E Diel, 1 Nëntor 2026

PROJEKTLIGJ PER DISA NDRYSHIME E SHTESA NË LIGJIN NR.8957, DATË 17.10.2002, “PËR NDËRMARRJET E VOGLA E TË MESME”, TË NDRYSHUAR

P R O J E K T L I GJ


PËR

DISA NDRYSHIME  E SHTESA  NË LIGJIN NR.8957, DATË 17.10.2002, “PËR NDËRMARRJET E VOGLA E TË MESME”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Në ligjin nr.8957, datë 17.10.2002, "Për ndërmarrjet e vogla e të mesme", të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Neni 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 3

- “Ndërmarrje” quhet çdo subjekt, që ushtron një veprimtari ekonomike, pavarësisht formës së tij ligjore. Këtu përfshihen personat e vetëpunësuar, bizneset familjare, që merren me artizanat ose veprimtari të tjera, si dhe shoqëritë e shoqatat, që kryejnë, në mënyrë të rregullt, veprimtari ekonomike.
- “Shifër afarizmi” nënkupton shumat e faturuara nga ndërmarrja gjatë një viti, që i korrespondojnë shitjes në treg të të mirave dhe shërbimeve, ofruar të tretëve.
- “Shoqëri kapitali” janë shoqëritë aksionare, që kanë për objekt investimin e kapitalit në ndërmarrjet, e vogla e të mesme.
- “Investimi i kapitalit të përbashkët” është investimi i kapitalit të përbashkët në ndërmarrjet e vogla e të mesme, në çastin e krijimit të tyre ose në fazën e tyre fillestare të zhvillimit.
- “Fonde të zhvillimit rajonal” janë ato fonde, që sigurojnë mbështetje financiare për zhvillimin e rajoneve në fusha të caktuara si: investimet në kapacitetet e prodhimit, ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës, investimet në fushën e kujdesit shëndetësor dhe të edukimit, etj.
- “Ndërmarrje të vogla e të mesme të reja” vlerësohen ato ndërmarrje, të vogla e të mesme, të cilat janë regjistruar në QKR prej jo më shumë se 12 muajsh.”.

Neni 2

Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 4

1. Ndërmarrjet, në kuptim të këtij ligji, klasifikohen në: mikrondërmarrje, ndërmarrje të vogla dhe ndërmarrje të mesme.

2. Kategoria e mikrondërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme (NVM) përfshin ato ndërmarrje, ku punësohen më pak se 250 veta dhe që realizojnë një shifrë afarizmi dhe/ose një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë.

3. Ndërmarrje e vogël quhet një ndërmarrje, ku punësohen më pak se 50 persona dhe e cila ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor, jo më të madh se 50 milionë lekë.

4. Mikrondërmarrje quhet një ndërmarrje, ku punësohen më pak se 10 persona dhe e cila ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor, jo më të madh se 10 milionë lekë.”.

Neni 3

Pas nenit 4 shtohen nenet 4/1, 4/2, 4/3, 4/4, 4/5, 4/6, 4/7 e 4/8, me këtë përmbajtje:

“Neni 4/1

1. “Ndërmarrje autonome” quhet ajo ndërmarrje që:

a) është totalisht e pavarur dhe që nuk ka asnjë pjesëmarrje në kapitalin ose të drejtat e votës në një ndërmarrje tjetër dhe anasjelltas.
b) mund të ketë disa investitorë, të cilët zotërojnë secili më pak se 25 për qind të kapitalit apo të të drejtave të votës, por me kusht që të mos jenë të lidhur.
c) nuk klasifikohet si ndërmarrje partnere, në bazë të kuptimit të nenit 4/2, ose si ndërmarrje e lidhur, në bazë të neneve 4/1, pikat 2 e 3, e 4/3.

2. Një ndërmarrje mund të vlerësohet autonome edhe në rastet kur nuk ka asnjë ndërmarrje partnere, megjithëse pragu i 25 për qind të kapitalit ose të të drejtave të votës arrihet apo tejkalohet nga  investitorët e mëposhtëm:

a) Personat juridikë publikë  dhe shoqëritë e kapitalit, me kushtin që totali i investimeve të këtyre shoqërive, në të njëjtën ndërmarrje, të jetë më pak se 30 milionë lekë.
b) Universitetet dhe qendrat kërkimore jofitimprurëse;
c) Agjencitë, përfshirë fondet e zhvillimit rajonal;
ç)  Autoritetet vendore me buxhet vjetor më të ulët se 250 milionë lekë dhe me më pak se 5 000 banorë.

3. Në çdo rast, pragu nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e kapitalit ose e të drejtave të votës, me kushtin që investitorët e mësipërm të mos jenë të lidhur, individualisht ose bashkërisht, me ndërmarrjen në fjalë.


