E Shtunë, 31 Tetor 2026

PROF. EUGENE PITTARD KRYQI I KUQ SHQIPTAR DHE URDHERI I SKENDERBEUT

TAKIM ME PROF.EUGENE PITTARD NE GJENEVE

Përgjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti, dëbora kjo mysafire e rrallë e Gjenevës, zbardhi si rrallë herë qytetin, malin e Salevit dhe liqenit Leman i hodhi një vello të kristaltë mbi supe. Shëtis udhëve të Gjenevës me shallin në qafë dhe me duart futur thellë në xhepat e palltos së gjatë dimërore. Kaloj pranë Muzeut Etnografik dhe vështrimi më ndalet në oborr tek busti i prof. Eugene Pittard që duket sikur më përshëndet së largu si një mik i vjetër. Njeriu që e ka krijuar atë muze që në djep me duart e tij, qëndron stoik në pozicionin e tij dhe nuk do t’ja dijë as për peshën e viteve as për dëborën e freskët të këtij dimri zemërak. Nuk është rastësi që qytetarët e Kalvinit e quajnë atë muze prej vitesh muzeu Pittard.Qyteti i Gjenevës vështirë se mund të gjejë një engjëll mbrojtës dhe ciceron më të devotshëm se prof. Eugene Pittard. Gjithcka pasionante që ai ka bërë gjatë 95 viteve të egzistencës së tij, vazhdon ta bëjë me të njëjtën dashuri dhe pas shkëputjes së tij fizike nga bota jonë e të gjallëve. Pasi përshëndetemi me njëri tjetrin dhe dal nga oborri i muzeut, më kujtohet një miku im botues, i cili ka kohë që më kërkon një fotografi të shtëpisë së prof. Eugene Pittard. Nxjerr celularin dhe kërkoj adresën e shtëpisë së profesorit : 36, chemin des Cottages.Nuk kam nevojë as për hartë as për GPS. Pas pak minutash, mbërrij para shtëpisë së tij. Një zonjë flokë argjendtë që banon aty pranë më prek lehtë në sup dhe më thotë se prej shumë vitesh rruga nuk figuron më me atë emër. Rrugica e dikurshme sot është bulevard dhe mban pikërisht emrin e profesorit Eugene Pittard. Papritur më pushtojnë emocionet, sikur prof.Eugene Pittard nga casti në cast do të shfaqet te porta e shtëpisë së tij. Sytë i kam të fiksuar te kutia postare. Për shumë e shumë dekada me radhë, postjerët e qytetit të Gjenevës kanë patur shumë punë në atë shtëpi. Në atë kuti postare ata kanë futur me mijëra e mijëra letra që po ti identifikosh nga pullat e tyre mbajnë vulat e të pesë kontinenteve.Vetëtimthi më shkon ndër mend fakti se në atë kuti postare kanë mbërritur kushedi sa letra nga Shqipëria. Kush do t’i ketë dërguar vallë ?

Me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr 88, datë 24 janar 1921, Këshilli i Naltë i Shtetit shqiptar nxorri dekretin Nr 29/1 të datës 29 janar 1921 ku prof.Eugene Pittard emërohej Konsull Nderi i Shqipërisë në Gjenevë. Lejomëni të citoj shprehimisht betimin e prof. Eugene Pittard : « Unë do ta kryej detyrën qi ma ngarkoni me ndërgjegje e me therori tyke ruajtun ligjet e shtetit shqiptar e do të jemë gjithnji besatar përpara Këshillit të Naltë e Kabinetit shqiptar e mbrojtësi i Indipendencës të Shqipnis e i flamurit tonë ».(Dekreti i Këshillit të Naltë të Shtetit shqiptar, datë 29.1.1921.AQSH.MPJ.f.251,viti 1921,D.4, FQ.15-16).

Shqiptarët e kanë dashur dhe repektuar prof. Eugene Pittard sikur ai të ishte biri i tyre deputet i cili do të mbronte aspiratat dhe të drejtat e tyre në metropolin e kombeve në Gjenevë.
Ata do të komunikonin me E.Pittard dhe pas mungesës së tij fizike në Shqipëri dhe ai do të ndjente emocion sa herë hapte letrat e tyre në shtëpinë e tij : 36,chemin des Cottages në Gjenevë. Bëj fotot që i kisha premtuar mikut tim dhe vazhdoj udhën që zbardh nga dëbora.

