohen me kryetarin e tyre apo jo, pasi sipas Mediut do të jenë forumet që do ta vendosin një gjë të tillë.
“Unë asnjëherë nuk kam folur në numrin njëjës, PR-ja duhet të përfaqësohet politikisht dhe janë strukturat ato që do të vendosin se kush do të jetë përfaqësia e PR-së në qeveri”, u shpreh dje Mediu.
Ndërkohë mbeten çështje ditësh, negociatat zyrtare mes dy krerëve të dy partive që do të mbajnë peshën kryesore në “qeverinë e integrimit evropian”. Përpos kësaj pritje, mësohet se, para takimit zyrtar të paralajmëruar midis kreut të PD-ës Sali Berisha dhe atij të LSI-së, Ilir Meta, ka pasur takime informale mes tyre, por që në përfundim, asnjëri nuk ka konfirmuar të jetë diskutuar për qeverinë dhe emrat e mundshëm të saj.
Koalicioni mes PD-ës dhe LSI-së, u zyrtarizua menjëherë pas zgjedhjeve të 28 qershorit të këtij viti, kur LSI, zyrtarisht ju përgjigj ftesës së PD-ës, për të bashkuar 4 mandatet e deputetëve të saj, me 70 mandatet e koalicionit fitues të këtyre zgjedhjeve. Ndërkohë, partitë e tjera aleate të PD-ës, të përfaqësuara në parlament, sikurse janë PR-ja dhe PDI-ja nuk e kanë fshehur ambicien e tyre, për përfaqësim në nivelet e larta drejtuese qeverisëse.
Nga ana tjetër, edhe partitë e tjera, aleate të PD-ës, megjithëse nuk mundën të hyjnë në parlament, kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuuar në qeverisjen e ardhshme 4-vjeçare.
Qeveria e re që pritet të krijohet, do të quhet “qeveria e integrimit evropian”. Ajo është qeveria e tretë e përbashkët midis të majtëve dhe të djathtëve, pas qeverisë së stabilitetit në vitin 1991 dhe asaj të pajtimit kombëtar në vitin 1997.
Qeveria e re parashikohet të ketë shumë objektiva.
Duke ju referuar deklaratave të kryeministrit Berisha, mësohet se prioritet do të jetë punësimi, zhdukja e varfërisë, vazhdimi i veprave të mëdha infrastrukturore, ndërsa epërsi të LSI-së paralajmërohet të jenë integrimi, arsimi, ekonomia, shëndetësia dhe bujqësia.