E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezull qeveria e re, Berisha në vështirësi për të ruajtur balancat

Sipas të gjitha gjasave, Kryeministri Berisha po përpiqet të ruajë ekuilibrat në PD, për të siguruar një kabinet të ri vetëm ditën e martë


Rikonfirmohen në dikasteret që drejtojnë, Bode, Olldashi, Bregu dhe së fundmi, Nishani

TIRANË - Gjatë verës, Kryeministri Sali Berisha mendonte se vështirësia e mandatit të dytë do të ishte nëse do kënaqte Ilir Metën në përfaqësimin qeveritar. Por teksa të dy dolën me buzëqeshje nga marrëveshja e tri ditëve më parë, Berisha duket se jashtë parashikimeve është në vështirësi me të vetët.


Dreka e lamtumirës ka qenë kontakti i fundit i tij me ministrat në detyrë, të pavendosur, nëse do të jenë në kabinetin e ardhshëm. Të ruash balancat në PD, duket se është çështje kyçe për Berishën, gjë që e bën të shtyjë edhe pak ditë emrat e qeverisë së re.


Burime të sigurta nga PD-ja deklaruan dje për "Shekulli"-n se të paktën zyrtarisht Kryeministri Berisha nuk ka thirrur ende për bisedime katër ministra, që pritet të jenë sërish në kabinetin qeveritar, Genc Rulin, Genc Pollon, Sokol Olldashin dhe Lulzim Bashën.


Paralelisht, Kryeministri Berisha nuk ka mbyllur ende negociatat me aleatët, ndërkohë që është në pritje edhe të PBDNJ-së. Për pasojë, qeveria e re e Kryeministrit Berisha pritet të jetë gati vetëm ditën e martë, një ditë pas fillimit të punimeve të legjislaturës së re të Kuvendit.


Kryeministri Berisha ka intensifikuar bisedimet me dy drejtuesit kryesorë të partisë, Jozefina Topallin, e cila pritet të konfirmohet sërish si Kryetare e Kuvendit dhe sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Ridvan Boden. Edhe ky i fundit do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Financave, i vetmi ministër i konfirmuar në të gjithë bisedimet informale të Kryeministrit Berisha.


Burimet nga PD-ja, së fundmi flasin për një vazhdim të mandatit edhe për Sokol Olldashin, i cili aktualisht drejton Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit.


Por surpriza e ditëve të fundit duket se është Bujar Nishani, i cili sipas burimeve më të fundit, nuk është përmendur nga Kryeministri Berisha për t'u larguar nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme.


Për drejtimin e këtij dikasteri, pak kohë më parë, u përfol jo pak Astrit Patozi dhe Ilir Rusmali. Edhe Majlinda Bregu është një tjetër titullare, e cila nuk do të lëvizë nga drejtimi i Ministrisë së Integrimit. Ndërkohë që pritet të ketë zhvendosje në dikastere të tjera, po aq të rëndësishme.


Kështu, Lulzim Basha vazhdon ende të jetë një kandidaturë e fortë për Ministrinë e Mbrojtjes, pa u përjashtuar edhe nga lista e kandidatëve për Ministrinë e Drejtësisë. Basha është përfolur mjaft edhe si kandidaturë e mundshme për postin e nënkryetarit të PD-së dhe, për pasojë, edhe drejtimin e grupit parlamentar demokrat.


Por kjo skemë duket se nuk do të ndiqet nga Berisha, për sa kohë që Basha pretendon të qëndrojë sërish në qeveri. Një tjetër arsye janë edhe raportet e vështira që ai ka me Topallin, e cila do të vijojë të jetë nënkryetare e PD-së.


Genc Pollo, aktualisht zv/kryeministër, përflitet të marrë Ministrinë e Kulturës në rast se nuk do të ketë ndonjë lëvizje të fundit nga Kryeministri për ta kaluar në ndonjë ministri tjetër.


Genc Ruli, një tjetër figurë jo pak e rëndësishme në kabinetin qeveritar të këtyre katër viteve, është në pritje të marrjes së ndonjë portofoli tjetër, pas zëvendësimit të tij me Petrit Vasilin, ku nuk përjashtohet edhe ajo e Arsimit.


Megjithatë, deri më tani, negociatat për emrat janë thjesht jo zyrtare dhe se eksperienca e viteve të kaluara ka treguar më së miri se kreu i ekzekutivit ruan edhe surprizën e fundit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›