Neni 4/2

“Ndërmarrje partnere” janë të gjitha ndërmarrjet, që nuk klasifikohen si ndërmarrje të lidhura dhe ndërmjet të cilave ekziston marrëdhënia, si më poshtë vijon:

-  Një ndërmarrje zotëron vetëm ose bashkë me një a më shumë ndërmarrje të lidhura 25 për qind apo më shumë të kapitalit, por, në çdo rast, jo më shumë se 50 për qind të kapitalit ose të të drejtave të votës në një ndërmarrje tjetër.

Neni 4/3

“Ndërmarrje të lidhura” janë ato ndërmarrje, të cilat kanë një ose disa prej marrëdhënieve të mëposhtme me njëra-tjetrën:

a) Një ndërmarrje zotëron pjesën më të madhe të aksioneve ose të të drejtave të votës në një ndërmarrje tjetër.
b) Një ndërmarrje ka të drejtë të emërojë ose të shkarkojë pjesën më të madhe të anëtarëve të organeve administrative, drejtuese ose mbikëqyrëse të një ndërmarrjeje tjetër.
c) Një ndërmarrje ka të drejtë të ushtrojë ndikim dominues mbi një ndërmarrje tjetër, sipas kontratës, që ka lidhur me atë ndërmarrje, ose sipas një dispozite në statusin e shoqërisë.
ç) Një ndërmarrje, e cila si aksionare ose anëtare e një ndërmarrjeje tjetër, kontrollon e vetme, sipas një marrëveshjeje me aksionarët ose anëtarët e tjerë të asaj ndërmarrjeje, shumicën e të drejtave të votës mbi bazë aksionesh ose anëtarësh në atë ndërmarrje.

Neni 4/4

1. Prezumohet se nuk ekziston asnjë ndikim dominues, nëse investitorët e listuar në pikën 2, të nenit 4/1, nuk përfshihen vetë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në menaxhimin e ndërmarrjes në fjalë, pa paragjykim për të drejtat e tyre si aksionerë.

2. Ndërmarrje të lidhura janë edhe ato, që kanë ndonjërën nga marrëdhëniet e përshkruara në nenin 4/3, nëpërmjet një ose më shumë  ndërmarrjeve të tjera apo ndonjë nga investitorëve, të përmendur në pikën 2, të nenit 4/1.

3. Ndërmarrjet, që i lidhin një ose disa marrëdhënie të tilla me një person fizik ose grup personash fizikë, që veprojnë bashkërisht, vlerësohen, gjithashtu, ndërmarrje të lidhura, në qoftë se veprimtarinë e tyre ose një pjesë të saj e ushtrojnë  në të njëjtin treg përkatës.

4. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 2, të nenit 4/1, një ndërmarrje nuk mund të vlerësohet si ndërmarrje e vogël apo e mesme, nëse 25 për qind ose më shumë e kapitalit a e të drejtave të votës kontrollohen, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, bashkërisht a individualisht, nga një ose më shumë organe publike.

5. Ndërmarrjet mund të deklarojnë statusin e tyre, si ndërmarrje autonome, ndërmarrje partnere ose ndërmarrje e lidhur, përfshirë të dhënat, që lidhen me tavanet e përcaktuara në nenin 4, të ligjit. Deklarata mund të bëhet edhe në rastet kur kapitali është i shpërndarë në atë mënyrë që nuk është e mundur të përcaktohet se nga kush zotërohet. Në këtë rast, ndërmarrja mund të deklarojë, në mirëbesim, se nga asnjë ndërmarrje e vetme ose nga ndërmarrje të lidhura me njëra-tjetrën bashkërisht nuk zotërohet 25 për qind a më shumë e kapitalit.

Neni 4/5

1. Të dhënat që zbatohen për numrin e të punësuarve dhe shumat financiare, janë ato, që lidhen me periudhën e fundit të llogarive të miratuara dhe që llogariten në baza vjetore. Ato merren parasysh nga data e mbylljes së llogarive. Shuma e caktuar për të ardhurat llogaritet, duke përjashtuar tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe taksat e tjera indirekte.

2. Kur në datën e mbylljes së llogarive ndërmarrja zbulon se, në bazë vjetore, ka tejkaluar ose ka rënë poshtë numrit të të punësuarve apo tavanit financiar, të përcaktuara në nenin 4, ajo nuk e përfton ose e humb statusin e ndërmarrjes së vogël, ndërmarrjes së mesme apo të mikrondërmarrjes, me përjashtim të rastit kur këto tavane tejkalohen për dy periudha llogaritjeje, të njëpasnjëshme.

