E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME  E SHTESA  NË LIGJIN NR.8957, DATË 17.10.2002, “PËR NDËRMARRJET E VOGLA E TË MESME”, TË NDRYSHUAR”


Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të  Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I :


Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime e shtesa në ligjin nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I


SALI  BERISHA

P R O J E K T L I GJ


PËR

DISA NDRYSHIME  E SHTESA  NË LIGJIN NR.8957, DATË 17.10.2002, “PËR NDËRMARRJET E VOGLA E TË MESME”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Në ligjin nr.8957, datë 17.10.2002, "Për ndërmarrjet e vogla e të mesme", të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Neni 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 3

- “Ndërmarrje” quhet çdo subjekt, që ushtron një veprimtari ekonomike, pavarësisht formës së tij ligjore. Këtu përfshihen personat e vetëpunësuar, bizneset familjare, që merren me artizanat ose veprimtari të tjera, si dhe shoqëritë e shoqatat, që kryejnë, në mënyrë të rregullt, veprimtari ekonomike.
- “Shifër afarizmi” nënkupton shumat e faturuara nga ndërmarrja gjatë një viti, që i korrespondojnë shitjes në treg të të mirave dhe shërbimeve, ofruar të tretëve.
- “Shoqëri kapitali” janë shoqëritë aksionare, që kanë për objekt investimin e kapitalit në ndërmarrjet, e vogla e të mesme.
- “Investimi i kapitalit të përbashkët” është investimi i kapitalit të përbashkët në ndërmarrjet e vogla e të mesme, në çastin e krijimit të tyre ose në fazën e tyre fillestare të zhvillimit.
- “Fonde të zhvillimit rajonal” janë ato fonde, që sigurojnë mbështetje financiare për zhvillimin e rajoneve në fusha të caktuara si: investimet në kapacitetet e prodhimit, ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës, investimet në fushën e kujdesit shëndetësor dhe të edukimit, etj.
- “Ndërmarrje të vogla e të mesme të reja” vlerësohen ato ndërmarrje, të vogla e të mesme, të cilat janë regjistruar në QKR prej jo më shumë se 12 muajsh.”.

Neni 2

Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 4

1. Ndërmarrjet, në kuptim të këtij ligji, klasifikohen në: mikrondërmarrje, ndërmarrje të vogla dhe ndërmarrje të mesme.

2. Kategoria e mikrondërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme (NVM) përfshin ato ndërmarrje, ku punësohen më pak se 250 veta dhe që realizojnë një shifrë afarizmi dhe/ose një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë.

3. Ndërmarrje e vogël quhet një ndërmarrje, ku punësohen më pak se 50 persona dhe e cila ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor, jo më të madh se 50 milionë lekë.

4. Mikrondërmarrje quhet një ndërmarrje, ku punësohen më pak se 10 persona dhe e cila ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor, jo më të madh se 10 milionë lekë.”.

Neni 3

Pas nenit 4 shtohen nenet 4/1, 4/2, 4/3, 4/4, 4/5, 4/6, 4/7 e 4/8, me këtë përmbajtje:

“Neni 4/1

1. “Ndërmarrje autonome” quhet ajo ndërmarrje që:

a) është totalisht e pavarur dhe që nuk ka asnjë pjesëmarrje në kapitalin ose të drejtat e votës në një ndërmarrje tjetër dhe anasjelltas.
b) mund të ketë disa investitorë, të cilët zotërojnë secili më pak se 25 për qind të kapitalit apo të të drejtave të votës, por me kusht që të mos jenë të lidhur.
c) nuk klasifikohet si ndërmarrje partnere, në bazë të kuptimit të nenit 4/2, ose si ndërmarrje e lidhur, në bazë të neneve 4/1, pikat 2 e 3, e 4/3.

2. Një ndërmarrje mund të vlerësohet autonome edhe në rastet kur nuk ka asnjë ndërmarrje partnere, megjithëse pragu i 25 për qind të kapitalit ose të të drejtave të votës arrihet apo tejkalohet nga  investitorët e mëposhtëm:

a) Personat juridikë publikë  dhe shoqëritë e kapitalit, me kushtin që totali i investimeve të këtyre shoqërive, në të njëjtën ndërmarrje, të jetë më pak se 30 milionë lekë.
b) Universitetet dhe qendrat kërkimore jofitimprurëse;
c) Agjencitë, përfshirë fondet e zhvillimit rajonal;
ç)  Autoritetet vendore me buxhet vjetor më të ulët se 250 milionë lekë dhe me më pak se 5 000 banorë.