NE GJURMET E KRYQIT Të KUQ SHQIPTAR

« Zoti profesor. Lexuam me mjaft interes artikullin e zonjës Noelle Roger botuar në gazetën La Suisse të datës 27 tetor 1921. Jeni të lutur të na njoftoni adresën e komitetit të ri të kryqit të kuq shqiptar i krijuar me iniciativën tuaj duke ju autorizuar t’i bëni me dije kushtet që duhet të përmbushë për pranimin e tij(firmosja e Konventës së Gjenevës dhe njohja e shoqatës së kryqit të kuq nga qeveria shqiptare)… ».

Paule des Gouttes
Shef i sekretariatit të komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq. 31.10.1921

Adresa e dytë që kam shënuar në celular: Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Gjenevë.Ora 9 kam takim me Fabrizio Bensin, shef i shërbimit arkivor. Jam në kërkim të dokumenteve arkivore për kryqin e kuq shqiptar dhe rolin që ka luajtur Prof.Eugene Pittard në themelimin e tij. Shfletoj dokumenta dhe më bëhet se po shfletoj faqe të tëra të historisë së vendit tim. Përpjekjet e jashtëzakonshme të prof. E.Pittard për Shqipërinë janë të pandara nga kontributi dhe përkushtimi stoik i bashkëshortes së tij Helenë, e njohur në rrethet letrare të kohës me pseudonimin Noelle Roger. Duke qenë dëshmitare e momentit historik të krijimit të Kryqit të kuq shqiptar, gazetarja dhe shkrimtarja e mirënjohur në një artikull të saj shkruan : « … Në Tiranë ku duhej të ishte selia e komitetit të shoqatës së re hezitohej ende kur u njoftua se mbërriti një delegacion i seksionit të Vlorës, i sapokrijuar tri javë më parë, i përbërë nga infermjere myslimane të cilat mbanin në krahë emblemën e kryqit të kuq. Pas fjalimit të prof.Eugene Pittard, mbi rolin e kryqit të kuq në Europë dhe apelin që ai u bëri të pranishmëve për të krijuar shoqatën e tyre të kryqit të kuq, shumë oratorë që e morën fjalën u shprehën të gatshëm ta krijonin shoqatën menjëherë. U krijua një komitet me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. U zgjodh presidenti, zëvëndëspresidenti, sekretari, inspektori i përgjithshëm, etj… Ata e ndjenin se në këtë periudhë të vështirë që po kalonte Shqipëria, një shkallë e tillë organizimi konsiderohej vepër patriotike. Në datën 4 tetor(1921.Shënimi im K.I.) ishte themeluar kryqi i kuq shqiptar. Detyra e tij e parë ishte tu vinte në ndihmë refugjatëve, mjerimi i të cilëve ishte i papërshkrueshëm… »( Noelle Roger : Le journal : La Suisse : « En Albanie- Une nouvelle société de la Croix-Rouge ». 27.10.1921). President i shoqatës së kryqit të kuq shqiptar u zgjodh Dr. Rifat Frashëri, shkencëtar, zbulues i mikrobit të tërbimit dhe drejtor i përgjithshëm u zgjodh Dr. Ahmet Sadedini. Në një letër që Paule des Gouttes, Shef i sekretariatit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gjenevë i dërgonte prof. Eugene Pittard në 31 tetor 1921, midis të tjerash shkruante : « Zoti Profesor. Lexuam me mjaft interes artikullin e zonjës Noelle Roger botuar në gazetën : La Suisse të datës 27 tetor 1921. Jeni të lutur të na njoftoni adresën e Komitetit të ri të Kryqit të Kuq Shqiptar i krijuar me iniciativën tuaj duke ju autorizuar ti bëni me dije kushtet që duhet të përmbushë për pranimin e tij(firmosja e Konventës së Gjenevës dhe njohja e shoqatës së Kryqit të Kuq nga qeveria shqiptare), në mënyrë që të përshpejtohet njohja zyrtare e kryqit të kuq shqiptar nga komiteti ndërkombëtar i kryqit të kuq dhe prezantimi i tij me shoqatat e tjera simotra. Komiteti ndërkombëtar i kryqit të kuq është shumë i kënaqur nga iniciativa juaj për krijimin e shoqatës së kryqit të kuq në Shqipëri… ».(Arkivi i komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq Gjenevë. EC/MB CR 00/3). Statuti i kryqit të kuq shqiptar u aprovua me vendimin Nr. 985 të Këshillit të Ministrave të datës 26.04.1922, u firmos nga kryeministri Xhaferr Ypi, ministri i brendshëm Ahmet Zogu, ministri i luftës Ismail Tatzati dhe nga dy anëtarë të Këshillit të Lartë të Regjencës S.Peci dhe R.Topija. President nderi i kryqit të kuq shqiptar u zgjodh Ahmet Zogu. Me tu nënshkruar Konventa e Gjenevës nga qeveria shqiptare në 13 shtator 1923, Kryqi i kuq shqiptar u njoh zyrtarisht nga komiteti ndërkombëtar i kryqit të kuq. Drejtoria e kryqit të kuq shqiptar falenderon Lord Robert Cecil, D’Estournelles de Constant dhe Justin Godard për kontributin e tyre në krijimin e këtij institucioni. Drejtoria e kryqit të kuq shqiptar i shpreh gjithashtu mirënjohjen e saj kryqit të kuq amerikan i cili kishte shpërndarë ndihma në prapavijën e ushtrisë shqiptare në vitin 1920.

