E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paqeruajtësit shqiptarë, asnjë problem me sigurinë

Zgjedhjet në Afganistan

TIRANE – Sipas ministrisë shqiptare të mbrojtjes për ushtarakët nga Shqipëria nuk ka pasur asnjë problem gjatë ditës së zgjedhjeve të djeshme, për ushtarët tanë që shërbejnë në Afganistan. Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa ka pasur ditën e djeshme një lidhje telefonike me trupat tona paqeruajtëse në Herat dhe Kabul, të Afganistanit  Ministri Oketa është interesuar për situatën atje, dhe ka garantuar se paqeruajtësit shqiptarë nuk kanë pasur asnjë problem me sigurinë e tyre.
Në misionin paqeruajtës në Afganistan veprojnë edhe 251 trupa komando shqiptare.
Nga biseda telefonike e Ministrit të Mbrojtjes Gazmend Oketa me komandantët e dy kontingjenteve shqiptare të dislokuara në Kabul dhe Herat, mësohet se misioni i tyre vazhdon me sukses pa asnjë incident të shënuar. Ndërkohë, ministri Oketa i ka inkurajuar që të përmbushin me sukses të plotë detyrën e ngarkuar, duke theksuar se ndryshe nga paraardhësit e tyre, ata asistojnë në një proces të madh për Afganistanin, siç janë zgjedhjet presidenciale.
Shqipëria e cila që prej prillit të kaluar është një vend anëtar i NATO-s pak javë më parë vendosi që të shtojë praninë e trupave të saj në Afganistan dhe javën e kaluar nisi me urgjencë një tjetër kompani, pikërisht për të ndihmuar në masat përforcuese që janë marrë me rastin e zgjedhjeve presidenciale.
Më datën 12 gusht, me vendim të Qeverisë, u nisë në Herat një mision shtesë me 110 trupa paqeruajtësish, mision i cili e çoi në 251 numrin e forcave tona në Afganistan.
Ky kontingjent u nis pikërisht për të mbështetur përmbushjen e një procesi zgjedhor të qetë e demokratik, në këtë vend.
Mbi 200 trupa shqiptare veprojnë në Herat, nën komandën italiane, një zonë e konsideruar relativisht e qetë dhe ku gjatë ditës së sotme nuk janë regjistruar incidente problematike me forcat talebane të cilat kanë kërcënuar popullsinë civile që do të merrte pjesë në votime.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›