Fondet publike, investimet realizohen 67 për qind
Vendi është kthyer në kantier ndërtimi, ku rrugë të reja kanë mbaruar, të tjera kanë nisur punimet dhe shumë akse presin të nisin. Ministri Olldashi në prezantimin e raportit 7-mujor të dikasterit që drejton ka theksuar se brenda vitit, fondet e destinuara për investime në infrastrukturë do të realizohen plotësisht. Ndonëse 7-mujori në shifra nuk duket se ka një realizim të mjaftueshëm, ministri Olldashi e ka vlerësuar pozitive të situatën e investimeve në rrugë. Ndonëse në një realizim rreth 67 për qind të fondeve buxhetore, ministri Olldashi e quan këtë realizim arritje, krahasuar me periudhat e viteve të mëparshme. Nga ana tjetër, thekson se ky mandat shërbeu për të shtruar dhe nisur udhë të reja, ndërsa ai që do të vijë do të shërbejë për të krijuar një sistem të tërë modern rrugor në vendin tonë. Gjatë analizës 7-mujore të dikasterit që ai drejton, ministri Olldashi tha se investimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 67 %, ndërsa ato më financim të huaj 56 %. "Të dyja këto shifra janë mjaft pozitive dhe në nivele shumë më të mira krahasuar me të gjithë periudhën e mëparshme të realizimit të infrastrukturës rrugore dhe janë premisë e sigurt që do të kemi brenda fundit të vitit realizim optimal". Kreu i MPPTT-së, Olldashi, theksoi se "gjithsej janë 161 objekte në të cilët po punohet, rrugë të reja dhe rikonstruksione, ku ecuria është mjaft e mirë". Sipas tij, paralelisht me to, në këto muaj të parë është punuar intensivisht edhe për hartimin e projekteve të reja, për t'iu përgjigjur kështu rritjes së financimeve buxhetore në rrugë. "Konkretisht po projektohen rreth 70 akse të tjerë rrugorë që do të financohen në një të ardhme të afërt për të përmbushur objektivin e qeverisë që brenda mandatit të dytë t'i japë vendit një rrjet tërësisht modern", - deklaroi Olldashi. Ministri Olldashi nënvizoi se veçori përbën mirëmbajtja e rrugëve, ku financimi i vitit 2008 është rritur me 20 % kundrejt vitit 2007. Por, ajo që duhet veçuar është se për herë të parë, rreth 70 % e akseve rrugore mirëmbahet me kontraktorë të tretë. Ndërkaq ai bëri me dije se në vitin 2008 janë dyfishuar fondet për sigurinë rrugore nga 95 milionë në 174 milionë. Por, dyfish është rritur edhe eficenca në përdorimin e këtyre fondeve. Në vitin 2007, realizimi faktik vjetor i fondeve në këtë zë ka qenë vetëm 55 %, ndërkohë që në 7 muajt e parë të 2008 është realizuar 91 % e fondit vjetor për sigurinë. Nga ana tjetër, ministri Olldashi ka vlerësuar ecurinë e punimeve në rrugën Durrës-Kukës-Morinë, duke deklaruar se deri tani ka përfunduar rreth 50 për qind e punimeve, si dhe 60 për qind e gërmimeve në tunel. Olldashi ka siguruar se rruga Durrës-Kukës do të jetë gati për t’u shfrytëzuar në mesin e vitit që vjen, duke respektuar kështu afatet që janë përcaktuar në kontratë. "Në segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash ka progres shumë të mirë dhe është realizuar deri tani mbi 50% e volumit total të ndërtimit dhe ajo që përbën edhe treguesin pozitiv është realizimi në tunele. Në tunelin e Thirrës, me gjatësi prej 5.6 km, është realizuar 60 % e gërmimit, që është edhe një shifër mjaft optimiste", - tha ministri Olldashi. Sipas tij, ecuria e mirë në këtë tunel, si pika më kritike e kësaj rruge, na bën optimistë që rruga do të mbarojë në afatin e vet. Për sa i përket kostos së kësaj rruge, ministri Olldashi u shpreh se nuk mund të thuhet një kosto përfundimtare e rrugës, pasi kjo është një kontratë me çmim për njësi. "Ne kemi një supervizor ndërkombëtar, kemi një projekt-menaxher të zgjedhur, që është një kompani angleze shumë e njohur, gjithashtu ndjekim në mënyrë të përditshme punimet aty dhe gjithçka është e matshme, çka do të thotë se në përfundim të projektit, në bazë të volumeve të realizuara, do të thuhet edhe kosto përfundimtare e rrugës", - deklaroi ministri i PPTT, Sokol Olldashi.
