Dështimet e Edvinit s’mund të fshihen nga vjedhjet e suksesshme
Rama është simboli i dështimit në familje, sport, pikturë e politikë. Ai po tenton të shpëtojë biografinë e vet, me vjedhjen masive të votave në kongresin e 29 qershorit, por historia e suksesshme e vjedhjeve në bashki, ministrinë e Kulturës dhe në PS nuk mund të garantojë suksesin e vjedhjes së ardhshme, edhe pse Edvini ka angazhuar “çetën e Arkanit”, me Genc Gjonçajn në krye
Edi Rama nuk mund të vlerësohet ndryshe, veç etiketimit “i dështuar”. Ai e nisi me sportin dhe dështoi. Kërkoi të ngatërrohej me lëvizjen studentore antikomuniste të fillimviteve ’90-të dhe sërish dështoi. Pastaj tentoi të merrej me pikturë dhe nuk i eci, madje edhe kur u zotua se do të jetonte si emigrant normal në një vend si Franca, prapë nuk mundi, thjesht dështoi. Gjatë periudhës si Ministër Kulture dështoi se nuk mund të quhet ndryshe gjithë lëvizja kombëtare e artistëve shqiptarë kundër tij. Ai së fundi dihet se dështoi edhe me drejtimin e opozitës dhe projektin e tij të Ylberit dhe riciklimit të xhaketave të vjetra me arna të reja. Ai dështoi të fitojë sfidat politike dhe si rrjedhim dështoi edhe në krye të Partisë Socialiste. Ai dështoi që të mbysë zërat kundërshtues brenda partisë që e shohin si jo të arsyeshme rikandidimin e tij në krye të partisë, pas humbjes së zgjedhjeve. Ai dështoi të bindë se rizgjedhja e tij do te ndryshojë, nga strategjia e ndjekur gjatë këtyre 4-viteve të fundit.
Të njëjtin skepticizëm kanë shfaqur shumë zyrtarë socialistë kohët e fundit, të cilët i vlerësojnë të vështira sfidat, në rast se në krye të socialistëve do të ishte sërish Rama. Dështoi gjithashtu të tregohej burrë e të jepte dorëheqjen (s’po flasim për dështimin si baba e burrë familjeje...). Dështoi në vizion, dështoi si lider, si inicues i eksperimentit personal. Por mbi të gjitha këto, ai dështoi të sqarojë arsyet e humbjes dhe sot e kësaj dite askush tek Partia Socialiste dhe tek elektorati i saj nuk di të thotë se cfarë mendon kryetari për humbjen.
Por ka një fushë ku kryetari Rama mund të vlerësohet si i suksesshëm dhe kjo ka të bëjë me modelin korruptiv që ai vendosi në Bashkinë e Tiranës. E thënë thjesht, ai kërkoi të shesë vjedhjen e tij si model të ri qeverisjeje e për ta instaluar në të gjithë Shqipërinë. Pavarësisht se nuk i eci, modeli i tij i sukseshëm në fakt është përqendruar vetëm tek grabitjet dhe vjedhjet me lejet e ndërtimit, ku fitimi i ndarë me bashkëpunëtorët e tij, natyrshëm, është më i madh. Për të kuptuar modelin e sukseshëm të hajdutit Rama, mjafton të shikosh rrugët dhe trotuaret e kryeqytetit të cilat, ndonëse kanë kushtuar një mal me para, vetëm pak muaj ose ditë pas rikonstruksionit janë shkatërruar plotësisht.
Mirëpo në prag të Kongresit të socialistëve ai po vështirësohet që të imponojë siç do modelin e vjedhjes si trashëgimi të vetme të suksesit. Ai pavarësisht se po përdor të gjitha metodat ramiziste apo edhe të babait të vet më të hershëm shpirtëror duket të lëkundet brenda radhëve të socialistëve. Vjedhja mundet që t’i ketë “zbardhur” faqen Ramës në Bashki, por nuk mund të jetë njësoj edhe me simpatizantët dhe drejtuesit e partisë më të madhe opozitare. E keqja e nisur prej kohësh e ka një fund dhe kjo do i ndodhë Edi Ramës në Kongresin e Partisë së Socialistëve të vërtetë që duan të mos e lënë vendin pa opozitë apo më keq akoma të lenë vendin në dorën e një opozite me njollën që la mbi të kryetari hajdut. Kur thika shkon në palcë dhe kur sytë e liderit nuk shohin në drejtim të duarve që luten për mëshirë e shpëtim, atëherë fundi është i ditur.
Dhe modeli “i suksesit” të Edi Ramës që ka vetëm vjedhjen për mbulesë dhe referencë, nuk mund të ecë më. Nëse ndodh kjo edhe me Kongresin e Partisë Socialiste, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse Rama të pagëzohet e të hyjë në historinë e socialistëve dhe të vendit si kryehajduti që tërheq për hunde opozitën shqiptare.