Pasaportat aktuale janë të vlefshme për qarkullimin ndërkombëtar deri në fund të 2010-s

Radhë të gjata, ku dominojnë emigrantët shqiptarë të ardhur për pushime verore, por që kanë shfrytëzuar rastin për të aplikuar edhe për dokumentet e reja të identifikimit, kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Kjo është situata në sportelet e zyrave të Gjendjeve Civile në Tiranë. Emigrantët janë konfuz për vlefshmërinë apo jo të pasaportave standarde të prodhuara në vitin 2002, por edhe për procedurat e aplikimit dhe tërheqjen e pasaportave biometrike. Valentina Hoxha, emigrante prej 20 vitesh në Greqi, e cila ka aplikuar për pasaportën biometrike tregon se “qarkullojnë zëra se në Kakavijë do kemi probleme për të kaluar pikën doganore shqiptare pa prokurën e posaçme, (dokumentin origjinal). Më duhet të kthehem në Greqi, pa arritur t’a tërheq pasaportën biometrike”. Shefi i sektorit të letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Astrit Shehu sqaron se “për gjithë shtetasit shqiptarë, emigrantë, tërheqja e pasaportave biometrike, në rastin kur ai (emigranti) është i detyruar të largohet, mund të kryhet nga një familjar, duke paraqitur pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut një çertifikatë familjare apo të ngarkojë për tërheqjen e saj një person tjetër me anën e një prokure të posaçme që mund të legalizohet në çdo zyre noteriale”. Ai theksoi se pasaportat aktuale janë të vlefshme deri në 31 dhjetor të vitit 2010. "Kjo do të thotë se të gjithë shtetasit shqiptarë emigrantë që nuk janë pajisur ende me pasaportat biometrike mund t’i përdorin pasaportat aktuale, në çdo pikë kufitare shqiptare, deri në fund të vitit të ardhshëm”, tha z. Shehu. Për të përballuar fluksin e madh të emigrantëve që aplikojnë për dokumentet e reja të identitetit, operatorët e aplikimit dhe shpërndarjes për pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet elektronike pranë zyrave të Gjendjes Civile, përmes një urdhri të Ministrisë së Brendshme, nga data 10 gusht 2009 kanë zgjatur orarin e shërbimit, e thënë ndryshe ato punojnë nga ora 08:00-19:30.
Jeta Seitaj, kryetare e minibashkisë nr.5 në Tiranë, njësia më e madhe në kryeqytet për numrin e banorëve me 77.467 syresh, tha se “fluksi i aplikantëve për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike vijon të jetë i lartë, ndonëse nuk kemi një shifër zyrtare të tyre”. Pasaportat biometrike dhe letërnjoftimi elektronik prodhohen nga kompania franceze Sagem Securite, fituese e tenderit ndërkombëtar. Pasaporta e lëshuar në vitin 2002 është e vlefshme deri më datë 31 dhjetor 2010. Pas kësaj date, e vetmja pasaportë në qarkullim për lëvizjen e qytetarëve shqiptarë jashtë shtetit do të jetë pasaporta e formatit biometrik, që është dhe një nga kushtet themelore për liberalizimin e vizave. Vlefshmëria e pasaportës biometrike është 10 vjeçare dhe kostoja e saj është 6 mijë lekë. Aplikimi si për letërnjoftimin elektronik ashtu dhe për pasaportën biometrike, kryhet në të njëjtën zyrë të Gjendjes Civile.
...