E Shtunë, 31 Tetor 2026

PROJEKTLIGJ PËR MENAXHIMIN E SISTEMIT BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

P R O J E K T L I GJ


PËR

MENAXHIMIN E SISTEMIT BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

 

Në mbështetje të neneve 78, 81, 83, pika 1, 111 e 157 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë


V E N D O S I :


KREU I
PARIMET E PËRGJITHSHME


Neni 1
Objekti i ligjit
 
Ky ligj rregullon sistemin buxhetor në Republikën e Shqipërisë, strukturën, parimet dhe bazat e procesit buxhetor, marrëdhëniet financiare ndërqeveritare dhe përgjegjësitë, për zbatimin e legjislacionit buxhetor, në tërësi.

Neni 2
Fusha e zbatimit të ligjit
 
Ky ligj zbatohet nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme në të gjitha fazat e procesit buxhetor, që do të thotë:

a) Përgatitjen, shqyrtimin dhe miratimin e buxhetit;
b) Zbatimin, ndjekjen dhe rishikimin e buxhetit;
c) Të drejtat dhe kufizimet për huamarrjen, garancitë, si dhe format e tjera, të rrjedhura prej tyre;
ç) Kontrollin, kontabilitetin, raportimin, inspektimin dhe auditimin e buxhetit.

Neni 3
Përkufizime

Në kuptimin e këtij ligji me termat e mëposhtme do të nënkuptohet:
 