3. Në çdo rast, pragu nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e kapitalit ose e të drejtave të votës, me kushtin që investitorët e mësipërm të mos jenë të lidhur, individualisht ose bashkërisht, me ndërmarrjen në fjalë.


Neni 4/2

“Ndërmarrje partnere” janë të gjitha ndërmarrjet, që nuk klasifikohen si ndërmarrje të lidhura dhe ndërmjet të cilave ekziston marrëdhënia, si më poshtë vijon:

-  Një ndërmarrje zotëron vetëm ose bashkë me një a më shumë ndërmarrje të lidhura 25 për qind apo më shumë të kapitalit, por, në çdo rast, jo më shumë se 50 për qind të kapitalit ose të të drejtave të votës në një ndërmarrje tjetër.

Neni 4/3

“Ndërmarrje të lidhura” janë ato ndërmarrje, të cilat kanë një ose disa prej marrëdhënieve të mëposhtme me njëra-tjetrën:

a) Një ndërmarrje zotëron pjesën më të madhe të aksioneve ose të të drejtave të votës në një ndërmarrje tjetër.
b) Një ndërmarrje ka të drejtë të emërojë ose të shkarkojë pjesën më të madhe të anëtarëve të organeve administrative, drejtuese ose mbikëqyrëse të një ndërmarrjeje tjetër.
c) Një ndërmarrje ka të drejtë të ushtrojë ndikim dominues mbi një ndërmarrje tjetër, sipas kontratës, që ka lidhur me atë ndërmarrje, ose sipas një dispozite në statusin e shoqërisë.
ç) Një ndërmarrje, e cila si aksionare ose anëtare e një ndërmarrjeje tjetër, kontrollon e vetme, sipas një marrëveshjeje me aksionarët ose anëtarët e tjerë të asaj ndërmarrjeje, shumicën e të drejtave të votës mbi bazë aksionesh ose anëtarësh në atë ndërmarrje.

Neni 4/4

1. Prezumohet se nuk ekziston asnjë ndikim dominues, nëse investitorët e listuar në pikën 2, të nenit 4/1, nuk përfshihen vetë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në menaxhimin e ndërmarrjes në fjalë, pa paragjykim për të drejtat e tyre si aksionerë.

2. Ndërmarrje të lidhura janë edhe ato, që kanë ndonjërën nga marrëdhëniet e përshkruara në nenin 4/3, nëpërmjet një ose më shumë  ndërmarrjeve të tjera apo ndonjë nga investitorëve, të përmendur në pikën 2, të nenit 4/1.

3. Ndërmarrjet, që i lidhin një ose disa marrëdhënie të tilla me një person fizik ose grup personash fizikë, që veprojnë bashkërisht, vlerësohen, gjithashtu, ndërmarrje të lidhura, në qoftë se veprimtarinë e tyre ose një pjesë të saj e ushtrojnë  në të njëjtin treg përkatës.

4. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 2, të nenit 4/1, një ndërmarrje nuk mund të vlerësohet si ndërmarrje e vogël apo e mesme, nëse 25 për qind ose më shumë e kapitalit a e të drejtave të votës kontrollohen, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, bashkërisht a individualisht, nga një ose më shumë organe publike.

5. Ndërmarrjet mund të deklarojnë statusin e tyre, si ndërmarrje autonome, ndërmarrje partnere ose ndërmarrje e lidhur, përfshirë të dhënat, që lidhen me tavanet e përcaktuara në nenin 4, të ligjit. Deklarata mund të bëhet edhe në rastet kur kapitali është i shpërndarë në atë mënyrë që nuk është e mundur të përcaktohet se nga kush zotërohet. Në këtë rast, ndërmarrja mund të deklarojë, në mirëbesim, se nga asnjë ndërmarrje e vetme ose nga ndërmarrje të lidhura me njëra-tjetrën bashkërisht nuk zotërohet 25 për qind a më shumë e kapitalit.

Neni 4/5

1. Të dhënat që zbatohen për numrin e të punësuarve dhe shumat financiare, janë ato, që lidhen me periudhën e fundit të llogarive të miratuara dhe që llogariten në baza vjetore. Ato merren parasysh nga data e mbylljes së llogarive. Shuma e caktuar për të ardhurat llogaritet, duke përjashtuar tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe taksat e tjera indirekte.

