Gabon Shalke, Bajerni i Mynihut virtualisht kampion
Bajerni i Mynihut mund të përqendrohet totalisht në finalen e Champions League, që do të luajnë më 22 maj në “Santiago Bernabeu” përballë Interit. Kjo pasi të shtunën, skuadra e drejtuar nga Luis van Gal ka fituar virtualisht titullin kampion të Gjermanisë, kampionati i 22-të në histori. Bavarezët fituan 3-1 në “Alianz Arena” përballë Bokumit, me tri gola të Myler. Triumfi i tyre është shoqëruar nga hapi fals i Shalkes, që humbi 0-2 në fushën e saj kundër Verder Bremenit, një rezultat që i jep shanse të mëdha këtyre të fundit të luajnë në Champions gjatë edicionit të ardhshëm. Bajerni ngjitet në kuotën e 67 pikëve, ndërsa Shalke frenohet në 64. Tashmë duket e pamundur që të besuarit e Van Gal ta humbasin titullin, edhe sepse ata kanë shënuar 17 gola më shumë se rivalët direktë në Bundesligë. Gjithsesi bavarezët duhet të presin javën e fundit të kampionatit (që do të luhet gjatë fundjavës tjetër), për të festuar zyrtarisht titullin në fushën e Hertës së Berlinit, e cila i ka dhënë lamtumirën përpara kohe Bundesligës.
#