• “Buxhet”, tërësia e të ardhurave, shpenzimeve dhe financimeve të qeverisjes, qendrore e vendore, dhe të fondeve speciale, të cilat miratohen me ligj nga Kuvendi ose me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore.
• “Ligji vjetor i buxhetit”, ligji që miraton të ardhurat, shpenzimet dhe financimet e buxhetit të shtetit, fondet speciale qendrore dhe transfertat nga buxheti i shtetit, për njësitë e qeverisjes vendore, për vitin buxhetor.
• “Fond special”, fondi i krijuar me ligj, i cili ka si burime të ardhurat tatimore ose jotatimore, që përdoren vetëm për financimin e funksioneve apo të veprimtarive të veçanta të qeverisjes, qendrore apo vendore.
• “Qeverisje e përgjithshme”, tërësia e njësive të qeverisjes qendrore, vendore, dhe të fondeve speciale.
• “Njësi të qeverisjes qendrore”, njësitë e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, të krijuara me Kushtetutë, ligj ose vendim të Këshillit të Ministrave, që kanë si veprimtari të tyre parësore përmbushjen e funksioneve të qeverisjes qendrore.
• “Njësi të qeverisjes vendore”, njësitë e niveleve të ndryshme vendore, të krijuara me ligj, që kanë si veprimtari të tyre parësore përmbushjen e funksioneve të qeverisjes vendore, brenda një territori të caktuar.
• “Njësi e fondeve speciale”, njësia e krijuar me ligj për të ushtruar funksione specifike të qeverisjes, qendrore dhe vendore.
• “Njësi shpenzuese”, njësia më e vogël organizative e njësive të qeverisjes së përgjithshme, për të cilën jepen me hollësi fondet buxhetore.
• “Fond i miratuar”, kufiri maksimal i miratuar me ligjin vjetor të buxhetit ose me vendim të organeve vendimmarrëse të njësive të qeverisjes vendore, brenda të cilit njësitë e qeverisjes së përgjithshme kanë të drejtë të bëjnë shpenzime.
• “Fond i shpërndarë”, fondi i miratuar sipas klasifikimit buxhetor dhe i vënë në dispozicion të njësisë së qeverisjes së përgjithshme. 
• “Fond i detajuar”, fondi i shpërndarë sipas klasifikimit buxhetor i detajuar në nivel njësie shpenzimi.
• “Fond i rishpërndarë”, fondi, që rezulton nga shtesa dhe pakësime të balancuara të fondit të detajuar më parë.
• “Plani i arkës”, parashikimi i të hyrave dhe të dalave të mjeteve monetare të njësive të qeverisjes së përgjithshme.
• “Shuma e autorizuar për shpenzim”, kufiri maksimal periodik i shpenzimeve në nivel njësie shpenzuese.
• “Fondi rezervë”, fondi, që krijohet për të financuar shpenzime jo të përhershme dhe të paparashikuara, në fazën e përgatitjes së buxhetit.
• “Fond kontigjence”, fond i pashpërndarë, që krijohet për të mbuluar risqet e mundshme, si për të ardhurat dhe shpenzimet, gjatë zbatimit të buxhetit.
• “Shpenzimi”, pakësim i pasurisë neto, e cila përfundon me kryerjen e pagesave kapitale ose korrente, të pakthyeshme, me ose pa detyrim kthimi. 
• “E ardhura”, rritje e pasurisë neto, e cila përfundon me arkëtime kapitale ose korrente, me ose pa detyrim kthimi.
• “Grant”, e ardhura, e përftuar në formën e dhurimit, për një qëllim të përcaktuar ose jo, pa kusht kthimi dhe pa interes, që përdoret për financimin e veprimtarive ekonomike.
• “Borxh”, shuma e huave të marra në tregun bankar, financiar dhe nga palë të treta, persona fizikë, juridikë ose individë, me kusht kthimi, me ose pa interes, për financimin e projekteve të caktuara, mungesës së përkohshme të likuiditeteve dhe të deficitit fiskal buxhetor.
• “Huaja afatgjatë vendore”, borxhi në monedhë kombëtare ose të huaj i njësisë së qeverisjes vendore, që duhet të shlyhet për një periudhe kohe të barabartë ose më të gjatë se një vit.
• “Detyrim kontigjent”, detyrimi që mund t’i lindë njësisë së qeverisjes së përgjithshme në raport me të tretë, në të ardhmen, si rezultat i risqeve të mundshme, të lidhura me ngjarje apo nisma, të drejtpërdrejta ose të tërthorta, të viteve të mëparshme.
• “Përdorim me ekonomi”, përdorimi i një sasie dhe cilësie të dhënë të inputeve në një kohë të dhënë dhe me koston më të ulët.
• “Efektivitet”, madhësia, me të cilën një produkt kontribuon në arritjen e objektivave të politikës apo të qëllimeve të politikës buxhetore.
• “Efiçencë”, lidhja ndërmjet produkteve të një programi dhe burimeve financiare dhe njerëzore të përdorura.
• “Program buxhetor afatmesëm”, parashtrimi, për tre vjet, i planeve të shpenzimeve të buxhetit, përmes lidhjes së drejtpërdrejtë të programeve me veprimtaritë, produktet, objektivat dhe qëllimet e politikës.
• “Program buxhetor”, një grup veprimtarish të njësisë të qeverisjes së përgjithshme, që administrohen efektivitivisht dhe kontribuojnë së bashku në prodhimin e produkteve të identifikueshme dhe të matshme, të cilat ndihmojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në arritjen e objektivave dhe të qëllimeve të politikës buxhetore së tij.
• “Qëllim i politikës së programit buxhetor”, rezultati i dëshirueshëm dhe i matshëm, që arrihet në një periudhë afatgjatë nga veprimtaritë e njësive të qeverisjes së përgjithshme.
• “Objektivat e politikës buxhetore të programit”, rezultatet specifike të matura saktësisht në kohë, sasi dhe kosto, të cilat realizohen në një periudhë afatshkurtër deri afatmesme dhe që përbëjnë hapa të ndërmjetëm drejt arritjes së qëllimit të politikës buxhetore.
• “Inputet”, burimet financiare, njerëzore dhe fizike, të përdorura për kryerjen e veprimtarive, që nevojiten për ushtrimin e funksioneve të caktuara dhe që finalizohen me prodhimin e produkteve të caktuara.
• “Veprimtaritë e programeve buxhetore”, tërësia e veprimtarive, që kryhen në kuadër të një programi, për realizimin e një produkti.
• “Produktet”, mallrat dhe shërbimet e siguruara nga kryerja e veprimtarive buxhetore të programit buxhetor.
• “Tavanet e programit buxhetor afatmesëm”, kufiri i sipërm i shpenzimeve, brenda të cilit njësitë e qeverisjes së përgjithshme përgatisin kërkesat buxhetore të këtij programi.
• “Menaxhim financiar”, tërësia e përgjegjësive të menaxhimit, që ushtrojnë njësitë e qeverisjes së përgjithshme, për miratimin dhe zbatimin e rregullave dhe të procedurave, që sigurojnë përdorim efiçent, efektiv dhe ekonomik të burimeve financiare publike, në dispozicion.
• “Kontroll i brendshëm financiar publik”, tërësia e sistemit menaxherial, financiar dhe i kontrolleve të tjera, përfshirë strukturën administrative, metodat, procedurat, si dhe auditimin e brendshëm, të ngritur për realizimin e objektivave të drejtimit, me parim transparencën, ligjshmërinë, përdorimin me ekonomi, efiçencën dhe efektivitetin.
• “Auditim i brendshëm”, një veprimtari e pavarur brenda njësisë së qeverisjes së përgjithshme, që siguron, në mënyrë të arsyeshme, nëpunësit autorizues për përdorimin efektiv të fondeve dhe përmirësimin e ushtrimit të funksioneve të këtyre njësive.
• “Sistem i thesarit”, tërësia e rregullave dhe  procedurave, si dhe struktura organizative përkatëse, e ngarkuar për ekzekutimin e buxhetit, administrimin e mjeteve monetare,  mbajtjen e llogarive dhe raportimin financiar të qeverisjes së përgjithshme.
• “Angazhim buxhetor”, marrja përsipër e detyrimeve financiare, në formë të shkruar, përmes hyrjes në marrëdhënie kontraktuale.
• “Veprimtari pothuajse fiskale”, veprimtari me natyrë fiskale, e kryer nga njësitë e sektorit publik, jo njësi të qeverisjes së përgjithshme.
• “Shpenzim i taksave”, vlerësimi i efekteve nga përjashtimet ose lehtësirat fiskale, që ndërmerren për të nxitur veprimtari të caktuara.
• “Nëpunësi i parë autorizues”, nëpunësi i nivelit më të lartë në Ministrinë e Financave, përgjegjës për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, raportimin, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit të shtetit.
• “Nëpunës autorizues”, nëpunësi i nivelit më të lartë i njësive të qeverisjes së përgjithshme, përgjegjës për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, raportimin, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit të tyre, që përgjigjet përpara nëpunësit të parë autorizues.
• “Nëpunës autorizues i nivelit të dytë”, nëpunësi i administratës publike në secilën nga njësitë vartëse të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, përgjegjës për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, raportimin, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit të tyre, që përgjigjet përpara nëpunësit autorizues.
• “Nëpunës zbatues”, punonjës i administratës publike në njësinë e qeverisjes së përgjithshme, përgjegjës për zbatimin e rregullave të menaxhimit financiar, mbajtjen e llogarive dhe për përgatitjen e pasqyrave financiare, që përgjigjet përpara nëpunësit autorizues të nivelit përkatës.


