Godo nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Kosovën
Shqipëria dhe Kosova do të nisin së shpejti bashkëpunimin edhe në fushën e shëndetësisë. Marrëveshja mes dy ministrive të Shëndetësisë, e cila do të nënshkruhet sot në Prishtinë (Kosovë), është një thellim i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërinstitucional mes të dyja vendeve. Zyra e Shtypit pranë Ministrisë së Shëndetësisë bëri të ditur se ministrja Anila Godo nisi të hënën një vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Kosovës, me ftesë të homologut të saj, Alush Gashi. Gjatë kësaj vizite, znj. Godo do të ketë një takim me Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ndërsa në prani edhe të Kryeministrit Hashim Thaçi, do të nënshkruajë marrëveshjen me homologun Gashi, e cila parashikon forcimin e bashkëpunimit midis dy dikastereve në fushën e mbrojtjes së shëndetit, shkëmbimin e përvojave, trajnimin e mjekëve etj. Gjatë qëndrimit në Kosovë, znj. Godo do të vizitojë dhe memorialin e Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz.