E Diel, 1 Nëntor 2026

Thank you, Tony – Merci, Nicolas!

a.Fundi i Historisë!
Ndoshta dhjetë vjet për Britaninë kanë qenë fare pak, e nga ana tjetër ishin shumë për Toni Blerin (Tony Blair). Edhe ballkava të jetë…përditë ajo të vel, thotë një proverb shqiptar. Lideri britanik me emër rinor të stilit Italian e me një fytyrë po aq rioshe, s`do jetë më në kuadrot filmikë të edicioneve të lajmeve, në samitet ndërkombëtare, në diskutimet pafund në parlamentin britanik, (kur erdhi në Downing Street më 1997 ai ishte kryeministri më ri britanik në moshë që nga viti 1812). Pas 27 korrikut, “djaloshi” Blair del në pension politik, për t`i çelur udhën emrave dhe politikës së re londineze. “Si do ta gjykojë historia” pyet me të drejtë revista britanike e shumëshitur në botë, The Economist. Kjo do t`i ngelet historisë, por njerëzit që e thurin historinë me jetën e tyre, mendojnë se Bler ndërsa ikën, po lë pas një Britani më të mirë se ç`e gjeti, një Europë më të konsoliduar, një Irak të paktën pa diktatorë, dhe mbi të gjitha ajo që është më e rëndësishme për ne, një Ballkan të paqtë…pa shtypës e të shtypur!

Qeveria e Toni Blerit (ose më mirë qeveritë e tij laburiste), ka qenë padyshim qeveria më proshqiptare britanike që nga Lufta e Dytë Botërore. Këtë e thonë edhe analistët, që janë thelluar sidomos në Luftën më të fundit në Ballkan, atë të Kosovës. Megjithëse i mbështetur në një aparat politik thellësisht serbofil (jugosllavofil më drejtë) me një shërbim sekret që ende ushqente nostalgjirat titiste, Toni Bler mbështeti pa rezerva operacionet e NATO-s kundër makinës vdekjembjellëse të Millosheviçit. Ai meriton një falënderim e mirënjohje nga shqiptarët, sidomos kosovarët, të cilëve u njohu vuajtjet makabrre që ata hoqen mbi shpirtrat dhe shpinat e tyre në fundshekullin XX. Ndonëse Bler thuajse gjatë gjithë qeverisjes së tij dhjetëvjeçare u akuzua/kritikua si një “i lidhur prej kërthize me Uashingtonin”, ai sërish bëri atë që mendoi se ishte më e drejtë…dhe këtë tha edhe para dy javësh gjatë lamtumirës së tij të trishtë në zonën e tij zgjedhore… “gjithçka bëra ndoshta nuk ishte e drejtë, por besomëni, bëra atë që mendova se ishte më e drejta” tha Bler. Dhe sigurisht, ashtu siç papushim po e thonë edhe mediat europiane, Bler lë pas tij shumë herë më tepër të mira sesa gabime! Mbështetja e plotë për pavarësinë e Kosovës këto ditë, është ndoshta nga të mirat e fundit që “djaloshi” me emër italian e fytyrë rioshe do t`i lërë botës para se të iki… Falemnderit zoti Blair!

b. Historia e Fundit!
Rreth 340 kilometra në lindje të Londrës, një tjetër lider ikën e një tjetër vjen në vendin e çuditshëm të revolucioneve, historisë, filozofisë; me pak fjalë pararojës së mendimit europian. Në Paris iku politikani me emrin melodioz Zhak Shirak (Jacques Chirac) pas dy mandateve si i parë i francezëve, vendin e tij e mori Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy) një politikan i pritur ndryshe në Europë. Prej mëse një jave, mediat europiane gëluan e gëlojnë nga ato që pritet të bëjë Sarkozi, ato që pritet të ndryshojë në fytyrën e nënës Francë, dhe në imazhin e gjyshes Europë! Deklaratat e tij që kanë shqetësuar një Turqi të tërë, apo që kanë frikësuar Ballkanin, apo që kanë trandur Brukselin, duket se kanë qenë thjesht elektorale. Nikola Sarkozi do jetë një “neo-DeGolist” që padyshim do ndryshojë menunë e politikës franceze dhe europiane, por ai do të dijë të jetë gjithëpërfshirës dhe të mos ndikohet nga ajo që do cënonte shpirtin gjysmë shekullor europian. Kjo u duk edhe më qartë para dy ditësh, kur Sarkozi thirri në qeveri politikanë të djathtë e të majtë, emra të njohur të dy kampeve, profilet e të cilëve janë larg tezave që Sarkozi tha nëpër sheshe gjatë fushatës.

Jo vetëm kaq, por Sarkozi, kreu i një vendi që shpesh ka treguar tepri në “dashurinë” për Beogradin, emëron si ministër të jashtëm një person i cili ka qenë nga të parët që ka konfirmuar vite më parë se Kosova do të fitojë pavarësinë duke nënkuptuar se e mbështet atë. Bernar Kushner (), politikani i majtë hyn në qeverinë e djathtë të Fransua Fillo (Francois Fillon) në ditët e fundit të maratonës kosovare drejt pavarësisë që megjithëse e kushtëzuar mbetet pavarësi. Një nga çështjet kryesore në arenën ndërkombëtare që Sarkozi dhe Kushner do të përballen është Kosova, dhe mjekut të suksesshëm francez do t`i duhet të kthehet sërish pas në eksperiencën e tij kosovare 99-01, kur udhëhoqi qytetarët e rinj të lirë të Europës, kosovarët të ktheheshin në shtëpi pas eksodit dhe të hidhnin bazat e shtetit të tyre të ri. Pra, ky ndryshim kursi është në përputhje me qëndrimin e deritanishëm franko-europian në mbështetje të Marti Ahtisarit. Pra, Nikola Sarkozi dha shenjën e parë se nuk është për izolimin e Ballkanit Perëndimor, aq më tepër për kthim në politika të vjetra që i kushtuan rajonit jetë njerzish (kujtoni Bosnjen). Pra duke uruar ish shefin e tyre të parë, kosovarët dhe ne sëbashku me ta i kemi një falënderim borxh zotit Sarkozi!

* Zv/kryeredaktor i lajmeve në TVSH - (Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike) albantartari@yahoo.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›