Neni 4
Parimet e funksionimit të sistemit buxhetor

Parimet e funksionimit të sistemit buxhetor janë: 

a) Transparenca, parashikueshmëria, gjithëpërfshirja, uniteti dhe universaliteti në menaxhimin e sistemit buxhetor e të fondeve speciale.
b) Disiplina fiskale, në përputhje me stabilitetin makroekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ekonomik dhe social;
c) Shpërndarja e burimeve, në përputhje me objektivat strategjike të Këshillit të Ministrave; 
ç)  Përdorimi ekonomik, efiçent dhe efektiv i burimeve publike;
d) Përgjegjësi të qarta për menaxhimin operacional;
     dh)  Respektimi me rreptësi i tërësisë së procesit.

Transparenca është parimi, që siguron për Kuvendin, këshillat e njësive të qeverisjes vendore dhe publikun e gjerë të dhëna lehtësisht të disponueshme, të shpejta,të kuptueshme e të krahasueshme, në nivel ndërkombëtar, integriteti i të cilave mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, në lidhje me:

a) funksionet, mënyrën e organizimit, veprimtaritë, rolet dhe përgjegjësitë e njësive të qeverisjes së përgjithshme;
b) produktet për objektivat dhe qëllimet e politikës;
c) procesin e përgatitjes së buxhetit;
ç)  parashikimin makroekonomik dhe fiskal;
d) pasqyrat financiare.


KREU II
SISTEMI BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
 
Neni 5
Buxheti i shtetit

Buxheti i shtetit përfshin të gjitha të ardhurat, shpenzimet dhe financimet e qeverisjes qendrore.

Buxheti i shtetit përfshin një fond rezervë dhe një fond kontigjence të pashpërndarë, i cili miratohet nga Kuvendi në ligjin vjetor të buxhetit, deri në masën 3 për qind të vlerës së përgjithshme të fondeve të miratuara.

Fondi rezervë përdoret vetëm për rastet e financimit të shpenzimeve, të cilat nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit. Miratimi i përdorimit të tij bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Fondi i kontigjencës përdoret sipas përcaktimit në ligjin e buxhetit vjetor, për të përballuar efektet e mosrealizimit të të ardhurave, nevojën e kryerjes së financimeve të reja dhe shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara të programeve ekzistuese.

Buxheti i shtetit nuk mund të trashëgohet nga njëri vit në tjetrin, përveç rasteve të përcaktuara në këtë ligj.

Buxheti i shtetit është i balancuar në termat e arkëtimeve dhe të pagesave.

Të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të shtetit janë në terma bruto. 
 

Neni 6
Buxheti vendor

Buxheti vendor përfshin të gjitha të ardhurat, shpenzimet dhe financimet e njësisë së qeverisjes vendore.

Buxheti vendor përfshin një fond rezervë dhe një fond kontigjence, të pashpërndarë, i cili miratohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore në vendimin e buxhetit vjetor, deri në masën 3 për qind të vlerës së përgjithshme të fondeve të miratuara, duke përjashtuar transfertat e kushtëzuara.

Fondi rezervë përdoret vetëm për rastet e financimit të shpenzimeve, të cilat nuk njihen ose janë të pamundura të parashikohen gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit. Përdorimi i tij bëhet me vendim të këshillit të njësise së qeverisjes vendore.

Fondi i kontigjencës përdoret sipas përcaktimit në vendimin për buxhetin vjetor të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, për të përballuar efektet e mosrealizimit të të ardhurave, nevojën e kryerjes së financimeve të reja dhe shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara, të programeve ekzistuese.

Buxheti vendor është i balancuar, përveç rasteve kur merret hua për financimin e projekteve të investimeve. Buxheti vendor është i balancuar në termat e arkëtimeve dhe të pagesave.

Të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit vendor janë në terma bruto.
 

Neni 7
Fondet speciale

Fondi special i njësive të qeverisjes, qendrore ose vendore, krijohet me ligj të veçantë nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave. Fondet speciale të qeverisjes vendore i propozohen ministrit të Financave nga  këshilli i njësisë së qeverisjes vendore.

Ligji për krijimin e fondit special të qeverisjes, qendrore apo vendore, përcakton: 

a) qëllimin e krijimit të fondit special;
b) njësinë administrative të fondit special, që mund të jetë një njësi e qeverisjes, qendrore ose vendore, e pavarur ose e kontrolluar nga një njësi tjetër;
c) mënyrën e financimit dhe balancimit të fondit special;
ç) mënyrën e konsolidimit në llogaritë e qeverisjes, qendrore ose vendore;
d) kohëzgjatjen dhe mënyrën e mbylljes së fondeve speciale.

Fondi special përfshin të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e një njësie të fondit special.

Procedurat e propozimit dhe të miratimit të buxhetit të fondit special të qeverisjes, qendrore apo vendore, janë të njëjta me buxhetin e shtetit.

Fondet speciale të njësive të qeverisjes qendrore paraqiten në Kuvend, së bashku me buxhetin e shtetit.

Fondet speciale të njësive të qeverisjes vendore paraqiten në këshillin e qeverisjes vendore, së bashku me buxhetin vendor.

Asnjë fond ekstrabuxhetor nuk krijohet, nëse nuk është një fond special.
       

Neni 8
Menaxhimi i mjeteve monetare të qeverisjes së përgjithshme

Arkëtimet dhe pagesat e qeverisjes së përgjithshme kryhen nëpërmjet llogarisë së unifikuar të thesarit, e mbajtur në lekë dhe në valuta të huaja. Llogaria e unifikuar e thesarit mbahet në Bankën e Shqipërisë.

