Nishani: Ligji për faljet? Nuk cenohet roli i Presidentit
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ka reaguar pas dërgimit të projektligjit për faljet e të dënuarve në Këshillin e Ministrave, duke sqaruar se ky draft nuk prek kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës. “Nuk ka asnjë kompetencë ekstra që i jepet ministrit të Drejtësisë, por ministri i Drejtësisë, duke pasur në dorë instrumentet, vendimet e gjykatave, përmes arkivit ku depozitohen të gjitha vendimet e gjykatave dhe për më tepër, ndjekjen e dinamikës së vuajtjes së dënimit në institucionet e vuajtjes së dënimit, mund të marrë një informacion të saktë dhe vlerësues në mënyrë të tillë, që për çdo propozim t’i sjellë një material referues, sa më të plotë dhe më të saktë Presidentit të Republikës”, deklaroi Nishani, duke saktësuar se ky ligj qartëson akoma më shumë bazën ligjore dhe natyrisht i jep më shumë informacion vendimmarrësit të vetëm që është Presidenti i Republikës. Deklarata është realizuar gjatë inaugurimit të arkivit elektronik për ish të përndjekurit politikë. Tashmë aplikuesit nuk do kërkojnë informacion nga një punonjës i kësaj zyre, por do hyjnë vetë në kompjuterët e vënë në dispozicion.
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, shprehet se kjo risi do të shmangë burokracitë dhe do të rrisë transparencën e procesit.
“çdo person që ka depozituar kërkesën për të përfituar në bazë të ligjit dëmshpërblim nuk do të marrë informacion në rrugë manuale, por do të ketë në dispozicion në këtë zyrë kompjuterin dhe vetëm duke paraqitur emrin e të dhënat e gjendjes civile mund të verifikojë të gjithë ecurinë e dosjes”, shtoi Nishani, duke saktësuar se së shpejti do të ketë një vendim qeverie që u jep prioritet atyre ish të përndjekurve që janë ende gjallë.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, në arkivin dixhital është hedhur informacion për rreth 20500 dosje që janë në procesin e trajtimit.
#