E Diel, 1 Nëntor 2026

PËRGATITUNI!

Qytetarët e Kosovës duhet të përgatiten për skenarët që po ua shkruajnë jashtë. Atje po hartohet strategjia e të ardhmes së Kosovës. Çfarë e ardhme?

Çfarë po ndodh me procesin, përkatësisht me statusin e Kosovës? ǒpo ndodh në KS të OKB-së, a po miratohet rezoluta apo jo? Çfarë janë këto deklarata kontradiktore që vijnë nga KS i OKB-së, nga diplomatët dhe politikanët ndërkombëtarë, por edhe nga politikanët e Kosovës? A po heq dorë Rusia, apo SHBA-ja do të ndryshojnë qëndrimin? Janë këto pyetjet që këto ditë më së shpeshti po drejtohen nga qytetarët, të cilët kanë mbetur të stepur nga situata që po vazhdon! Njerëzit e Kosovës janë të hutuar dhe asnjëri prej tyre nuk arrin ta kuptojë dhe shpjegojë rrjedhën e procesit që po vazhdon në KS të OKB-së.

Rusia gjithnjë e më shumë po shprehet hapur kundër planit të presidentit Ahtisarit, përkatësisht pavarësisë së Kosovës. Çdo ditë e më shumë po sulmon këtë plan dhe palët që mbështesin atë. Në anën tjetër SHBA-ja sikur ka bërë një tërheqje politike ndaj kërkesave që kishte në fillim, duke zbutur tonin. Ndërsa që evropianët kanë humbur tërësisht në këtë proces, sikur po presin çka do të bëjë SHBA-ja dhe Rusia dhe pastaj të deklarohen. Të vetmet deklarata që vijnë nga BE-ja thonë, se ata janë gati për të marrë nën mbikëqyrje procesin, por se presin një rezolutë nga KS i OKB-së, për t’ua hapur rrugën.

Zhvillimet e fundit diplomatike, procesin e kanë futur në qorrsokak, që tregon se loja tani ka filluar. Finalja po zhvillohet në KS të OKB-së. Bastvënësit (politikanë dhe diplomatë) vendorë e ndërkombëtar, që në fillim e kishin favorizuar perëndimin, tani po kërkojnë të vejnë X (barazim), duke mos dashur më të favorizojnë askënd. Tani më shumë preferohet të pritet përfundimi i lojës dhe pastaj të deklarohen, sepse frikësohen të futen në parallogaritje, edhe pse dihet se bastet pas përfundimit të lojës nuk vlejnë.

Përderisa “lufta” diplomatike në KS të OKB-së vazhdon mes anëtarëve që mbështesin dhe atyre që kundërshtojnë planin e Ahtisarit, në Kosovë shpërndahen informacione që paralajmërojnë për një të ardhme të zymtë. Këto informacione janë rezultat i paqartësisë dhe qorrsokakut diplomatik, ku ka hyrë KS i OKB-së. Ndërsa që SHBA-ja kanë zbutur qëndrimin e tyre fillestar, në kërkim të kompromisit për rezolutën e re për Kosovën, Rusia është vënë në ofanzivë diplomatike, pikërisht si rezultat i kësaj zbutjeje amerikane. Kjo qasje qytetarin e Kosovës edhe ata që vazhdojnë të merren më procesin politik në dhe përreth Kosovës i bën mosbesues në ndonjë rezultat pozitive në KS të OKB-së.

Por, këtu nuk përfundon “loja” për të ardhmen e Kosovës. Këto janë vetëm deklarata apo “luftë” diplomatike që zhvillojnë palët për ta “mposhtur” palën tjetër. Gjendja në Kosovë është larg asaj që pretendojnë disa anëtarë të KS të OKB-së, në kuptimin se mund të pritet në pafundësi. Në Kosovë po zihen shumë gjëra, madje të rrezikshme ose që do ta bëjnë procesin të paparashikueshëm. Krijimit të një gjendje të tillë psikologjike dhe të sprovës së sigurisë, sigurisht se po i kontribuojnë anëtarët e KS-së, sidomos ato që nuk i binden zgjidhjes së prezantuar nga Ahtisari. Kjo tregon se në Kosovë diçka po përgatitet!
Çfarë mund të paralajmërojnë deklaratat, që privatisht në takime më njerëz të niveleve të ndryshme në Kosovë, i bëjnë zyrtarë shumë të lartë të administratës së UNMIK-ut, se qytetarët e Kosovës duhet t’i ruajnë dhe të sigurojnë armë? Për çfarë duhet të sigurohen ende armë ose çka u duhen ato qytetarëve të Kosovës? Çfarë janë raportet “kofidenciale” që shkruajnë se Kosova duhet të përgatitet për ta mposhtur ushtarakisht Serbinë? Ose mirupafshim në një luftë tjetër. Kur u dashka të ndodhte ky konfrontim i Kosovës me Serbinë? A i ka këto kapacitete Kosova, që ushtarakisht të hyjë edhe në një luftë, përsëri me Serbinë? Çfarë janë ato përgatitjet të UNMIK-ut për t’u mbrojtur dhe në rast nevoje për t’u evakuuar? Nga kush duhet të mbrohen ose pse duhet të evakuohet punëtorët e UNMIK-ut? Kush e paska ndërmend ta sulmojë UNMIK-un dhe për çfarë arsye? Pse KFOR-i nuk ka ndërmend të konfrontohet më forcat serbe, nëse vije deri në atë pikë? A nuk është KFOR-i në Kosovë pikërisht për ta mbrojtur territorin dhe qytetarët e saj?