Ministri i Financave, në rast se kërkohet, për fondet speciale, për  financimet e projekteve ose për qëllimet e menaxhimit efiçient të mjeteve monetare, mund të mbajë një numër të kufizuar llogarish, në Bankën e Shqipërisë.

Ministri i Financave është i autorizuar të nënshkruajë marrëveshje me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë, për kryerjen e operacioneve bankare dhe menaxhimin e mjeteve monetare të qeverisjes së përgjithshme.

Teprica e mjeteve monetare, përkohësisht të lira, të llogarive të qeverisjes së përgjithshme në Bankën e Shqipërisë investohet sipas procedurave të  përcaktuara me udhëzim të ministrit të Financave.

Njësitë e qeverisjes vendore gëzojnë të drejtën e përfitimit të interesit për mjetet e tyre monetare, përkohësisht të lira, në llogarinë e unifikuar të thesarit. Kushtet dhe masa e përfitimit të interesave përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.


Neni 9
Arkëtimet

Arkëtimet përfshijnë, por nuk kufizohen në:

a) arkëtime, që lidhen me transanksione të ndërsjella:
- të ardhurat nga shitja e mallrave dhe shërbimeve;
- të ardhurat nga shitja e aktiveve afatgjata; 
 
b) arkëtime, që lidhen me transanksione joreciproke:
- të ardhurat nga tatimet, taksat dhe tarifat;
- të ardhurat nga aktivet në pronësi;
- të ardhurat nga grantet;
- të ardhurat nga kontributet e detyrueshme;
  
c) arkëtime, që lidhen me transanksionet financiare:
- të ardhura nga interesat;
- arkëtime nga huatë;
- të ardhura të tjera, nga ekzekutimi i sanksioneve administrative dhe penale;       

ç) arkëtimet e kujdestarisë,  garancitë dhe mjete të tjera në ruajtje.


Neni 10
Pagesat

Pagesat përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në:
a)  pagesa, që lidhen me transanksione të ndërsjella:
- shpenzime për blerjen e mallrave dhe shërbimeve;
- shpenzime për blerjen ose krijimin e aseteve afatgjata;
- pagesa për huadhënie;   
   
b)  pagesa, që  lidhen me transanksione joreciproke:
- transferta qeveritare;
- grante, kontribute dhe donacione;
- shpenzime për qiramarrje.  

c)  pagesa financiare:
- shpenzime për interesa;
- shpenzime për qira financiare;
- pagesa të principaleve të borxhit;
- pagesa kujdestarie.

Neni 11
Klasifikimet buxhetore

Klasifikimet buxhetore miratohen nga ministri i Financave, në bazë të propozimit të nëpunësit të parë autorizues, në përputhje me standardet ndëkombëtare.

Klasifikimet buxhetore përfshijnë, minimalisht: 

a) Klasifikimin administrativ, i cili përfaqëson klasifikimin e njësive të qeverisjes së përgjithshme deri në nivel njësie shpenzimi.
b) Klasifikimin ekonomik, i cili përfaqëson klasifikimin e transanksioneve,  sipas natyrës ekonomike.
c) Klasifikimin funksional, i cili përfaqëson një klasifikim të detajuar sipas  funksioneve ose objektivave ekonomiko-sociale, që njësitë e qeverisjes së përgjithshme synojnë të përmbushin/arrijnë.
  ç) Klasifikimin, sipas programeve, i cili përfaqëson programet, nënprogramet dhe projektet, në përputhje me objektivat e njësive të qeverisjes së përgjithshme.
d) Klasifikimin, sipas burimeve të financimit.

Klasifikimi i buxhetit vendor dhe i fondeve speciale është i njëjtë me klasifikimin e buxhetit të shtetit.

Kodet dhe emërtimet e klasifikimeve buxhetore dhe të llogarive kontabël janë unike për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme.
 

Neni 12
Deficiti dhe suficiti buxhetor

Deficiti buxhetor, në një vit buxhetor, është diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, kur shpenzimet janë më të mëdha se të ardhurat.

Suficiti buxhetor, në një vit buxhetor, është diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, kur të ardhurat janë më të mëdha se shpenzimet.

Dokumenti  i buxhetit të shtetit përcakton përdorimin e një suficiti buxhetor apo mënyrat e financimit të një deficiti buxhetor. Deficiti i buxhetit të shtetit financohet nga huatë e brendshme ose të huaja.

Buxheti vendor është i balancuar. Përjashtimisht, buxheti vendor mund të ketë deficit vetëm për shpenzimet kapitale, të financuara me hua, sipas dispozitave të përcaktuara në këtë ligj ose në ligj të veçantë.

Fondet speciale janë gjithmonë të balancuara dhe nuk mund të kenë deficit.
 

Neni 13
Viti buxhetor
 
Viti buxhetor për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, fillon nga data 1 janar dhe përfundon me 31 dhjetor, të çdo viti.


KREU III
ROLI DHE PËRGJEGJËSITË E ORGANEVE  NË PROCESIN BUXHETOR

Neni 14
Kompetencat e Kuvendit

Kuvendi, me ligj të veçantë, miraton të ardhurat dhe fondet buxhetore vjetore për njësitë e qeverisjes qendrore, transfertat e pakushtëzuara për njësitë e qeverisjes vendore dhe fondet speciale të tyre, me qëllim kryerjen e shpenzimeve për ushtrimin e funksioneve që kanë, si dhe burimet e financimit të deficitit buxhetor. 
 