PROF.EUGENE PITTARD - I DELEGUAR I LIDHJES SE KOMBEVE NE SHQIPERI

«… Shqipëria do të duhet t’i sigurojë popullsisë së zonave të veriut mundësinë e shtimit të bagëtive të tyre, t’ju sigurojë mjetet për rindërtimin e fshatrave të shkatërruara nga lufta, të blejë material bujqësor dhe farëra. Atëherë do të kemi të drejtë t’u themi malësorëve dhe mirditorëve : Tani keni gjithcka që ju nevojitet, përvishjuni punës ! Një shtet ose disa shtete, vetë Shoqëria e Kombeve, a nuk mund t’i akordojë Shqipërisë një hua që të dalë nga kjo fatkeqësi… Sigurimi i një shume të tillë më duket i papërfillshëm në krahasim me shuma të tjera të shpenzuara për qëllime më pak urgjente dhe më pak fisnike. A nuk ka të drejtë Shoqëria e Kombeve të ndërmarrë të gjitha iniciativat e nevojshme. Nëse do të isha i pasur, do t’ja kisha ofruar vetë këtë hua Shqipërisë ».

Prof.Eugene Pittard.1924

Hap celularin përsëri dhe kërkoj adresën e tretë : Pallati i Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Godinat hijerënda ngrihen midis pishave të larta. Paraqes kartën e gazetarit në portën kryesore dhe hyj brenda. Ngjis shkallët e mermerta dhe hyj në një nga sallat plenare të
Pallatit të Kombeve.Më vjen ndër mend Midhat Frashëri (alias Lumo Skendo), një nga dishepujt e politikës dhe të kulturës shqiptare. Ai do t’i dërgonte Prof. Eugene Pittard me postë dorëshkrimin e tij të titulluar : « Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë ».Lumo Skëndo kishte hedhur në letër gjithcka kishte herrur për Shqipërinë dhe shqiptarët nëpër bibliotekat dhe arkivat evropiane. Tani që kishte shkruar dhe fjalinë e fundit e brente pak ndërgjegja dhe nuk e linte të qetë. Mos vallë e kishte lëvduar më shumë se c’duhet racën shqiptare. Për ta cliruar veten nga ky makth, vendos t’ja dërgojë dorëshkrimin e tij antropollogut dhe balkanistit të shquar prof. Eugene Pittard në Gjenevë. Ja c’shkruan prof. Eugene Pittard në letër parathënien e librit të Lumo Skendos « Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë » në 6 maj 1919 : « … Shqiptarët janë pasardhësit autentikë të ilirëve të lashtë. Ata zënë një hapësirë që të parët e tyre historikë kanë ditur ta mbrojnë me një heroizëm të pakrahasueshëm. Njihen vështirësitë ushtarake që iu desh të kapërcejnë romakëve për tu futur në Iliri. Dihet se në Gadishullin Ballkanik shqiptarët nuk u thyen kurrë nga osmanët. Historia e Skënderbeut nuk është harruar… »( Shtëpia botuese Zenit.Tiranë 2002.Përktheu Ferdi Tirana).Përpjekjet e Shqipërisë për tu pranuar anëtare e Lidhjes së Kombeve u kurorëzuan me sukses në 17 dhjetor 1920. Presidenti i komisionit mikst të kryqit të kuq ndërkombëtar zoti Gustav Ador në datën 24 janar të vitit 1924 merr një letër nga Dr. Ahmet Sadedini, drejtor i përgjithshëm i kryqit të kuq shqiptar. Në letrën në fjalë ai e informonte politikanin e lartë zviceran për krizën e urisë që kishte pllakosur disa zona malore të Shqipërisë së veriut. Komisioni