Rrugë të përfunduara:
•Mbikalimi i Kamzës
•Tepelenë - Gjirokastër
•Tiranë-Vorë (Krahu i djathtë)
•Tiranë Vorë (Krahu i majtë Loti 1)
•Kamëz – Zall Herr
•Rruga e Saukut
•Masat inxhinierike Shkopet-Burrel
•Masat Inxhinierike rruga e Komanit
•Pukë – Hadroj
•Romanat – Plepa
•Rrëshqitja e Dukatit
Po punohet në akset:
•Dublimi i rrugës Kalimash-Morinë
•Tetë lote të rrugës së bregut
•Korçë – Qafë Plloçë
•Bulqizë – Bllatë
•Instituti Bujqësor – Qendër Kamëz
•Has – Qafë Prosh
•Bajram Curri – Dragobi
•Lezhë – Shëngjin
•Rruga Nacionale – Spille
•Unaza e Korçës (2 lote)
•Bypass i Kukësit (2 lote)
•Hyrja e Shkodrës (Loti 2)
•Krutje – Fier Shegan
•Çiflik – Kosovë
Hekurudhat, mbërrijnë kërkesat e para për koncesion
Në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit kanë mbërritur kërkesat e para për marrjen me koncesion të Hekurudhave Shqiptare. Ministri i PPTT-së, Sokol Olldashi, deklaroi dje se "aktualisht në ministrinë e PPTT-s- kanë mbërritur edhe kërkesat e para për dhënien me koncesion të hekurudhave shqiptare. Ne jemi duke i shqyrtuar dhe pritet që në muajt e mbetur të këtij viti, apo në fillim të vitit 2009 të paraqiten edhe strategjitë e zhvillimit nga kompanitë e interesuara". Sipas tij, situata në Hekurudhat Shqiptare vazhdon të jetë problem, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet infrastruktura e këtij sistemi. Gjithsesi, - tha ministri Olldashi, - treguesit janë pozitivë për sa i përket realizimit të transporteve në ton mallra, por kemi një realizim jo të kënaqshëm të transportit të udhëtarëve". "Për 7 muaj të këtij viti transporti i mallrave është realizuar 99.7 % të planit ose 232.333 ton mallra, ndërsa transporti i udhëtarëve është realizuar 74.3 % të planit ose 489.8 mijë udhëtarë", - tha ministri Olldashi.
Transporti ajror, numri fluturimeve rritet 10 për qind
Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet aeroportit “Nënë Tereza” është rritur ndjeshëm krahasuar me 7-mujorin e vitit të kaluar. Në këtë aeroport shënon rritje numri i denstinacioneve direkte, si dhe numri i fluturimeve. Ministri Olldashi tha dje gjatë analizës 7-mujore se Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” regjistroi në gjashtë muajt e parë një numër prej 540.585 pasagjerësh, duke shënuar një rritje prej 19 % krahasuar me një vit më parë. Në këtë periudhë numri i destinacioneve direkte u rrit në 33, ndërsa numri i fluturimeve u rrit me 10 për qind. Si rezultat i rritjes mbi parashikimin të transportit ajror, në përputhje edhe me ligjin e koncesionit të aeroportit të Rinasit, në qershor filloi puna për zgjerimin e terminalit të aeroportit, një investim prej 20 milionë eurosh. Në aspektin ligjor, vlen të përmendet hartimi i Kodit Ajror, një kërkesë kjo e lidhur edhe me programin e stabilizim-asociimit. Draft-kodi është shpërndarë për mendim në ministritë e linjës dhe pritet të dërgohet brenda pak ditësh për aprovim në Këshillin e Ministrave.