Neni 15
Kompetencat e këshillit të njësisë së qeverisjes vendore

Këshilli i njësisë së qeverisjes vendore, me vendim të veçantë, miraton të ardhurat dhe fondet buxhetore vjetore për njësitë e qeverisjes vendore dhe fondet speciale të tyre, me qëllim kryerjen e shpenzimeve për ushtrimin e funksioneve që kanë, si dhe huamarrjen, për financimin e projekteve të investimeve. 
 

Neni 16
Kompetencat e Këshillit të Ministrave

Këshilli i Ministrave miraton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shteterore dhe, në bazë të tyre, i propozon Kuvendit ligjin e buxhetit vjetor.

Ministri përgjegjës për financat, në vijim thjesht ministri i Financave, është autoriteti përgjegjës për hartimin dhe miratimin e një sistemi rregullash, standardesh dhe procedurash, që sigurojnë administrimin ekonomik, efiçent dhe efektiv të burimeve financiare publike. 

Neni 17
Kompetencat e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore

Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore propozon drejtimet kryesore të politikës të njësisë së qeverisjes vendore dhe projektbuxhetin në këshillin përkatës të njësisë së qeverisjes vendore.
 
Neni 18
Nëpunësi i parë autorizues

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave është nëpunësi i parë autorizues për buxhetin e njësive të qeverisjes qendrore, për fondet speciale dhe transfertat e njësive të qeverisjes vendore.

Nëpunësi i parë autorizues përgjigjet te ministri i Financave për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe kontrollin e brendshëm financiar publik, sipas këtij ligji, të ligjit vjetor të buxhetit dhe të akteve nënligjore.

Nëpunësi i parë autorizues paraqet, në komisionin përkatës parlamentar, raporte periodike, pasqyra financiare dhe raportin vjetor për zbatimin e buxhetit në Republikën e Shqipërisë. Me kërkesë të komisionit raporton gjatë vitit edhe për çështje të tjera, që kanë lidhje me zbatimin e buxhetit dhe kontrollin e brendshëm financiar publik.
 

Neni 19
Nëpunësi autorizues

Nëpunës autorizues në njësitë e qeverisjes qendrore është punonjësi i administratës publike, i nivelit më të lartë të shërbimit civil. Për ministrinë përgjegjëse për financat, nëpunësi i parë autorizues emëron një punonjës të nivelit të lartë ose të mesëm të administratës publike si nëpunës autorizues. Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, që nuk janë pjesë e pushtetit ekzekutiv, nëpunës autorizues është punonjësi i nivelit më të lartë menaxhues. Nëpunës autorizues në njësitë e qeverisjes vendore është kryetari i njësisë ose zëvendësi i tij, nëse kryetari vendos ta delegojë këtë përgjegjësi. Titullari i njësisë së qeverisjes së përgjithshme njofton nëpunësin e parë autorizues për nëpunësin autorizues së njësisë së vet.

Nëpunësi autorizues i njësisë shpenzuese është titullari i kësaj njësie.

Nëpunësi autorizues është përgjegjës për menaxhimin financiar në njësinë e qeverisjes së përgjithshme, ku është caktuar, në përputhje me parimet e përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji.

Përgjegjësitë për menaxhimin financiar përfshijnë, por nuk kufizohen në:

a) përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, kontabilitetin, raportimin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit të njësisë së qeverisjes së përgjithshme.
b) Sigurimin e efiçencës, të efektivititetit dhe përdorimit me ekonomi të burimeve publike.
Nëpunësi autorizues vepron në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të akteve nënligjore, në zbatim të tij.

Nëpunësi autorizues i njësive të qeverisjes së përgjithshme udhëzon dhe informon nëpunësit zbatues të njësive shpenzuese të varësisë dhe garanton zbatimin e udhëzimeve të dhëna prej tij nga nëpunësit zbatues të njësive shpenzuese, që ka në juridiksion.

Nëpunësi autorizues i njësive të qeverisjes qendrore dhe i njësive të fondeve speciale të qeverisjes qendrore raporton dhe përgjigjet përpara nëpunesit të parë autorizues, për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, raportimin, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit të tyre.

Nëpunësi autorizues i njësisë të qeverisjes qendrore, me miratim të titullarit, cakton punonjës të administratës publike si nëpunës autorizues të nivelit të dytë në secilën nga njësitë vartëse të njësisë së qeverisjes qendrore.

Nëpunësi autorizues i njësive së qeverisjes vendore përgjigjet dhe raporton përpara nëpunesit të parë autorizues, për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar publik, monitorimin, raportimin dhe kontabilitetin e buxhetit të një njësie të qeverisjes vendore, në ushtrimin, nga  njësitë e qeverisjes vendore, të funksioneve të përbashkëta dhe të deleguara, nga një njësi e qeverisjes qendrore.

Nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes vendore dhe i fondeve speciale të qeverisjes vendore përgjigjet dhe raporton përpara komitetit të financës dhe këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar publik, monitorimin, raportimin dhe kontabilitetin e buxhetit ose të fondeve speciale, për të gjitha funksionet e njësive të qeverisjes vendore dhe të fondeve speciale.

Nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes vendore mund të caktojë një punonjës të administratës publike si nëpunës autorizues të nivelit të dytë në njësitë e qeverisjes vendore.
 