2. Kur në datën e mbylljes së llogarive ndërmarrja zbulon se, në bazë vjetore, ka tejkaluar ose ka rënë poshtë numrit të të punësuarve apo tavanit financiar, të përcaktuara në nenin 4, ajo nuk e përfton ose e humb statusin e ndërmarrjes së vogël, ndërmarrjes së mesme apo të mikrondërmarrjes, me përjashtim të rastit kur këto tavane tejkalohen për dy periudha llogaritjeje, të njëpasnjëshme.

3. Në rastin e ndërmarrjeve të reja, llogaritë e të cilave nuk janë miratuar ende, të dhënat për t’u zbatuar duhet të përftohen nga një vlerësim, në mirëbesim, i bërë gjatë vitit financiar në vazhdim.


Neni 4/6

1. Numri i të punësuarve korrespondon me numrin e njësive vjetore të punës me kohë të plotë.

2. Puna e personave, të cilët nuk kanë punuar gjatë të gjithë vitit, puna e atyre, që kanë punuar me kohë të pjesshme, pavarësisht kohëzgjatjes, dhe puna e të punësuarve sezonalë llogariten si fraksione të njësive vjetore të punës, me kohë të plotë.

3. Stafi përbëhet nga:

a) punëmarrësit;
b) punëdhënësit;
c) partnerët, që angazhohen në një veprimtari të rregullt në ndërmarrje dhe që përfitojnë nga përparësitë financiare të ndërmarrjes.

4. Punëtorët në stazh, femrat para ose pas periudhës së shtatëzanisë, si dhe studentët, që angazhohen në trajnime profesionale, me kontratë, nuk përfshihen në staf.

Neni 4/7

1. Në ndërmarrjet autonome, të dhënat, përfshirë edhe ato për numrin e të punësuarve, përcaktohen ekskluzivisht, në bazë të llogaritjeve të ndërmarrjes.

2. Duke përfshirë edhe numrin e të punësuarve, të dhënat e një ndërmarrjeje, që ka ndërmarrje partnere ose ndërmarrje të lidhura, përcaktohen në bazë të llogaritjeve dhe të të dhënave të tjera të ndërmarrjes ose, aty ku ato ekzistojnë, në bazë të llogarive të konsoliduara të ndërmarrjes, ose të llogarive të konsoliduara, në të cilat ndërmarrja është përfshirë, nëpërmjet bashkimit.

Neni 4/8

1. Të dhënave të referuara në pikën 1, të nenit 4/6,  u shtohen të dhënat e çdo ndërmarrjeje partnere të ndërmarrjes në fjalë. Mbledhja bëhet proporcionalisht me përqindjen në kapital ose të drejtat e votës, cilado qoftë më e lartë. Në rast kryqëzimi aksionesh zbatohet përqindja më e lartë.

2. Të dhënave të parashikuara në pikat 1 e 2, të nenit 4/6,   u shtohen 100 për qind e të dhënave të çdo ndërmarrjeje, e cila është e lidhur, drejtpërdrejt apo tërthorazi, me ndërmarrjen në fjalë, kur këto të dhëna nuk janë përfshirë, nëpërmjet bashkimit të llogarive.

3. Për zbatimin e pikës 2, të nenit 4/6,   të dhënat e ndërmarrjes partnere të ndërmarrjes në fjalë përftohen nga llogaritë e tyre dhe të dhënat e tjera të tyre të konsoliduara, nëse ekzistojnë. Këtyre u shtohet 100 për qind e të dhënave të ndërmarrjeve, të cilat janë të lidhura me ato ndërmarrje partnere, përveç kur të dhënat e llogarive të tyre përfshihen nëpërmjet konsolidimit.

4. Për zbatimin e pikës 2, të nenit 4/6,   të dhënat e ndërmarrjeve, që janë të lidhura me ndërmarrjen në fjalë, duhet të përftohen nga llogaritë dhe të dhënat e tjera të tyre, të konsoliduara, nëse ekzistojnë. Këtyre u shtohen proporcionalisht të dhënat për çdo ndërmarrje të mundshme, partnere të asaj ndërmarrjeje të lidhur, përveçse kur ajo është përfshirë në llogaritë e konsoliduara, me të paktën një përqindje proporcionale me përqindjen e përcaktuar sipas pikës 2, të këtij neni.

