Sarandë, fluks pushuesish amerikanë
Fillim maji i sivjetshëm ka shënuar fluksin më të madh të turistëve të huaj. Agjencia turistike “Sipa Tours” ka mundësuar sjelljen në Sarandë të rreth dymijë turistëve amerikanë në bordin e kruazierës “Westerdam”, që mësohet se hedh spirancën për herë të parë në Gjirin e Sarandës. Numri i saktë i turistëve amerikanë në bordin e anijes “Westerdam” ka qenë 1920, e cila mësohet se ka udhëtuar për herë të parë drejt brigjeve tona. Arben çipa, administrator i kompanisë turistike “Sipa Tours”, tha se ekuipazhi i anijes përbëhet nga 850 vetë. Turistët e ditës së parë të majit kanë ardhur në Sarandë në vijim të guidës së tyre, që nis nga Italia dhe kanë vijuar udhëtimin drejt Kroacisë. Atyre u janë ofruar disa destinacione në bregdetin e Sarandës, si: vizita në qytetin e Himarës, vizita në monumentet natyrore të rajonit jugor, si Syri i Kaltër, apo në Kalanë e Lëkurësit dhe në qytetin antik të Butrintit. Jo pak prej tyre kanë preferuar që ditën plot diell të guidës së tyre turistike ta kalojnë duke njohur Sarandën e duke shëtitur në qytet. çipa u shpreh se për të siguruar një guidë sa më normale, ka siguruar bashkëpunim të frytshëm edhe me shërbimin e qarkullimit rrugor të Sarandës. “Sipa Tours” e ka realizuar këtë fluks turistësh ditorë në ditën e parë të muajit maj, falë bashkëpunimit me kompaninë prestigjioze turistike “Holand Amerikan Line”, më e madhja në tregun e kruazierave, e cila është e pranishme në tregun turistik të Sarandës prej tre vjetësh, ndërsa anija “Westerdam”, vjen për herë të parë.
#