Neni 20
Nëpunësi zbatues

Nëpunësi zbatues është punonjës i administratës publike, i nivelit të lartë, të shërbimit civil të njësisë së qeverisjes së përgjithshme. Nëpunësi zbatues caktohet nga nëpunësi autorizues për zbatimin e rregullave të menaxhimit financiar, mbajtjen e llogarive dhe për përgatitjen e pasqyrave financiare.
 

Neni 21
Dokumentimi dhe raportimi i urdhërave, në kundërshtim me dispozitat
 
Urdhri gojor ose i shkruar, i titullarit, apo i të autorizuarit prej tij, të një njësie të qeverisjes së përgjithshme, që rregullon menaxhimin operacional, i nxjerrë në kundërshtim me dispozitat për menaxhimin financiar, drejtuar nëpunësve autorizues ose zbatues, kundërshtohet me shkrim nga këta të fundit te lëshuesit e urdhrit apo titullarët sipas varësisë.  

Kundërshtimi është në formën e një raporti me shkrim, i cili përmban: 

a)  shpjegime për bazën ligjore për kundërshtimin e urdhrit;
b)  kërkesë për anulimin ose konfirmimin e tij.

Në rastet kur urdhri nuk anulohet por konfirmohet me shkrim, nëpunësi autorizues procedon me zbatimin e urdhrit dhe një kopje të raportit të kundërshtimit e dërgon te nëpunësi i parë autorizues, i cili vë në dijeni ministrin e Financave. Me konfirmimin me shkrim të urdhrit, në rastin e komunikimeve ndërmjet ministrit të Financave dhe nëpunësit të parë autorizues, një kopje e raportit dërgohet në Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Rregullat e përshkruara në paragrafin e parë dhe në të dytën, të këtij neni, zbatohen edhe për marrëdhëniet ndërmjet niveleve të ndryshme të nëpunësve autorizues dhe nëpunësve zbatues.
 

KREU IV
PËRGATITJA, SHQYRTIMI DHE MIRATIMI I BUXHETIT
TË SHTETIT

Neni 22
Përgatitja e kalendarit të menaxhimit të shpenzimeve publike

Ministri i Financave përgatit dhe i propozon Këshillit të Ministrave ose strukturave të krijuara prej tij për menaxhimin e planifikimit strategjik kalendarin e menaxhimit të shpenzimeve publike, duke përcaktuar me hollësi afatet e procesit të menaxhimit të shpenzimeve publike.

Kalendari i menaxhimit të shpenzimeve publike miratohet, si pjesë përbërëse e kalendarit të planifikimit strategjik, nga Këshilli i Ministrave ose strukturat e krijuara prej tij për menaxhimin e planifikimit strategjik dhe bëhet efektiv në ditën e parë të çdo viti.


Neni 23
Vlerësimet dhe parashikimet makroekonomike dhe buxhetore

Brenda muajit janar, ministri i Financave, paraqet, për shqyrtim dhe miratim, në Këshillin e Ministrave ose në strukturat e krijuara prej tij për menaxhimin e planifikimit strategjik raportin për vlerësimet dhe parashikimet makroekonomike, për: 
a)  2 vitet përpara vitit buxhetor;
  b)  vitin buxhetor;
c) 3 vitet e ardhshme buxhetore. 

Në këtë raport përfshihen:  
a) Supozimet dhe mënyrat e përdorura për vlerësimin e parashikimin makroekonomik dhe fiskal, përfshirë dhe identifikimin e vlerësimin e riskut për qëndrueshmërinë e stabilitetit makroekonomik të vendit;
b) Vlerësimet më të fundit të situatës ekonomike, në bazë të të dhënave zyrtare, si dhe krahasimi me parashikimet e mëparshme;
c) Parashikimin për të ardhurat e qeverisjes së përgjithshme, në bazë të politikave ekzistuese dhe të propozimeve të politikave të reja apo ndryshimeve të atyre ekzistuese;
ç)  Parashikimin për shpenzimet e qeverisjes së përgjithshme,  në bazë të politikave ekzistuese dhe propozimeve për politika të reja apo ndryshimeve në politikat ekzistuese;
d) Parashikimin për deficitin e qeverisjes së përgjithshme dhe financimin e tij, duke respektuar dhe garantuar  forcimin e disiplinës dhe qëndrueshmërisë fiskale;
  dh)  Propozimet për tavanet përgatitore të shpenzimeve për tre vitet e ardhshme buxhetore, ku shpjegohen ndryshimet nga limitet e përcaktuara në programin buxhetor afatmesëm paraardhës;
e) Informacion të hollësishëm për stokun e borxhit, të brendshëm dhe të jashtëm, për çdo sektor të qeverisjes së përgjithshme.

Vlerësimi dhe parashikimi makroekonomik miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave ose të strukturave të krijuara prej tij për menaxhimin e planifikimit strategjik dhe i dërgohen Kuvendit brenda datës 10 mars. Me kërkesë të komisionit parlamentar, përgjegjës për financat publike, ministri i Financave mund të japë shpjegime para tij për vlerësimet dhe parashikimet e miratuara nga qeveria.


Neni 24
Udhëzimi për përgatitjen e buxhetit

Ministri i Financave, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave ose strukturat e krijuara prej tij për menaxhimin e planifikimit strategjik, brenda muajit shkurt miraton dhe dërgon për zbatim në njësitë e qeverisjes së përgjithshme udhëzimin për përgatitjen buxhetit.