5. Kur në llogaritë e konsoliduara nuk shfaqen të dhënat për numrin e të punësuarve për një ndërmarrje të caktuar, numri i të punësuarve llogaritet duke bashkuar proporcionalisht të dhënat nga ndërmarrjet e saj partnere dhe duke shtuar të dhënat nga ndërmarrjet, me të cilat ndërmarrja në fjalë është e lidhur.”.


Neni 4

Neni 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 11

Ministri përgjegjës për ekonominë përcakton kriteret për pjesëmarrjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në këto programe, sipas neneve 9 e 10, të këtij ligji.”.


Neni 5

Ngarkohet ministri përgjegjës për ekonominë të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore, në zbatim të neneve 4/1, 4/2, 4/3, 4/4, 4/7 e 4/8, të këtij ligji.

Neni 6

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I


JOZEFINA  TOPALLI


*  *  *
V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR HAPJEN E ZYRËS LOKALE GJERMANE, PËR BASHKËPUNIMIN PËR
ZHVILLIM NË SHQIPËRI”


Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për hapjen e zyrës lokale gjermane, për bashkëpunimin për zhvillim në Shqipëri”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

 
    
P R O J E K T L I GJ

PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË PËR HAPJEN E ZYRËS LOKALE GJERMANE, PËR BASHKËPUNIMIN PËR
ZHVILLIM NË SHQIPËRI

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe  121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për hapjen e zyrës lokale gjermane, për bashkëpunimin për zhvillim në Shqipëri.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I


JOZEFINA TOPALLI

*  *  *

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I QENDRËS SË RE KOMBËTARE DISPEÇER, I ZYRAVE TË REJA TË OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT (OST), SHA, DHE I DISPEÇERISË QENDRORE, KASHAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “ Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave                                  

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i Qendrës së re Kombëtare Dispeçer, i zyrave të reja të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sha, Tiranë, dhe Dispeçerisë Qendrore, në Kashar, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të OST, sha-së.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 20 935 (njëzet mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë) m2, tokë bujqësore/arë, vlerësuar në shumën e përgjithshme 52 487 020 (pesëdhjetë e dy milionë e katërqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e njëzet) lekë.

4. Fondi prej  52 487 020 (pesëdhjetë e dy milionë e katërqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e njëzet) lekësh të përballohet nga fondet e OST, sha-së, zëri “Kosto vendore për shpronësimet”.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale të shpronësimit, në shumën 165 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë) lekë, të përballohet nga OST, sha-ja, si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.

6. Shpronësimi të fillojë brenda muajit shtator dhe të përfundojë  brenda muajit dhjetor 2008.

7. Mënyra e pagesës të bëhet pas paraqitjes së dokumenteve të pronësisë, sipas ligjit nr.8561, datë 22.12.1999.

8. Punimet për ndërtimin e Qendrës së re Kombëtare Dispeçer, të zyrave të reja të OST, sha-së, Tiranë, dhe Dispeçerisë Qendrore, në Kashar, të përfundojnë brenda muajit dhjetor 2009.

9. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe OST, sha-ja, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I


SALI  BERISHA

*  *  *

V E N D I M


PËR

PËRCAKTIMIN E LISTËS SË STANDARDEVE TË HARMONIZUARA SHQIPTARE, QË KANË KARAKTER REFERUES PËR PREZUMIMIN E KONFORMITETIT TË PAJISJEVE NËN PRESION


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, pika 19, e 27,  të ligjit nr.9779, datë 16.7.2007, “Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:

1.  Përcaktimin e standardeve të harmonizuara shqiptare, që kanë karakter referues për prezumimin e konformitetit të pajisjeve nën presion, sipas listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2.  Standardet e harmonizuara shqiptare, numrat dhe titujt e të cilave janë përfshirë në listën e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, shërbejnë si dokumente reference për prezumimin e konformitetit të pajisjeve nën presion me kërkesat thelbësore, të përcaktuara në vendimin nr.73, datë 28.1.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të pajisjeve nën presion”.
3. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e  këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA
*  *  *
V E N D I M