mikst i kryqit të kuq ndërkombëtar në mbledhjet e tij të 8 shkurtit, 1 marsit dhe 3 marsit 1924 i drejtonte një apel 11 shoqatave të kryqit të kuq, në vecanti vendeve fqinje me Shqipërinë që ti vinin në ndihmë kryqit të kuq shqiptar. Kryqi i kuq italian në 23 dhjetor 1923, i dërgoi ndihma kryqit të kuq shqiptar. Në 10 mars 1924, kryqi i kuq britanik i dërgoi kryqit të kuq shqiptar një kontigjent me kinina kundër malaries.Qeveria rumune premtoi të dërgojë 250.000 kg misër. Vështirësitë e transportit e detyruan atë ta konvertojë këtë dërgesë në një cek në vlerë 1 milion lei. Komiteti ndërkombëtar i kryqit të kuq i dërgoi shoqatës së kryqit të kuq shqiptar 5000 franga ndihmë. Në një artikull të botuar në Gjenevë në vitin 1924, prof. Eugene Pittard do të shkruante : «…Të gjithë ata që kanë studjuar problemin e Shqipërisë së veriut, njerëzit atje gjithashtu, janë dakord që në këtë vend duhet krijuar një rend i ri ekonomik që të eliminojë të gjitha këto fatkeqësi për të cilat ne kemi qenë dëshmitarë të dhimbshëm – ndaj të cilave të paktën mund të luftohet.Shqipëria do të duhet ti sigurojë popullsisë së zonave të veriut mundësinë e shtimit të bagëtive të tyre, t’ju sigurojë mjetet për rindërtimin e fshatrave të shkatërruara nga lufta, të blejë material bujqësor dhe farëra. Atëherë do të kemi të drejtë t’u themi malësorëve dhe Mirditorëve : Tani keni gjithcka që ju nevojitet, përvishjuni punës ! A nuk mund t’i akordojë Shqipërisë një shtet ose disa shtete –vetë Lidhja e Kombeve një hua që të dalë nga kjo fatkeqësi… Sigurimi i një shume të tillë më duket i papërfillshëm në krahasim me shuma të tjera të shpenzuara për qëllime me pak urgjente dhe më pak fisnike. A nuk ka të drejtë Lidhja e Kombeve të ndërmarrë të gjitha iniciativat e nevojshme ? Nëse do të isha i pasur, do t’ja kisha ofruar vetë këtë hua(Shqipërise-shënimi im K.I) – e përfundon artikullin e tij prof. E.Pittard (Matériaux pour l’étude de calamités naturelles. Genève. La famine en Albanie : 1924, nr 2, pp.169-172). Këshilli i Lidhjes së Kombeve në 13 mars 1924, pas dëgjimit dhe aprovimit të raportit të lordit Parmoor, vendosi ti akordojë Shqipërisë 50.000 franga ndihmë. Komisioni miks në një mbledhje të posacme emëroi si të deleguar të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri, prof. Eugene Pittard, doktor i shkencave, profesor në fakultetin e shkencave në Universitetin e Gjenevës. Prof. E.Pittard e pranoi me kënaqësi mandatin që i ngarkohej nga Lidhja e Kombeve. Në 23 mars 1924, komisioni mikst zhvilloi një seancë dëgjimore në të cilën prof. E.Pittard parashtroi programin e tij para nisjes në Tiranë. Suksesin e misionit të tij në Shqipëri, Prof. E.Pittard e bazonte në bashkëpunimin e ngushtë me kryqin e kuq shqiptar dhe me kryqin e kuq italian. Në 27 mars 1924, prof.E.Pittard niset në Romë për të bashkërenduar programin e tij me drejtorin e kryqit të kuq italian, senator Giovanni Ciraolo. Pas Romës, prof.E.Pittard do të shkonte në Bari prej nga ku do nisej me anije në Durrës. Në datën 2 prill duhej të ndodhej në Tiranë.