Udhëzimi përmban:  

a) Tavanet përgatitore të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm;
b) Transfertat e pakushtëzuara për njësitë e qeverisjes vendore;
c) Procedurat dhe afatet e përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm dhe të projektbuxhetit vjetor;
ç)  Rregulla për ndarjen apo delegimin e funksioneve ndërmjet njësive të
  qeverisjes qendrore dhe njësive të qeverisjes vendore;
d) Mënyrat e llogaritjes së transfertave, të pakushtëzuara dhe kushtëzuara, për njësitë e qeverisjes vendore.

Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes së përgjithshme përgatisin dhe dorëzojnë kërkesat për programin buxhetor afatmesëm dhe kërkesat shtesë, në përputhje me kërkesat dhe afatet e parashikuara në udhëzimin përkatës të ministrit të Financave.
 

Neni 25
Projekti i programit buxhetor afatmesëm
 
Drejtoria përgjegjëse për buxhetin, në Ministrinë e Financave, nën drejtimin e nëpunësit të  parë autorizues, analizon dhe vlerëson kërkesat e buxhetit afatmesëm dhe këkesat shtesë, si dhe përgatit një raport me konkluzione dhe rekomandime për secilën njësi të qeverisjes qendrore. Ky raport paraqitet në seancat dëgjimore, që organizohen në Ministrinë e Financave, me secilën njësi të qeverisjes qendrore, sipas një kalendari të paracaktuar. Pas reflektimit të konkluzioneve të seancave dëgjimore, nëpunësi i  parë autorizues i paraqet projektin e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm ministrit të Financave.

Ministri i Financave shqyrton projektin e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm dhe pas këshillimesh me nëpunësin e parë autorizues bën miratimin e projektit, që do të paraqitet për miratim.

Brenda muajit qershor të çdo viti, ministri i Financave i paraqet për miratim Këshillit të Ministrave projektin e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm, së bashku me propozimin e tavaneve të shpenzimeve të  këtij programi komentet për pranimin e kërkesave të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm dhe të kërkesave shtesë.

Këshilli i Ministrave miraton me vendim projektin e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm dhe tavanet përfundimtare të shpenzimeve.

Brenda muajit korrik të çdo viti ministri i Financave i dërgon për informacion Kuvendit një kopje të dokumentit të programit buxhetor afatmesëm, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, dhe, me kërkesë të komisionit parlamentar, përgjegjës për financat publike, jep shpjegime në komision për aktin e miratuar.
           

Neni 26
Programi buxhetor afatmesëm

Hartimi i programit të buxhetit afatmesëm pasqyron kërkesat për buxhetin afatmesëm të njësive të qeverisjes së përgjithshme, të cilat paraqiten në përputhje me kërkesat dhe brenda afateve të parashikuara në udhëzimin përkatës të ministrit të Financave.

Programi buxhetor afatmesëm shoqërohet edhe me një aneks, i cili përmban: 

a) mënyrën e llogaritjes dhe shumën e transfertës së pakushtëzuar të njësive të qeverisjes vendore;
b) shumën dhe qëllimin e transfertës së kushtëzuar, që buxheti i shtetit jep për njësitë e qeverisjes vendore;
c) taksat kombëtare, të ndara me qeverisjen vendore, dhe pjesën  e ndar për  tri vitet pasardhëse buxhetore.

Programi buxhetor afatmesëm mund të përmbajë edhe fondin rezervë të buxhetit të shtetit, për përballimin e nevojave për shpenzime të  paparashikuara.
 

Neni 27
Udhëzimi plotësues për përgatitjen e buxhetit

Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të tavaneve përfundimtare të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm, ministri i Financave nxjerr udhëzimin plotësues, për përgatitjen e buxhetit, brenda datës 10 të muajit korrik, për nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes së përgjithshme. Udhëzimi plotësues për përgatitjen e buxhetit përfshin: 

a) tavanet përfundimtare të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) rregullat për rishikimin e kërkesave të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm, në bazë të tavaneve përfundimtare të shpenzimeve.

Brenda datës 1 shtator të çdo viti, nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes qendrore dhe të njësive të fondeve speciale të qeverisjes qendrore paraqesin te nëpunësi i parë autorizues kërkesat e rishikuara të programit buxhetor afatmesëm dhe kërkesat shtesë, me argumentet përkatëse.

Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes vendore dhe të fondeve speciale të tyre i paraqesin këshillit përkatës projektin e buxhetit për vitin buxhetor pasardhës, brenda afateve të përcaktuara në udhëzimin plotësues.

Drejtoria përgjegjëse për buxhetin në Ministrinë e Financave, nën drejtimin e nëpunësit të  parë autorizues, analizon dhe vlerëson kërkesat e rishikuara të buxhetit afatmesëm dhe kërkesat shtesë dhe përgatit një raport, me konkluzione dhe rekomandime për secilën njësi të qeverisjes qendrore. Ky raport paraqitet në seancat dëgjimore, që organizohen në Ministrinë e Financave me secilën njësi të qeverisjes, sipas një kalendari të paracaktuar. Pas reflektimit të konkluzioneve të seancave dëgjimore, nëpunësi i  parë autorizues i paraqet projektin e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm, të rishikuar, ministrit të Financave .


Neni 28
Programi buxhetor afatmesëm, i rishikuar

Ministri i Financave e miraton projektin e programit buxhetor afatmesëm, të rishikuar, vetëm kur kërkesat e këtij programi janë në përputhje me udhëzimin plotësues për përgatitjen e buxhetit. Projekti i miratuar paraqitet në Këshillin e Ministrave, së bashku me projektbuxhetin vjetor të shtetit.

Ministri i Financave i dërgon për informacion Kuvendit një kopje të programit buxhetor afatmesëm, të miratuar nga Këshilli i Ministrave.

