PR vendos për Mediun ministër, PD e kundërshton
Burime të rezervuara flasin për pakënaqësi ndaj Mediut si ministër i Mjedisit. Por, kryesia e PR-së e voton me shumicë votash
TIRANË - Fatmir Mediu do të jetë ministri i ri i Mjedisit. Ai do të kthehet sërish në qeveri, pas dorëheqjes së detyruar nga posti i Ministrisë së Mbrojtjes, si rezultat i tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosen mbi 300 të tjerë.
Pikërisht për këtë ngjarje mjaft të rëndë, zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, për herë të parë, e kanë parë me rezerva përfshirjen e tij në kabinetin e ardhshëm qeveritar, duke e cilësuar të pamoralshëm rikthimin e tij në kabinetin qeveritar.
Burime nga PD-ja deklaruan për gazetën se një fakt i tillë i është përcjellë edhe vetë atij gjatë takimit të zhvilluar dje me Kryeministrin Sali Berisha. Por, vetë Mediu, pas takimit të zhvilluar me Berishën, nuk e ka vënë në dyshim përfaqësimin politik të tij.
"Fatmir Mediu është vetëm kryetar i republikanëve, deputet i republikanëve, dhe nuk mendoj që ndonjë njeri vë në dyshim përfaqësimin politik të Fatmir Mediut. Ne diskutuam me Kryeministrin për disa propozime konkrete, megjithatë do të mblidhet kryesia e PR-së që do të marrë qëndrimin e saj në raport me propozimet e Kryeministrit, kërkesat e PR-së dhe pastaj me vendimet e nevojshme që janë për përfaqësimin e të gjithë individëve",- tha Mediu.
Ndërkohë, pas një orë e gjysme mbledhje të kryesisë, të zhvilluar mbrëmë në ambientet e selisë, republikanët, pavarësisht rezervave të PD-së, votuan kandidaturën e Mediut, për drejtimin e Ministrisë së Mjedisit.
Burime nga kryesia e PR-së deklaruan mbrëmë për "Shekulli"-n se duke qenë se pozicioni i ministrit është politik, atëherë, sipas tyre, i takon kryetarit të partisë që të përfaqësojë këtë forcë politike në drejtimin e Ministrisë së Mjedisit.
Gjatë mbledhjes së kryesisë është rënë gjithashtu dakord për propozimin tjetër të Berishës, që PR-ja të ketë në qeveri edhe dy zëvendëskryeministra. Por, për këta të fundit, republikanët janë shprehur se nuk është vendosur ende se në cilat dikastere do të përfshihen, duke mbetur pjesë e negociatave të mëtejshme.
Formula e përfaqësimit të PR-së në qeveri është servirur dje nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë takimit të zhvilluar me kryetarin e PR-së, Fatmir Mediu. Ndërsa partisë tjetër aleate me PD-në, që përfaqësohet po me një mandat deputeti në Kuvend, Partisë për Drejtësi dhe Integrim, do ti ofrohet post zv-ministri.