PËR

PËRCAKTIMIN E LISTËS SË STANDARDEVE TË HARMONIZUARA SHQIPTARE, QË KANË KARAKTER REFERUES PËR PREZUMIMIN E KONFORMITETIT TË PAJISJEVE ELEKTRIKE, TË PROJEKTUARA PËR PËRDORIM BRENDA DISA KUFIJVE TË TENSIONIT


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, pika 19, e 27,  të ligjit nr.9779, datë 16.7.2007, “Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:

1.  Përcaktimin e standardeve të harmonizuara shqiptare, që kanë karakter referues për prezumimin e konformitetit të pajisjeve elektrike, të projektuara për përdorim brenda disa kufijve të tensionit, sipas listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2.  Standardet e harmonizuara shqiptare, numrat dhe titujt e të cilave janë përfshirë në listën e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, shërbejnë si dokumente reference për prezumimin e konformitetit të pajisjeve elektrike, të projektuara për përdorim brenda disa kufijve të tensionit me kërkesat thelbësore, të përcaktuara në vendimin nr.369, datë 27.3.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të pajisjeve elektrike, të projektuara për përdorim brenda disa kufijve të tensionit”.

3. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e  këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I


SALI BERISHA

*  *  *
V E N D I M

PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2008, MIRATUAR PËR MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15, të ligjit nr.9836,  datë 26.11.2007, « Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008 », të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Rishpërndarjen e fondeve, të miratuara në buxhetin e vitit 2008 për Ministrinë e Punëve të Jashtme, si më poshtë vijon :

a) Në programin « Planifikim, menaxhim dhe administrim», zëri « Shpenzime korente »,  shtohet fondi 4 000 000 (katër milionë) lekë.
b) Në programin « Integrimi evropian dhe euroatlantik », zëri « Shpenzime korente », shtohet fondi 8 000 000 (tetë milionë) lekë.
c) Në programin « Promovimi i imazhit dhe i vlerave të vendit », zëri « Shpenzime korente », shtohet fondi 8 000 000 (tetë milionë) lekë.
ç) Në programin « Përfaqësitë diplomatike dhe shërbimi konsullor », zëri « Shpenzime korente », pakësohet fondi 20 000 000 (njëzet milionë lekë).

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

*  *  *
V E N D I M


PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT “PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË ZONËS BREGDETARE NË MESDHE”, TË KONVENTËS SË BARCELONËS “PËR MBROJTJEN E MJEDISIT DETAR DHE TË RAJONEVE BREGDETARE TË MESDHEUT”


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 6, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të protokollit “Për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare në Mesdhe”, të konventës së Barcelonës “Për mbrojtjen e mjedisit detar dhe të rajoneve bregdetare të Mesdheut”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


*  *  *

V E N D I M


PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE TË VLERËSIMIT TË VEPRIMTARIVE E TË PROJEKTEVE, ME NDIKIME TË RËNDËSISHME NEGATIVE NË MJEDISIN E VENDEVE FQINJE


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 2, të  ligjit nr.9700, datë 26.3.2007, “Për mbrojtjen e mjedisit nga ndikimet ndërkufitare”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:


1. Miratimin e rregullave dhe të procedurave, të cilat do të zbatohen për vlerësimin e veprimtarive të projekteve, që mund të kenë ndikime të rëndësishme negative në mjedisin e vendeve fqinje.

A.Shqyrtimi i projektit nga Agjencia Rajonale e Mjedisit
       (më poshtë ARM)

A.1. Brenda 5 ditëve nga depozitimi i kërkesës për zbatimin e një projekti në një zonë ndërkufitare, ARM-ja vlerëson dhe vendos nëse projekti:

i) bën pjesë në aneksin I, të konventës;
ii) do të ketë ndikime të rëndësishme negative në mjediset e vendeve fqinje, bazuar në kërkesat e shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi si pjesë e tij;
iii) do t’i nënshtrohet përgatitjes së raportit të thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis.

A.2. ARM-ja njofton zyrtarisht propozuesin për rezultatin e vlerësimit, sipas pikës A.1, të këtij vendimi.

A.3. ARM-ja përcjell në ministrinë e fushës (më poshtë ministria) dosjen, të shoqëruar me vlerësimin e saj, me shkrim, në përputhje me dispozitat e nenit 14, të ligjit nr.8990, datë 23.1.2004, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.