Çfarë janë këto veprime, nga kush po udhëzohen të ndërmerren dhe për çfarë arsye? A do të thotë se statusi nuk do të zgjidhet dhe se UNMIK-u e KFOR-i, nga shërbimet e veta në Kosovë, por edhe nga qendrat e tyre në Nju Jork dhe Bruksel, kanë marrë informacione se do të ndodhë diçka në Kosovë? A do të thotë se kanë humbur shpresat se statusi i Kosovës do të zgjidhet në KS të OKB-së dhe për këtë arsye Kosova do të detyrohet ta shpallë pavarësinë njëanshëm? Si reagim ndaj kësaj shpallje të njëanshme të pavarësisë së Kosovës do të ketë konfrontim të armatosur mes shqiptarëve dhe serbëve. Çfarë është ajo kontrabandë e armëve që po ndodh në disa vende fqinje të Kosovës? Cili është destinacioni i atyre armëve, kush do t’i përdorë dhe ndaj kujt? Pse vazhdohet ende të mblidhen para për të blerë armatim? A kanë lidhje këto veprime më atë që deklarohet, se Kosova duhet ta mposhtë ushtarakisht Serbinë dhe për ta arritur këtë duhet të sigurohet armatimi? Apo vërtet do të ketë një konfrontim të ri mes Kosovës dhe Serbisë?

Janë shumë pyetje që dikush duhet t’u përgjigjet. Dikush më siguri se ka informacione për këto lëvizje dhe ata duhet të sqarojnë prapavijën e vërtetë të këtyre veprimeve. Por, a do të munden qytetarët e Kosovës ta përballojnë një presion të tillë që po ushtrohet mbi ta? A do të munden ta durojnë një moratoriumi të ri statusor ose shtyrje të mëtutjeshme të procesit të statusit të Kosovës? Askush nuk e beson këtë variant, edhe pse dikush mund të mashtrohet në këtë pikë. Megjithatë e tëra kjo përmbledhur në një fjalë, do të thotë, PËRGATITUNI! Qytetarët e Kosovës duhet të përgatiten për skenarët që u janë shkruar jashtë. Atje po hartohet strategjia e të ardhmes së Kosovës. Çfarë e ardhme?

Ne vazhdimisht dëgjojmë liderët politikë të Kosovës, por edhe ata politikanë dhe diplomatë që vijnë në Kosovë për të na vizituar, të kërkojnë durim dhe duke deklaruar se procesi është afër përfundimit. Procesi është afër përfundimit, por çfarë do të jetë ai përfundim? Kryetari i Kosovës tani është bërë monoton më deklaratat e tij të njëjta, edhe atëherë kur situata është për t’u ndier të relaksuar, por edhe atëherë kur është për t’u frikësuar. Kryeministri vazhdon të digjet nga datat e pasakta për kohën e definimit të statusit të Kosovës që jep dhe dihet se afatet ose datat e papërmbushura ku e dërgojnë, si paraardhësit e tij, në shtëpi. Liderët opozitarë janë bërë lojtarë të mirë të bashkësisë ndërkombëtare dhe me zell po zbatojnë politikën e tyre, madje aspak nuk e kanë merak që brenda ditës mund ta ndërrojnë qëndrimin e tyre disa herë.

Nga e gjithë kjo duhet shtruar një pyetje, çfarë do të jetë fundi i procesit ose kur do të jetë ky fund? Do të jetë Kosova e pavarur apo dikush është i interesuar që t’ia vejë flakën përsëri? A do të definohet këtë muaj, në qershor, në fund të vitit apo në vitin 2010 statusi i Kosovës? Për politikanët e Kosovës duket se kjo pak çon peshë. Ata më të zënë janë me simbolet dhe heqjen ose jo dorë nga disa simbole partiake, sesa për të ardhmen e Kosovës ose shkakun se për çka dhe ku duhet të përdoren ato simbole. Simbolet pa shtetësi, çfarë i duhen Kosovës? Simbole pa shtetësi i kemi këto të caktuara nga UNMIK-u, shumë të mira janë. Avazi i përgjumjes politike të liderëve të Kosovës, por edhe atyre ndërkombëtar po vazhdon. Se kur do të zgjohen nga kjo agoni do të shohim? Lutem që zgjimi i tyre të mos jetë nga skenarët që u përmend, sepse ky zgjim do të ishte i tmerrshëm dhe më pasoja, ndoshta mund t’i kapë infarkt nga zgjimi i shpejtë?

(Autori është gazetar i politikës në Kosovë)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›