E Shtunë, 31 Tetor 2026

PROFIL/Joachim Löw, realizuesi i lulëzimit gjerman

Nga Stefan Nestler

“Njeriu më me pushtet i Gjermanisë”. Kështu e cilësoi para pak kohësh një moderator televiziv Joachim Löw-in. Me siguri që këtu ka teprim, mirëpo në një vend me miliona të vetëquajtur ekspertë futbolli shefi i ekipit kombëtar nuk është dosido. Joachim Löw është si askush tjetër garanti për ngjitjen e futbollit gjerman në vitet e fundit. 52-vjeçari gëzon te përkrahësit dhe te ekspertët një emër të shkëlqyer. Me siguri që prej Sepp Herberger-it nuk ka pasur trajner tjetër kombëtareje kaq të padiskutueshëm.
Golashënues rekord në Frajburg
Megjithëkëtë karriera e “Jogi” Löw-it nuk ka qenë kurrsesi një sukses i vetëkuptueshëm. Si lojtar Löw (i cili për profesion është kualifikuar si tregtar grosist) nuk arriti në nivelin më të lartë. Lojtari ofensiv pati gjithsej 52 ndeshje në Bundesligë, me stacione ekipet VfB Stuttgart, Eintracht Frankfurt dhe Karlsruher SC. Löw ishte më i suksesshëm me klubin e qytetit të tij SC Freiburg, i cili asokohe luante ende në kategorinë e dytë. Dei sot Löw kryeson listën e golashënuesve më të mirë të frajburgasve me 81 gola në 252 ndeshje.
Avancoi me sukses
Si trajner Löw dha në 1997-n sinjalin e parë, kur fitoi me Shtutgartin kupën e Gjermanisë. Me FC Tirol Innsbruck Löw u bë në 2002 kampion i Austrisë. Në stacione të tjera si trajner nuk pati sukses të madh. Në 2004-n Joachim Löw nisi punë për Federatën Gjermane të Futbollit (DFB): si bashkë-trajner krahas shefit të ekipit Jürgen Klinsmann. Dueti e entuziazmoi ekipin kombëtar. Gjatë Kampionatit Botëror 2006 në shtëpinë e vet gëzonte tërë Gjermania. “Përralla e verës” përfundoi me vendin e tretë për gjermanët. Pas turneut Klinsmann-i dha dorëheqjen, Löw doli në radhën e parë. Bilanci i tij është i konsiderueshëm: i dyti në Kampionatin Evropian 2008, i treti në Kampionatin Botëror 2010, favorit për titull në këtë Evropian të 2012-s. Gjatë Kampionatit Botëror 2012 ekipi luajti “futbollin më tërheqës dhe e shpëtoi Botërorin nga kthimi në lojë të mërzitshme”, shkroi gazeta franceze “L’Equipe” dhe e zgjodhi Löw-in trajnerin e vitit 2010.
Shpejt përpara
“Unë besova në atë që futbolli gjerman do të zhvillohet për kohë të gjatë pozitivisht po qe se luajmë një futboll teknik”, ka thënë Löw në një intervistë. “Dhe e bukura është: ndërkohë i kam lojtarët për këtë.” Trajneri i kombëtares nxit dhe kërkon në mënyrë konsekuente talente të reja. Ai la jashtë lojtarë të sprovuar si Michael Ballack apo Torsten Frings (jo gjithnjë në mënyrë miqësore). Löw kërkon lojtarë kombëtareje, të cilët zbatojnë 100% përfytyrimin e tij për futbollin modern “Ne duam të kombinojmë, të luajmë me topin poshtë dhe vertikalisht. Ne duam që kultura e lojës të fillojë që nga mbrojtja.
Njeri që preferon rrezikun dhe i modës
Futbolli i tipit vetëm të mos pësojmë gol nuk është ai që i pëlqen Löw-it. “Një trajner i mirë është për mua ai, që ka guxim dhe prirje për rrezik, thotë Löw, të cilit i pëlqen ngacmimi i tensionit. “Kohë përpara shkoja nganjëherë me qejf në kazino. Më dukej interesante ruleta.” Ai është ngjitur edhe në Kilimanxharo, malin më të lartë të Afrikës. Löw jeton me të shoqen Danielën, me të cilën ai është i martuar prej 1986-s, në një fshat të vogël afër Frajburgut. (DW)