3. Në rastin e ndërmarrjeve të reja, llogaritë e të cilave nuk janë miratuar ende, të dhënat për t’u zbatuar duhet të përftohen nga një vlerësim, në mirëbesim, i bërë gjatë vitit financiar në vazhdim.


Neni 4/6

1. Numri i të punësuarve korrespondon me numrin e njësive vjetore të punës me kohë të plotë.

2. Puna e personave, të cilët nuk kanë punuar gjatë të gjithë vitit, puna e atyre, që kanë punuar me kohë të pjesshme, pavarësisht kohëzgjatjes, dhe puna e të punësuarve sezonalë llogariten si fraksione të njësive vjetore të punës, me kohë të plotë.

3. Stafi përbëhet nga:

a) punëmarrësit;
b) punëdhënësit;
c) partnerët, që angazhohen në një veprimtari të rregullt në ndërmarrje dhe që përfitojnë nga përparësitë financiare të ndërmarrjes.

4. Punëtorët në stazh, femrat para ose pas periudhës së shtatëzanisë, si dhe studentët, që angazhohen në trajnime profesionale, me kontratë, nuk përfshihen në staf.

Neni 4/7

1. Në ndërmarrjet autonome, të dhënat, përfshirë edhe ato për numrin e të punësuarve, përcaktohen ekskluzivisht, në bazë të llogaritjeve të ndërmarrjes.

2. Duke përfshirë edhe numrin e të punësuarve, të dhënat e një ndërmarrjeje, që ka ndërmarrje partnere ose ndërmarrje të lidhura, përcaktohen në bazë të llogaritjeve dhe të të dhënave të tjera të ndërmarrjes ose, aty ku ato ekzistojnë, në bazë të llogarive të konsoliduara të ndërmarrjes, ose të llogarive të konsoliduara, në të cilat ndërmarrja është përfshirë, nëpërmjet bashkimit.

Neni 4/8

1. Të dhënave të referuara në pikën 1, të nenit 4/6,  u shtohen të dhënat e çdo ndërmarrjeje partnere të ndërmarrjes në fjalë. Mbledhja bëhet proporcionalisht me përqindjen në kapital ose të drejtat e votës, cilado qoftë më e lartë. Në rast kryqëzimi aksionesh zbatohet përqindja më e lartë.

2. Të dhënave të parashikuara në pikat 1 e 2, të nenit 4/6,   u shtohen 100 për qind e të dhënave të çdo ndërmarrjeje, e cila është e lidhur, drejtpërdrejt apo tërthorazi, me ndërmarrjen në fjalë, kur këto të dhëna nuk janë përfshirë, nëpërmjet bashkimit të llogarive.

3. Për zbatimin e pikës 2, të nenit 4/6,   të dhënat e ndërmarrjes partnere të ndërmarrjes në fjalë përftohen nga llogaritë e tyre dhe të dhënat e tjera të tyre të konsoliduara, nëse ekzistojnë. Këtyre u shtohet 100 për qind e të dhënave të ndërmarrjeve, të cilat janë të lidhura me ato ndërmarrje partnere, përveç kur të dhënat e llogarive të tyre përfshihen nëpërmjet konsolidimit.

4. Për zbatimin e pikës 2, të nenit 4/6,   të dhënat e ndërmarrjeve, që janë të lidhura me ndërmarrjen në fjalë, duhet të përftohen nga llogaritë dhe të dhënat e tjera të tyre, të konsoliduara, nëse ekzistojnë. Këtyre u shtohen proporcionalisht të dhënat për çdo ndërmarrje të mundshme, partnere të asaj ndërmarrjeje të lidhur, përveçse kur ajo është përfshirë në llogaritë e konsoliduara, me të paktën një përqindje proporcionale me përqindjen e përcaktuar sipas pikës 2, të këtij neni.

5. Kur në llogaritë e konsoliduara nuk shfaqen të dhënat për numrin e të punësuarve për një ndërmarrje të caktuar, numri i të punësuarve llogaritet duke bashkuar proporcionalisht të dhënat nga ndërmarrjet e saj partnere dhe duke shtuar të dhënat nga ndërmarrjet, me të cilat ndërmarrja në fjalë është e lidhur.”.


Neni 4

Neni 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 11

Ministri përgjegjës për ekonominë përcakton kriteret për pjesëmarrjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në këto programe, sipas neneve 9 e 10, të këtij ligji.”.


Neni 5

Ngarkohet ministri përgjegjës për ekonominë të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore, në zbatim të neneve 4/1, 4/2, 4/3, 4/4, 4/7 e 4/8, të këtij ligji.

Neni 6

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I


JOZEFINA  TOPALLI


29/10/2008 Votoni per projektligjin PO:       JO: 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›