Neni 29
Projektbuxheti vjetor

Nëpunësi i parë autorizues përgatit projektbuxhetin vjetor, si pjesë përbërëse e programit buxhetor afatmesëm, dhe ia paraqet ministrit të Financave, i cili e paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave, së bashku me programin buxhetor afatmesëm, të rishikuar, siç përcaktohet në nenin 28, të këtij ligji. 

Projektbuxheti vjetor, për çdo njësi të qeverisjes qendrore, shoqërohet me:
     
a)  Misionin apo qëllimin e njësisë së qeverisjes qendrore;
b)  Përshkrimin e programeve dhe veprimtarive të kësaj njësie;
c)  Paraqitjen e politikave, të qëllimeve dhe objektivave të politikës së  
programeve;
ç)  Standardet e politikave, që arrihen nga secila njësi dhe për çdo program;
d)  Informacion për kontributin e produkteve të çdo programi, në arritjen e 
     qëllimeve dhe të objektivave të programit përkatës;
   dh) Treguesit faktikë për dy vitet buxhetore paraardhëse, fondet buxhetore të planifikuara për vitin buxhetor në vazhdim, ndryshimet e bëra me anë të rishpërndarjeve, të kërkesave të miratuara për fonde shtesë, si edhe shpërndarjen e vlerës totale të tavaneve të programit buxhetor afatmesëm, sipas programeve për tri vitet e ardhshme buxhetore;
e)  Shpenzimet kapitale, listen e projekteve kapitale për çdo program, me:  

i. koston e plotë të projektit;    
ii. vlerën e financuar deri në fund të vitit buxhetor paraardhës;  
iii. vlerën e parashikuar për t’u financuar në vitin buxhetor;  
iv. vlerën e mbetur për t’u financuar në vitet pasardhëse buxhetore, burimet e financimit;
ë) një shpjegim për qëllimin dhe kostot e veprimtarive pothuajse fiskale, të ndërmarra nga njësitë jo të qeverisjes së përgjithshme; një parashtrim të shpenzimeve të taksave.

Brenda datës 31 tetor, Këshilli i Ministrave miraton me vendim projektbuxhetin vjetor dhe programin buxhetor afatmesëm, të rishikuar.
 
Nëpunësi i parë autorizues, brenda 10 ditëve pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të buxhetit vjetor dhe programit buxhetor afatmesëm, të rishikuar, njofton çdo njësi  të  qeverisjes vendore dhe çdo njësi të fondeve speciale të qeverisjes vendore për transfertat nga njësitë e qeverisjes qendrore dhe pjesën e madhësinë e taksave kombëtare, të ndara në projektbuxhet.
 
Brenda javës së parë të muajit nëntor, Kryeministri, në emër të Këshillit të Ministrave, i paraqet Kuvendit projektbuxhetin vjetor.

Ministri i Financave paraqet në Kuvend informacionin për:

a) respektimin dhe zbatimin korrekt të parimeve, të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji, në projektbuxhetin vjetor dhe në programin buxhetor afatmesëm.
b) harmonizimin e gjendjes dhe të parashikimeve të borxhit me objektivat e qëndrueshmërisë fiskale;
c) risqet fiskale dhe masat për mbrojtjen ndaj tyre;
ç) detyrimet kontigjente të qeverisjes së përgjithshme dhe mundësinë e
    shfaqjes së tyre si detyrime në vitin buxhetor pasardhës.
 

Neni 30
Lista e njësive të qeverisjes së përgjithshme

Ministri i Financave i paraqet Kuvendit listën e njësive shpenzuese, sipas njësive të qeverisjes së përgjithshme, nga të cilat varen. 
          

Neni 31
Miratimi i buxhetit vjetor të shtetit
 
Buxheti vjetor i shtetit miratohet nga Kuvendi brenda datës 31 dhjetor, të paktën në nivel programi të shpenzimeve për çdo njësi  të qeverisjes së përgjithshme, por nuk kufizohet në këtë nivel.


Neni 32
Publikimi i buxhetit vjetor dhe i programit buxhetor afatmesëm
 
Ligji i buxhetit vjetor të shtetit, me të gjitha pjesët përbërëse të tij,  publikohet në “Fletoren zyrtare”.

Në muajin janar të çdo viti, pas miratimit të ligjit vjetor të buxhetit nga Kuvendi, nëpunësi i parë autorizues pasqyron ndryshimet në dokumentin përfundimtar të programit buxhetor afatmesëm.

Ministri i Financave publikon, brenda muajit shkurt, dokumentin përfundimtar të programit buxhetor afatmesëm.
 

Neni 33
Përgatitja dhe miratimi i buxheteve vendore

Brenda muajit nëntor të vitit buxhetor, kryetarët e njësive të qeverisjes vendore të të gjitha niveleve paraqesin, për miratim, buxhetet e këshillave të tyre.

Këshilli i qeverisjes vendore, brenda datës 31 dhjetor, miraton buxhetin vendor në bazë të vlerësimit të të ardhurave dhe të transfertave të pakushtëzuara, të përcaktuara në buxhetin e shtetit.

Neni 34
Publikimi i buxheteve vendore

Buxhetet e njësive të qeverisjes vendore publikohen në Buletinin e Njoftimeve Publike, 15 ditë pas miratimit nga këshillat e njësive përkatëse.

Neni 35
Hyrja në fuqi dhe zbatimi i ligjit të buxhetit vjetor

Në rast se Kuvendi e miraton ligjin vjetor të buxhetit brenda vitit buxhetor, por ligji nuk mund të hyj&e

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›