Euro 2012, Gjermania, ekipi me moshën më të re
Gjermania është skuadra që ka në përbërje futbollistët më të rinj në Euro 2012. Në bazë të listës së futbollistëve të grumbulluar të dorëzuar te UEFA, rezulton se përfaqësuesja e drejtuar nga Joachim Loew ka moshën mesatare më të re, me vetëm 24.52 vjeç. Në të vërtetë skuadra aktuale e Gjermanisë është më e re edhe se ajo që mori pjesë në Botërorin e vitit 2010, ku mosha mesatare e saj ishte 25 vjeç. Ndërkohë skuadra që mund të konsiderohet më e vjetra ndër 16 pjesëmarrëset e Euro 2012 është Irlanda e Xhovani Trapatonit me moshë mesatare 28.35 vjeç. Në këtë evropian do të zbresin në fushën e lojës në total 368 futbollistë dhe më i riu rezulton të jetë lojtari i Holandës Xhetro Uillems, 18 vjeç që i mbushi në muajin mars. Përsa i përket futbollistit më të madh në moshë është portieri i përfaqësueses greke Kostas Kalkias, 38 vjeç.

Van Marwijk: “Grupi i Ferrit”, jemi me fat
Bert van Marwijk mendon se fakti që Hollanda e tij ka rënë në Grupin e Ferrit së bashku me Gjermaninë, Portugalinë dhe Danimarkën në EURO 2012 do të jetë një plus motivimi dhe jo disavantazh. Në një intervistë për uefa.com, tekniku i Portokallinjve deklaroi: Kemi rënë në një grup shumë të fortë dhe ky do të jetë një motivim për ne. Nuk e shoh aspak si diçka të keqe. Në lidhje me favoritët e kampionatit europian që nis të premten, Van Marwijk u shpreh: Spanja, Gjermania, Franca, Italia, Hollanda dhe Anglia janë ekipe shumë të forta që kanë mundësitë e tyre. Trajneri nuk qartësoi objektivin e kombëtares që drejton: Dua vetëm të luaj ndeshjen e parë dhe më pas të shohim. Mund të ndodhin shumë gjëra. Nuk dua të shoh larg sepse nuk ka kuptim. Duhet të marrim ndeshjet me radhë. Hollanda do të luajë ndeshjen e parë ditën e shtunë në orën 18.00 ndaj Danimarkës në grupin B.

EURO 2012, Anglia mbyllet në mbrojtje
Pesë fitoret e fundit të Anglisë, përfshirë edhe suksesi në një miqësore ndaj Spanjës, kanë qenë me rezultatin 1-0 dhe duket se në EURO 2012 kombëtarja e Tre Luanëve do të vazhdojë në këtë linjë. Trajneri Roy Hodgson do të luajë me skemën 4-4-1-1, me dy linja të ngjeshura prapa dhe Rooney që do të lëvizë pas qendërsulmuesit (në dy ndeshjet e para Rooney mund të zëvendësohet nga Ashley Young për shkak pezullimi). Pritet që mos të ketë shumë lëvizje mes linjash dhe Anglia do të zhvillojë një lojë direkte, të thjeshtë dhe fizike. Po të shtojmë këtu edhe dëmtimet që kanë pësuar disa lojtarë kryesorë si Frank Lampard, Gary Cahill dhe Gareth Barry, Anglia do të shkojë larg në këtë Europian vetëm në një mënyrë: duke mos pësuar gola dhe duke shënuar në rastet e pakta që do të ketë në dispozicion. Anglia do ta luajë ndeshjen e parë të grupit D ndaj Francës, të hënën në orën 18.00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›