Pika të ndryshuara në ligjin e arsimit të lartë
- Departamenti organizohet në grupe mësimore e kërkimore. Grupi mund të jetë edhe vetëm kërkimor. Titullarët e grupeve duhet të kenë së paku, gradën shkencore “doktor” dhe përzgjidhen me konkurrim të hapur, të drejtuar nga një komision ad-hoc i ngritur nga këshilli i profesorëve. Procedurat e ngritjes së komisionit ad-hoc dhe të konkurrimit, përcaktohen në statusin e institucionit të arsimit të lartë. Titullari i njësisë bazë i propozon autoritetit drejtues të njësisë kryesore emërimin e kandidatit të renditur në vendin e parë të listës nga komisioni ad-hoc, për një periudhë katërvjeçare.
-Drejtori i Qendrës Ndëruniversitare përzgjidhet me konkurs të hapur. Kandidati fitues propozohet nga ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe emërohet nga Presidenti i Republikës. Drejtorët e njësive përbërëse të Qendrës Ndëruniversitare emërohen nga drejtori i qendrës me konkurs të hapur. Kriteret dhe procedurat e zhvillimit të konkursit përcaktohen në statusin e Qendrës Ndëruniversitare.
- Titujt “akademik i asociuar” dhe “akademik” jepen nga Akademia e Shkencave, në përputhje me ligjin për Akademinë e Shkencave.
- Titulli docent u jepet anëtarëve të personelit akademik, që kanë gradën shkencore “doktor”. Ai u jepet edhe anëtarëve të personelit akademik, me së paku diplomë “master i shkencave” ose ekuivalent i saj në vende të tjera, të vlerësuar me rezultatin “shumë mirë” ose “shkëlqyer” dhe që kanë veprimtari mësimore-kërkimore, në një institucion të arsimit të lartë, jo më pak se pesë vjet, përjashtuar diplomat e ekuivalentuara, sipas paragrafit të katërt...
- Personeli akademik, me titull profesor, mund të shkëputet përkohësisht nga institucioni i arsimit të lartë, për një periudhë maksimale prej pesë vjetësh, të rinovueshme, për t’u angazhuar në detyra të rëndësishme shtetërore dhe politike. Këtu përfshihen edhe pozicionet drejtuese të agjencive të rëndësishme të sistemit të arsimit dhe shkencës. Për periudhën e shkëputjes, ky personel akademik mund të zëvendësohet nga personel akademik me kontratë të përkohshme ose me personel akademik të ftuar.
#