E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tymnaja mbi bujqësinë

Partia kryesore në opozitë sërish u ra tambureve këto ditë për një bujqësi shqiptare në krizë të plotë. Me krizë të plotë zakonisht ekonomistët kuptojnë ulje të fortë të prodhimit, kataklizëm, rënie të paparë të ardhurash, papunësi masive, ulje të investimeve etj. Pa dyshim që bujqësia jonë ka me qindra probleme të trashëguara sot. Të një milion bujqit tanë kanë me mijëra arsye të jenë të pakënaqur dhe të ankohen. Por të thuash që ndodhen në krizë nuk i qëndron realitetit. Nuk mund të quhet në krizë një sektor, kur ai rrit prodhimin. Nuk mund të shihet në tatëpjetë një pjesë e ekonomisë, nëse eksportet e saj janë në rritje të qëndrueshme. Në Shqipëri sot dy janë lokomotivat e zhvillimit, krahas sektorit tradicional të ndërtimit që ka 16 vjet në bum të mirëfilltë(por që me thënë të vërtetën ka nisur të tkurret paksa): turizmi dhe prodhimi bujqësor. Dhe për këtë të fundit nuk është e nevojshme të jepen shifra. Mjafton të shkosh në një dyqan bulmeti apo ushqimor çfarëdo në secilin qytet tonin dhe kupton rritjen e ofertës së prodhimit vendas. Ndërtimi i akseve kryesore rrugore (autostradave) që kalojnë në zonat bujqësore të vendit dhe përmirësimi i disa rrugëve rurale në rrethet më prodhimtare ka nxitur bujqit tanë të nxjerrin perimet dhe frutat e tyre në treg. Qoftë dhe në formën e pikave ambulante të shitjes buzë rrugës. Të shtojnë sipërfaqet me sera të formuara edhe thjesht duke sistemuar strehë plastmasi dhe mbjellë bimë nën to. Mundësia për të marrë rreth katër-pesë milionë lekë të vjetra nga mbjellje të reja pemësh frutore, mbarështim bagëtish e aktivitete të tjera(nga fondi prej 10 milionë dollarësh i dhënë nga qeveria këtë vit) po ashtu ka shërbyer si katalizator. Të gjitha këto nuk kanë të bëjnë aspak me ndonjë krizë apo kataklizëm, por me përpjekje për të zëvendësuar një pjesë të mirë të importit të deritanishëm të produkteve bujqësore me prodhim vendas. Nuk mund të fitosh pikë duke mohuar këtë ringjallje të bujqësisë shqiptare. Pse ringjallja nuk është politike, as edhe e ka sjellë qeveria. Ajo s’ka si të marrë meritën për ringritjen e sektorit bujqësor, kur toka bujqësore është 100 për qind e privatizuar. Ajo ka detyrat e saj në kryerjen e politikave bujqësore në mbështetje të prodhimit dhe jetës rurale. Kështu që kur gërthet krizë, gishtin tek qeveria shqiptarët ndoshta do ta kishin vënë nja pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ishin mësuar që gjithçka ta sillte shteti dhe qeveria. Sot mund të hysh në zemrat e bujqve tanë duke ofruar alternativa zhvillimi, dukë kërkuar fonde të dhjetëfishuara nga buxheti i shtetit për shumëfishimin e aktiviteteve në fshat(turizëm rural, ngritje të zejteve, festivale kulturore etj.), duke synuar bujqësinë organike dhe kthyer rininë të qëndrojë në fshat, pse kështu edhe ndjell paratë e BE-së(që i ka ta panumërta) për zhvillimin rural. Por jo duke nxirë atë që po zbardhet, prodhimin bujqësor në rritje. Dhe këtë prodhim sot e sulmojnë jo specialistë të saj, por thjesht politikanë. Bujqësia e vendit dhe bujqit tanë së pari duhen kuptuar, pastaj duhet kërkuar ndryshimi i gjendjes së tyre. Nuk je kurrsesi më pranë bujkut duke gërthitur orë e çast “krizë, braktisje totale, harresë epokale!”. Problemet e mprehta të sotme të bujqësisë janë titujt e ngatërruar të pronësisë së tokave bujqësore, mungesa e regjistrimit të plotë të bujqve dhe tokave të tyre nën punë si njësi prodhimi, mungesa e pikave të rregulluara të tregtimit, mënyrat se si të afrohen bankat dhe të zgjerohet krediti bujqësor që sot është gati inekzistent. Është duke ndërtuar programe të detajuara për zgjidhjen e këtyre halleve, që opozita mund të fitojë realisht pikë dhe të bëhet zëdhënëse e problemeve të bujqve shqiptarë. Ajo ka edhe gati një vit kohë. Nuk ka pse ngutet. Le të thërrasë në konsultë të gjithë specialistët e saj. Të përgatisë plane e programe të detajuara për investimet në bujqësi apo në zhvillimin rural shqiptar. Kështu nuk do të bjerë në dërrasë të kalbur dhe të nxijë një situatë që mirëfilli është vërtet komplekse dhe problematike, por që nuk ndodhet në qorrsokak.

Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›