(Gjej rastin këtu të falenderoj zotin Jacques Oberson, shef i arkivit të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë dhe arkivistin Neytcho Iltchev). Komisioni Ndihmës i Kontrollit të Lidhjes së Kombeve ishte krijuar në 7 prill 1924. Ky komision nën drejtimin e konsullit të Francës në Shqipëri, zotit Beguin -Billecock kishte për detyrë të siguronte bashkërendimin e punës midis Këshillit të Kombeve, qeverisë shqiptare dhe banorëve të prefekturës së Shkodrës. Komisioni Ndihmës i Kontrollit kërkonte të siguronte një administrim sa më të mirë të shpërndarjes së misrit popullatës në nevojë në veri të Shqipërisë ( AMAE, SDN, N,1957, Convention entre Commission Auxiliaire de Controle et M. Eugene Pittard, délégué de la SCN, Scutari le 13 avril 1924). Në 28 prill 1924, prof. Eugene Pittard i sapokthyer nga misioni i tij në Shqipëri, i dërgonte Eric Drummond, sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, një raport ku midis të tjerash e vinte në dijeni për situatën e vështirë në prefekturën e Dibrës, Kosovës dhe Shkodrës. Një grup vullnetarësh anglezë kishte shkuar në veri të vendit për ti ardhur në ndihmë banorëve të prefekturës së Dibrës, ndërsa në prefekturën e Kosovës dhe të Shkodrës llogariteshin rreth 60.000 – 70.000 banorë të cilët vuanin nga uria. Për të përballuar urinë, banorët e atyre zonave ishin të detyruar të konsumonin për ushqim farën e bimëve që do të mbillnin gjatë sezonit të pranverës. Për të blerë drithë, malësorët ishin të detyruar të shisnin dhe kokët e fundit të bagëtive të tyre. C’do të ndodhte më pas me ta ? – pyeste i shqetësuar prof. Eugene Pittard ! Me paratë që i kishin mbetur, prof.E.Pittard mund të blinte 20- 25 kg misër për person për 50.000- 60.000 banorët e prefekturës së Shkodrës, por nuk i tepronte asgjë më tepër për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prefekturës së Kosovës. Shqipëria vuante që prej dy vjetësh nga thatësira e madhe dhe një dyndje e paparë karkalecash kishte sulmuar fushat e Shkodrës. Këtyre fatkeqësive i duheshin shtuar dhe përmbytjet e vitit 1924 në zonën e Shkodrës të cilat kishin mbuluar me ujë shumicën e tokave të mbjella.(Nëse do të konsultonim fototekën Marubi me siguri do të kishim parë Shkodrën e përmbytur të vitit 1924 duke parë në pasqyrë Shkodrën e përmbytur të janarit të këtij viti). Për shkak të angazhimeve të tij antropollogjike dhe akademike në Universitetin e Gjenevës, prof. Eugene Pittard për fat të keq e shihte të pamundur rikthimin e tij në Shqipëri. Për ta vazhduar më tej misionin e Lidhjes së Kombeve në Shqipëri, prof.Eugene Pittard propozoi si administrator të ndihmave humanitare në Shqipëri, Henri Cuenod. Gjatë misionit të tij, ai do të shoqërohej nga i deleguari i përgjithshëm i komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq, Raymond Schlemmer.

