PRIRJET VETËSHËRBYESE
Një pjese të mirë lexuesish, po t’u përmendësh “vetëshërbimin” si prirje, si vetëpëlqim, si përshtatshmëri, me siguri që kanë për të mbledhur buzët, do t’u vijë keq. Me fjalë të tjera njerëzit në përgjithësi nuk e duan, nuk e durojnë, nuk përshtaten dot me të vërtetat e jetës. Këtu hyn në lojë “ndjenja e përshtatshmërisë”, sepse shumica shfaqin prirje vetëshërbimi vetëm se duan të duken si “për të qenë të sigurt”. Kjo do të thotë se jo të gjithë veprojnë me prirje vetëshërbyese. Prirjet vetëshërbyese në radhë të parë janë “përshtatshmëri”. Të kesh ndjeshmëri të lartë politike do të thotë se kjo prirje te ty ekziston si mëshirë, si kaos vetëpëlqyes, si dëshirë e parealizuar dhe një problem me ekzistencën e depresionit (qoftë edhe të lehtë). Në thelb prirja vetëshërbyese është shfajësim. Kujt ia kërkon ndjesën? çfarë lehtësimesh shpirtërore pëson njeriu pas larjes që bën së brendshmi? A është plotësisht në natyrën e tij kjo ndjenjë e re? çfarë e motivon konkretisht njeriun në këtë “udhë”? Dihet se kur vetvetja jonë ndihet mirë, atëherë edhe ne jemi më pak mbrojtës, por i gjykojmë si gjithnjë më tepër të tjerët, i fryjmë zjarrit të thashethemeve, “ua bëjmë gjëmën” në çast kujtdo qoftë, teksa fryn erë e një papërshtatshmërie leqendisëse, të lodhur e fragmentare. Në këto raste ne heqim plotësisht dorë nga ata që nuk na pëlqejnë. Në vetëdijen tonë jemi thellësisht të bindur se vetëm ne “kemi të drejtë”, se çdo gjë e të tjerëve “është e gënjeshtërt”. Shikojini me vëmendje të dyja kampet e mëdha të politikës sonë dhe do të kuptoni menjëherë se ata vuajnë nga mosfunksionimi si duhet i prirjes vetëshërbyese. Ose më thjesht ndiqni një debat televiziv që përbën thelbin e një demonstrimi më të gjerë politik. Pikërisht aty do të ndiqni thuajse të njëjtin spektakël. Asnjëri krah nuk ka moderimin e duhur, vetëpërmbajtjen e domosdoshme, asnjëri nuk shpreh përshtatshmërinë e nevojshme dhe angazhimin vetjak për të qenë më i duruar.
“Prirja vetëshërbyese” na bën më të papërshtatshëm për të fryrë “ata që na pëlqejnë dhe të heqim dorë nga ata që nuk na pëlqejnë”. Ky është një përcaktim interesant. Në çdo rast të tillë njeriu (edhe njeriu politik) vepron për t’u dukur, ose për t’u tallur. Mund të ndodhë që një lider, për të arritur atë që lakmon, pushtetin, përdor çdo mjet kundërshtimi, derisa faqja e zezë t’u ngjajë të gjithëve si e bardhë. Sepse iluzioni arrihet edhe duke këmbëngulur vijimisht në të njëjtën pikë. “Pika e strehës shpon gurin” dhe kjo është e vërtetë. Vetëpëlqimi i këtyre njerëzve (qoftë edhe politikë, të medias etj.) është i dëmtuar, është i përthyer keq, si drita që tjetërsohet në prizëm. Për shembull, kur i thua një “personazhi” se keni dalë shumë dobët në një test zgjuarsie (fjalim, monolog të gjatë në studio televizive etj.) – ka tendencë të mos përfillë të tjerët. Ai duket se është fyer keq në sedër dhe se ka tendencë më të madhe për të dhënë “shpjegime vetëshërbyese” për suksesin dhe dështimin, sesa një tjetër që e shfaq hapur sedrën dhe ka një motivacion të dukshëm, ndonëse shpesh ngushëllues. Si përfundim “kërcënimet e vetëpëlqimit” mund të shkaktojnë mungesë vetëmbrojtjeje. Kur ndihen të pambështetur, njerëzit mund të paraqiten me një vetëmbështetje më të ngritur, shoqëruar gjithnjë me dukurinë e njohur socialpsikologjike të “shfajësimit”, duke gjetur madje edhe “barkën e shpëtimit” për t’ua “hedhur fajin të tjerëve”. Me fjalë të tjera, njerëzit që bien, që rrëzohen, kërkojnë të rrëzojnë edhe të tjerët!
Megjithatë, vetëpëlqimi i lartë shkon krah për krah me perceptimet vetëshërbyese. Ata që arrijnë pikë të larta në testin e vetëpëlqimit (kur janë të suksesshëm në një fjalim, në një pranim publik, në një debat, por edhe në punët profesionale e artistike), flasin shumë dhe mirë për veten, thonë gjëra që spikatin të mençura, duke shpjeguar sukseset dhe dështimet, gjatë vlerësimit të grupit të tyre (grup social, politik etj.), por dhe kur krahasohen me të tjerët.
Megjithatë, “prirjet vetëshërbyese” dhe “shfajësimet” që i shoqërojnë, i mbrojnë njerëzit nga depresioni. Por zakonisht njerëzit janë pa depresion, prandaj dhe ata shfajësojnë dështimet e tyre, duke përmendur se e kanë vetveten nën kontroll. Shihja një mbrëmje një opinionist “të egërsuar”, që dukej së largmi i depresuar, i mërzitur e më i zgjuar, veçse i shihte të tjerët në kaleidoskopin e iluzionit: ç’nuk thoshte për të tjerët. Këtu ka vend thënia e famshme e Blez Paskalit (Meditime, 1670): “Unë e quaj fakt, se po qe se njerëzit do ta dinin se ç’thonë të tjerët për ta, nuk do të kishte katër miq në botë”.
Socialpsikologu Sheldon Solomon (2007) propozon një arsye tjetër për të treguar se vetëpëlqimi pozitiv është përshtatës: “Mashtruesit mund të japin një shfaqje më bindëse ndershmërie, nëse ata besojnë se janë të ndershëm. Bindja në epërsi na motivon të kemi arritje – krijimi i një profecie vetëpërmbushëse – dhe mund të mbajë gjallë një ndjenjë shprese në kohë të vështira”.
#