B. Veprimet e ministrisë

B.1. Kur ministria është dakord me vendimin e ARM-së, njofton institucionin, që ka kompetencë të licencojë projektin, njësinë e qeverisjes vendore, ku ai do të zbatohet, dhe pjesën shqiptare të komisioneve të përbashkëta, të ngritura për çështje të ndryshme ndërkufitare, dhe u kërkon të angazhohen në procesin e vlerësimit, në përputhje me funksionet e kompetencat e tyre ligjore.

B.2. Brenda 10 ditëve nga njoftimi i ARM-së, ministria njofton palën e prekur, për projektin, që do të zbatohet se, meqenëse parashikohet të ketë ndikime të rëndësishme negative ndërkufitare, duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të vlerësimit të ndikimit në mjedis (vnm), në kontekst ndërkufitar.

B.3. Nëse pala e prekur nuk shprehet brenda afatit njëmujor, të caktuar në njoftimin e ministrisë, shqyrtimi dhe miratimi i projektit kryhen pa praninë e saj, në përputhje me kërkesat e ligjit nr.8990, datë 23.1.2003, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.

B.4. Kur pala e prekur shfaq interes dhe parashtron kërkesa, ministria pranon dhe shqyrton vetëm kërkesat që janë në përputhje me dispozitat e konventës dhe i dërgon asaj:

i) informacion për projektin e propozuar dhe për vlerësimin paraprak, të bërë nga ARM-ja;
ii) informacionin për procedurën kombëtare të vnm-së e të tërheqjes së mendimit të publikut të ndikuar;
iii) vendimin përfundimtar të ministrit.

B.5. Komunikimi me palën e prekur bëhet në gjuhën angleze, nëpërmjet personit të kontaktit, të caktuar nga ministri.

B.6. Shpenzimet për përkthimet e dokumentacionit dhe përkthimet gjatë takimeve, në kuadër të procesit të vnm-së ndërkufitare, përballohen nga propozuesi.

C. Dokumentacioni i vlerësimit të ndikimit në mjedis

C.1. Menjëherë pas përgatitjes së raportit të vnm-së, personi i kontaktit, në ministri, i dërgon autoritetit kompetent të palës së prekur dokumentacionin, i cili përmban, së paku, :

i) përshkrimin e projektit dhe qëllimet;
ii) përshkrimi i mjedisit të zonës, ku do të zbatohet projekti;
iii) ndikimet e rëndësishme negative në mjedis;
iv) masat, që do të ndërmerren nga propozuesi, për zbutjen e ndikimeve negative;
v)  programin e monitorimit dhe planin e menaxhimit, nëse është kërkesë ligjore për projektin;
v) një përmbledhje joteknike, përfshirë dhe paraqitje vizuale, si harta grafike, imazhe, etj.

Ç)  Këshillimi me palën e prekur

Ç.1 Gjatë procesit të vnm-së në kontekst ndërkufitar, ministria këshillohet me palën e prekur. Këshillimi mund të bëhet edhe nëpërmjet grupeve të përbashkëta të punës, të ngritura posaçërisht për shqyrtimin e projektit.

Këshillimet ndërmjet palëve zhvillohen për afatet, mënyrën e shkëmbimit të dokumentacionit, të njoftimit të aktorëve të interesuar e të publikut të palës së prekur, përfshirë, gjithashtu,:

i) numrin e kopjeve të raportit të vnm-së, vendin dhe afatin kohor të nevojshëm për t’iu vënë në dispozicion publikut, OJF-ve dhe autoritetit kompetent të palës së prekur;
ii) mënyrën e mbledhjes së komenteve, të bëra nga publiku i palës së prekur, dhe dërgimin e tyre në ministri;
iii) mënyrën e njoftimit të vendimit përfundimtar të ministrit.

Ç.2  Për tërheqjen e publikut e për të gjitha procedurat e tjera, ministria zbaton kërkesat e legjislacionit mjedisor shqiptar.

Ç.3  Këshillimi ndërmjet autoriteteve kompetente të palëve mund të realizohet edhe për alternativat e mundshme të ushtrimit të veprimtarisë së propozuar, masat, që duhet të merren për minimizimin e ndikimeve të rëndësishme negative ndërkufitare dhe monitorimin e efektshmërisë së masave, të marra nga propozuesi e nga autoritetet mjedisore shqiptare.

