“Kosova, me pavarësimin po shërben si faktor paqeje në rajon”
Reagon Ministria e Jashtme shqiptare, pas pretendimeve serbe
TIRANE - Pas një note proteste të autoriteteve serbe dërguar të ngarkuarit me Punë të Ambasadës të Shqipërisë në Beograd, të cilët e konsiderojnë idenë e Kryeministrit Berisha për bashkimin e kombit si cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë. Reagon Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë duke deklaruar dje se, Shqipëria mbetet e hapur në liberalizimin e rajonit, duke përfshirë edhe Serbinë, për të lehtësuar dhe përmirësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të rajonit, si dhe bashkëpunimin rajonal si parakusht për integrimin në BE.
Duke reaguar ndaj qëndrimit të autoriteteve serbe, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë konfirmojnë se, "Shqipëria e konsideron shtetin e pavarur të Kosovës, si faktor paqeje e stabiliteti në rajonin e Ballkanit, ndërsa pavarësinë e saj, një hap që qartësisht i shërben paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit".
Në një deklaratë për mediat, diplomacia shqiptare shprehet se bashkëpunimi mes Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës vjen natyrshëm dhe bazohet në respektin e ndërsjellët. “Kryeministri Sali Berisha, qeveria shqiptare dhe Republika e Shqipërisë janë të vendosur që të ecin përpara me liberalizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, ideve si dhe uljen e barrierave administrative", vijon përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Republika e Shqipërisë, thuhet në këtë deklaratë, ka në themel të politikës së saj të jashtme objektivat e përbashkëta për integrimin euroatlantik të vendit, Republikës së Kosovës dhe gjithë rajonit.
Në këtë drejtim, Shqipëria beson dhe mbështet me forcë idenë e bashkëpunimit rajonal si parakusht për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit.
Më tej në deklaratën e diplomacisë shqiptare theksohet se, "Shqipëria është e hapur për çdo nismë që synon integrimin rajonal dhe në këtë kuptim ajo po aplikon heqjen e njëanshme të regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Serbisë përgjatë sezonit turistik".
Në reagimin e Ministria e Punëve të Jashtme, vihet në dukje se bashkëpunimi rajonal, lëvizja e lirë e njerëzve, e mallrave dhe ideve, mbeten parakusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.