Ata do të inspektonin së bashku zonat e Shkodrës, Lezhës, Shëngjinit, Kukësit,Pukës dhe do të vazhdonin programin e nisur nga Prof. Eugene Pittard për të shpëtuar nga uria popullsinë e zonave të veriut. Krahas takimeve që do të zhvillonin me banorë të zonave të veriut, me prefektë, ministra të qeverisë dhe me konsuj të huaj, ata do të priteshin në një audiencë të vecantë në datën 24 qershor 1924 nga kryeministri i Shqipërisë peshkop Fan S.Noli (Henri Cuenod : Rapport au Conseil de la Société des Nations. Genève.Document C 454 M, 168, 1924, VII).

PROF.EUGENE PITTARD – OFICER I LARTE I URDHERIT TE SKENDERBEUT

« I kemi akordue Zotni « Profesor » Eugene Pittard, dekoratën Komandeur me hyll
(Grand officier) i Urdhënit të Skënderbeut e i japim si certifikatë të kësaj dekorate këtë letër kredenciale të plotësueme me nënshkrimin t’onë personal e me vulën presidenciale »

Ahmet Zogu. President i Republikës Shqiptare. Tiranë, 8 kallnuer 1927
Arkivi i Muzeut Etnografik. Gjenevë

Kisha kohë që rrëmoja nëpër bibliotekat dhe arkivat e Gjenevës. Kaloja orë të tëra nëpër libraritë antikuarë, panairet e librave të vjetër dhe më shtoheshin të rrahurat e zemrës kur « zbuloja » qoftë dhe një rresht a një gravurë për Shqipërinë. Përpija gjithcka që kishte shkruar Prof. Eugene Pittard dhe bashkëshortja e tij Helenë(alias Noelle Roger). Lexoja gjithashtu, gjithcka kishin shkruar të tjerët për ta, pasi isha i bindur se dokumente të tilla do të më duheshin për të shkruar monografinë për Eugene Pittard. Shkëmbeja mendime me Jean-Claude Pittard, nipin e prof.E.Pittard në zyrën e tij në Tribune de Genève. Duke pirë një kafe në l’Ile Rousseau a në Bagatelle, diskutoja me pasion me Claire Pittard, mbesën e profesorit Eugene Pittard. Kërkimeve të mia këmbëngulëse nuk i kishin shpëtuar as Arkivi i shtetit të Gjenevës, as Arkivi i komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq, as Biblioteka Bastion, as Muzeu Etnografik i Gjenevës. Kisha bërë kërkime gjithashtu në Arkivin e Shtetit dhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Kisha një parandjenjë se dicka e bukur do të ndodhte së shpejti. Në datën 9 shkurt pasdite, ngrita receptorin dhe formova numrin e telefonit të drejtorit të Muzeut Etnografik të Gjenevës, zotit Boris Wastiau. Ndonëse, ka pak kohë i zgjedhur drejtor i këtij institucioni kulturor, ai e njeh Muzeun dhe arkivin e tij po aq mirë sa c’njeh një botanist emërtimet shkencore të luleve në park. Ai është etnolog dhe antropolog në profesion dhe shquhet si një nga afrikanistët dhe amerikanistët më të mirë. Prof.Eugene Pittard do të ishte gjatë gjithë jetës së tij i zoti i asaj shtëpie, ati dhe mysafiri i saj par exellence. Pasi i përshkrova drejtorit të muzeut Boris Wastiau qëllimin e kërkimeve të mia shkencore, i kërkova leje për të hulumtuar në arkiv. Pasi e falenderova për ndihmën, mora kontakt me Christophe Gros, etnograf me eksperiencë, përgjegjës për administrimin e objekteve të prof.Eugene Pittard në arkivin e Muzeut Etnografik. Mëngjesi i datës 10 shkurt gdhiu i ftohtë dhe termometri shënonte -5° celcius. Përshëndeta Prof. Eugene Pittard në oborrin e Muzeut, takova në holl Christophe Gros dhe u nisëm së bashku drejt arkivit të Muzeut Etnografik. Me të mbërritur në vend, Cristoph Gros përpos rregullave teknike, më ofron një palë doreza të bardha dhe më tregon raftin ku ndodheshin dokumentet e Eugene Pittard. Ndërkohë që ai ulet para ordinatorit, unë filloj të prek një nga një dokumente origjinale,letra, foto, dekorata, urdhëra, fletë gazetash dhe revistash, portrete të prof.Eugene Pittard. Ndjej peshën e rëndë të historisë të më rëndojë mbi supe. Pasi kaloi pak kohë duke hulumtuar, papritur syri më zë një dekoratë akorduar prof.Eugene Pittard. Zemra nisi të më rrahë me forcë.Trupi im atë cast u shpërngul në kohë dhe në hapësirë dhe m’u duk sikur flurudha e fatit më nxorri përpara Taxh Mahallin. Si mund të qëndronte një dekoratë e tillë e fshehur si Hirushja e përrallave ! Para meje priste që të hapej një dosje në ngjyrë të kuqe në pjesën