D. Marrja e vendimit

D.1  Ministria siguron se vendimi përfundimtar për projektin e propozuar është i bazuar në dokumentacionin dhe raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedisin ndërkufitar, në komentet e publikut, si dhe në rezultatet e këshillimeve, të realizuara me shtetin fqinj.

D.2   Ministria, brenda 10 ditëve nga marrja e vendimit përfundimtar për zhvillimin e veprimtarisë në zonë ndërkufitare, ia njofton atë palës së prekur, së bashku  me arsyetimet, te të cilat është mbështetur.

D.3  Nëse ministria, pa filluar zbatimi i projektit, merr informacion të ri për ndikime të tjera mjedisore negative ndërkufitare, të cilat mund të shfaqen, por që nuk ishin të ditura në çastin kur mori vendimin përfundimtar dhe që mund të kenë ndikuar në përmbajtjen e tij, informon palën e prekur.

D.4  Kur pala e prekur kërkon rishikimin e vendimit përfundimtar, ministria hyn në këshillime, nëse është ose jo e nevojshme të rishikohet vendimi.

D.5 Vendimi i ministrit bëhet publik dhe u njoftohet palëve të interesuara.

DH.  Analiza e veprimtarisë gjatë ushtrimit të saj

Dh.1 Ministria, kur autoriteti kompetent i palës së prekur kërkon kryerjen e analizës për ndikimet mjedisore ndërkufitare, pasi projekti ka filluar të zbatohet, zhvillon këshillime me palën e prekur dhe vendos nëse analiza duhet të kryhet, duke përcaktuar edhe çështjet, që do të trajtohen në të.

Dh.2   Analiza do të fokusohet në rivlerësimin e çdo ndikimi negativ, përtej kufijve të parashikuar gjatë vendimmarrjes, përfshirë edhe çështjet e mëposhtme:

i) monitorimin e zbatimit të lejes mjedisore, si dhe efektshmërinë e masave të marra për zbutjen e ndikimeve mjedisore;
ii) rivlerësimin e ndonjë ndikimi mjedisor negativ, për përmirësimin e masave për kontrollin e tij;
iii) verifikimin e parashikimeve të ndikimeve mjedisore, në mënyrë që të shërbejë si përvojë për veprimtari të njëjta, në të ardhmen.

2. Ngarkohet Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi më 3 janar 2009.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

*  *  *

V E N D I M


PËR


LEJIMIN E KALIMIT TRANZIT TË DISA AUTOKOLONAVE  USHTARAKE ITALIANE, PËRMES TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 16, pika 2, 17, 18 e 19, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:

1. Lejimin e kalimit tranzit, përmes territorit të Republikës së Shqipërisë,  në itinerarin Porti i Durrësit - Qafë-thanë, në datën 30 tetor 2008,          të 6 autokolonave ushtarake italiane, të përbëra, si më poshtë vijon:

- Autokolona e parë, 20 (njëzet) automjete e 42 (dyzet e dy) trupa;
- Autokolona e dytë, 20 (njëzet) automjete e  47 (dyzet e shtatë) trupa;
- Autokolona e tretë, 20 (njëzet) automjete e 23 (njëzet e tre) trupa;
- Autokolona e katërt, 20 (njëzet) automjete e 41 (dyzet e një) trupa;
- Autokolona e pestë, 20 (njëzet) automjete e 41 (dyzet e një) trupa;
- Autokolona e gjashtë, 20 (njëzet) automjete e 46 (dyzet e gjashtë) trupa.

2. Pika e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë është pika e kalimit të kufirit Porti i Durrësit dhe pika e daljes është pika e kalimit të kufirit Qafë-thanë.

3. Procedurat për hyrjen, qëndrimin dhe daljen e këtyre trupave në Republikën e Shqipërisë janë parashikuar në marrëveshjen, ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave, nënshkruar në Londër, më 19 qershor 1951, të marrëveshjes, ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe shteteve të tjera, që marrin pjesë në Partneritetin për Paqe, përsa i përket statusit të forcave të tyre, nënshkruar në Bruksel, më 10 janar 1994, si dhe të protokollit shtesë, për marrëveshjen, ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe të shteteve të tjera pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe, përsa i përket statusit të forcave të tyre”, ratifikuar me       ligjin nr.8034, datë 22.11.1995.

4. Autokolonat ushtarake italiane, gjatë itinerarit të lëvizjes nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

5. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


29/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›