ballore të së cilës ishte gdhendur një shqiponjë me dy krerë në ngjyrë të verdhë. Me duar që më dridheshin hap dosjen dhe brenda saj shoh dy medalione. Njëri nga medalionet ka formën e krahëve të shqiponjës me dy krerë me një yll të verdhë pesëcepësh mbi krye. Në qendër ka të gdhendur përkrenaren e Skënderbeut me brirë dhie. Dy krahët e shqiponjës kanë një ngjyrë të thellë gjaku. Pikërisht tek ylli i verdhë pesëcepësh është i lidhur një shirit mëndafshi kuq e zi i njëjtë me shiritin kuq e zi që mbajnë në raste festash kryetarët e bashkive në Shqipëri.Medalioni tjetër tetë cepësh ka një epiqendër rrethore me fushë blu mbi të cilën është gdhendur në bronx përkrenarja me brirë dhie e Skënderbeut dhe mbi krye ka një yll të verdhë pesëcepësh. Vështrimi më kap një fletë pak më të madhe se një format i zakonshëm me ornamente floreale mbi të cilën është shkruar teksti i plotë i dekorimit. Po e citoj tekstin në origjinal : « I kemi akordue Zotni « Professeur » Eugene Pittard, dekoratën Komandeur me hyll(grand officier) i Urdhënit të Skanderbeut e i japim si certifikatë të kësaj dekorate këtë letër kredenciale të plotësueme me nënshkrimin t’onë personal e me vulën presidenciale » (Arkivi i Muzeut Etnografik.Gjenevë).Dekorata është akorduar në Tiranë në datën 8 kallnuer 1927 dhe është nënshkruar nga Ahmet Zogu, Kryetar i Republikës Shqiptare « i mveshur prej vullndetit të popullit me fuqinat e nalta të shtetit ». Ajo dekoratë mirënjohjeje, akorduar mikut të madh të Shqipërisë, prof. Eugene Pittard, ai tekst i shkruar me një kaligrafi të thjeshtë, ka të ngjizur në plazmën e saj tharmin e një miqësie të hershme shqiptaro-zvicerane. Si apostulli Shën Pal që shpërndau ungjillin e Krishtit në Iliri, prof. Eugene Pittard erdhi në Shqipërinë e dhjetëvjetëshit të parë dhe të dytë të shekullit të njëzetë në fillim për të bërë kërkime antropollogjike dhe më pas si vizionar i Lidhjes së Kombeve, paraardhëses së Kombeve të Bashkuara. Me dimensionin e gjerë të një njeriu human, të një kampioni të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të drejtave të popujve të vegjël, ai mëtoi me personalitetin e tij të fuqishëm t’ju sillte shqiptarëve shpresë dhe shtetit shqiptar të sapo njohur ndërkombëtarisht t’i blatonte dinjitetin dhe sovranitetin e munguar.Për të ravijëzuar më qartë rolin e prof.Eugene Pittard në përballimin e krizës së urisë në Shqipërinë e vitit 1924, mjafton t’u kujtojmë shqiptarëve të sotëm kontributin e rëndësishëm të ish-kryeministrit italian Romano Prodi dhe të ish-kancelarit austriak Franc Vranicki në zgjidhjen e krizave politike dhe humanitare pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri. Prof.Eugene Pittard i fali gjithcka Shqipërisë : studimet e tij shkencore për racën shqiptare, dashurinë për vendin e lashtë të ilirëve, kulturën e tij evropiane dhe eksperiencën e pasur të pedagogjisë dhe të shkollës helvetike. Erudicioni i tij i gjerë shkencor, portreti i tij si i dalë nga ndonjë afresk i rilindjes evropiane, shpirti human, intuita e mprehtë politike i ndricoi mendjen klasës politike shqiptare të kohës. Vepra e Prof. Eugene Pittard për Shqipërinë e panjohur deri tani, së shpejti do të bëhet e prekshme në duart e shqiptarëve dhe do të shpalosë dimensionet e saj humanitare, politike, kulturore dhe shkencore. Do të kisha dashur t’i propozoja Presidentit të Republikës të ftonte pasardhësit e prof.Eugene Pittard në Shqipëri dhe ta dekoronte prof.E.Pittard me Urdhërin e Flamurit Kombëtar. Do të kisha dashur t’i propozoja rektoratit të Universitetit të Tiranës ta nderonte profesorin e nderuar me titullin: « Doktor Honoris Causa ». Do të ishte nder i vecantë për kryqytetin, nëse bashkia e Tiranës do të emërtonte një rrugë me emrin e tij. Figura të tilla si Prof.Eugene Pittard dhe bashkëshortja e tij Helenë (alias Noelle Roger), miq të tillë të vyer që kanë luftuar për Shqipërinë sikur të ishte atdheu i tyre, iu ngjajnë meteorëve të ndritshëm të cilëve koha nuk ia zbeh shkëlqimin asnjëherë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›